Fevziu: Në Gaza nuk kishte asnjë fije bari, kur kam qenë unë nuk më lanë të paguaja asnjë Lekë
Gaza është në epiqendër të lajmeve botërore pas luftës që po zhvillohet mes Izraelit dhe Hamasit. Edhe këtë të mërkurë, në emisionin “Opinion” u fol pikërisht për këtë konflikt.
Gazetari Blendi Fevziu tregoi disa detaje nga Gaza pasi ka qenë vetë aty. Ai u shpreh se Rripi i Gazës është një fjetore e madhe urbane ku jetojnë rreth 2 milionë njerëz në kushte skandaloze.
Ai u shpreh se Gaza ishte një prej vendeve që nuk kishte asnjë fije bari. Të vetmet gjë që dallon atje, sipas tij, janë kafenetë e vogla. Fevziu tregoi se asnjë prej tyre nuk e lanë të paguante gjë pasi vetë palestinezët ndiheshin mirë në praninë e të huajve.
“Një territor, nuk di të them, nga këtu e deri në Elbasan nga të dyja anët e rrugës që mban brenda ditës rreth 2 milionë… Zoti e di sa janë tamam… Rreth 2 milionë njerëz që jetojnë në kushte skandaloze. Mund të jetë një prej vendeve që nuk kishte asnjë fije bar. Kur them asnjë fije bar, asnjë fije bar. Të gjitha ndërtimet janë që duken si ndërtimet ilegale tonat në kaos, në sisteme nga më të çuditshme, disa të ndërtuara me tulla betoni, disa me tulla të bardha, disa me tulla të kuqe. Është një fjetore e madhe urbane. Të vetmet gjë janë kafenetë e vogla, kur edhe kur kam qenë unë s’më lanë të paguaja asnjë lek. Ishte e çuditshme nga mikpritja dhe mënyra sa mirë u ndjenë nga prania e të huajve”, tha Fevziu./tvklan.al