Fevziu: Haklajt kërcënuan gazetarin, u vranë një ditë para afatit që na dhanë
Në emisionin “Opinion” është diskutuar mbrëmjen e së martës lidhur me historitë e personazheve të rrezikshëm të krimit në vend.
Ndër të tjerë është specifikuar edhe emri i Fatmir Haklajt, i konsideruar si një nga njerëzit më problematikë të viteve ’90. Gazetari Blendi Fevziu, ka treguar edhe historinë, e kërcënimit të gazetarit Ferdinand Dervishi, nga ana e familjes Haklaj. Sikurse ka pohuar vetë gazetari Dervishi në studio, në artikullin e asaj kohe për revistën “Klan” përmendej për herë të parë publikisht se vrasësi i Azem Hajdarit ishte nga Haklajt.
“Në gusht të vitit 1999 kur u bë shumë zhurmë në Tropojë de pasi Gani Malushi vendosi kontrollin, menduan në revistën “Klan” që të bënim diçka dhe u nis Fedja të shkonte në Tropojë. Shkoi, bëri një reportazh 4 faqe të jashtëzakonshëm dhe me t’u botuar reportazhi, u nisën 4 vetë nga fisi Haklaj dhe thanë: duam emrin e gazetarit sepse menduan, që Ferdinand ishte pseudonim. Ne nuk e jepnim dhe u munduam të merrnin një vizë greke dhe Fedja të ikte në Greqi. Ata thanë: Duam vetëm një letër që gazetari të thotë se këtëo të dhëna ja ka dhënë Gani Malushi. Ata na lanë një javë kohë, thanë që do vinin të premten dhe një ditë para se të vinin, ata u vranë”, ka treguar Blendi Fevziu. /Opinion.al