Familjet Shkodrane me prejardhje të huaj
Siç dihet historikisht, kur Sulltan Mehmeti II e pushtoi Shkodrën, shumë familje kristiane e lanë vendin dhe u larguan nga qyteti. Shtëpitë që lanë kristianët ua dhanë myslimanëve. Nga kjo kuptohet mirë se ata myslimanë, të cilëve iu dorzuan shtëpitë e kristianëve të ikur, nuk ishin të gjithë shqiptarë të konvertuar në islam, ndër ato vitet e okupacionit, ata ishin turq ose me kombësi të tjera jo shqiptare. Instalime myslimanësh me prejardhje të huaj kanë vazhduar të vërtetohen deri në kohët e fundit të pushtimit osman në Shkodër. Krahas myslimanëve erdhen edhe kristianë.
1. Raxhimet
I pari i këtij fisi që erdhi në Shkodër është Haxhi Hafis Ahmet Misria me origjinë nga Egjipti. Fillisht ka shërbyer në Xhaminë e Plumbit, mbasi e lanë sytë. Veziri e caktoi si hoxhë të haremit të pallatit të tij.
2. Djepaxhiejt
I pari i kësaj familjeje ka ardhur mbas invazionit osman, prej qytetit Konja të Anadollit.
3. Berdicejt
“Berdica”, ka shkodranë myslimanë dhe katolikë, por Berdicejt janë me origjinë të huaj. Të ardhur prej Anadollit të cilët të parën herë kanë zënë vend në Berdicë.
4. Durgutejt
Janë një brezni e vjetër, por simbas të dhënave të plakut Hafiz Musa Durguti, të parët e tyre janë me prejardhje turke nga Vilajeti i Ajdinit në Anadoll.
5. Cukejt
Simbas të dhënave të familjarëve të tyre, Cukejt janë të ardhur prej Turqie.
6. Cakejt
Nga të dhënat e pjestarëve të kësaj familjeje, të parët e tyre, janë me origjinë turke, Canak – Kalaja (Dardanele).
7. Kashejt
Janë familje ulqinake e emigruar në Shkodër që në invazionin e Ulqinit nga malazezët në vitin 1880. Të dhënat familjare të tyre tregojnë se Kashejt janë me origjinë spanjolle, prej Andaluzjes.
8. Sheh Muhamet Magribi
Ka qenë me origjinë nga Maroku, i ardhur këtu në vitin 1826, Sheh Muhameti ka shërbyer si imam i Xhamisë së Karahasejve, aty pranë ka pasur edhe shtëpine e tij.
9. Dilaveret
Dilaverët pretendojnë se janë me prejardhje turke. Të parët e tyre kanë ardhur këtu si graduate – ushtarake dhe kanë zënë vend në lagjen Durgut.
10. Bilanet
Familja e Bilanëve që nga shekulli 19 – të banojnë në lagjen Bahcallek. Ata janë me origjinë turke prej një krahine të vogël të Anadollit.
11. Kalajejt
Në Shkodër egzistojnë dy – tre fise me emrin Kalaja. Këtu e kemi fjalën për familjen e të quajturit Lan Kalaja. Duke u mbështetur në të dhënat e të birit të tij, Daut Kalaja, këta kanë qenë oficerë jenicerësh e që në kohë të para të invazionit osman kanë banuar në kështjellin Rozafat.
12. Abdurrahmanet
Kjo familje nuk ka një brezni të gjatë të shqiptarizuar, sepse Abdurrahman efendia me origjinë egjyptiane, ka qenë oficer turk, dhe është martuar këtu me një shkodrane.
13. Ruset
Nën këtë llagap në Shkodër egzistojnë dy familje me brezni të ndryshme. Ajo për të cilën po bëjmë fjalë këtu është ajo e Beqir efendi Rusit me origjinë turke.
14. Kalacet
Supozohet se mos prejardhja e kësaj familjeje është me origjinë veneciane, derisa një nga pjestarët e kësaj familjeje përmendet në historinë e Barletit (Bishtqemit). Ata kanë banuar që në kohë të vjetra në lagjen Perash.
15. Familja Shehi
Me llagapin “Shehi” ka edhe të tjera familje në Shkodër, por në fjalën e kemi për Shehleret e Kirasit. Nga tradita familjare e kësaj shtëpie, të parët e kësaj familjeje janë me origjinë arabe: ata egzistojnë në Shkodër, që në vitin 1717.
16. Familjaret e quajtur “Të Nelit të Molla Dautit”
Banues në lagjen Ndocej, janë me origjinë egjyptiane, të ardhur këtu në gjysmën e shekullit 19 – të.
17. Dizdaret
Në Shkodër ekzistojnë dy palë familje me origjinë të ndryshme nga njëra – tjetra. Një palë janë me origjinë shqiptare nga Ulqini të emigruar në Shkodër. Ne kemi fjalën për Dizdarët e shkodranizuar. Këta, simbas tregimit të të parëve të tyre, janë të ardhur nga Izniku i Burses (Bursa) e Anadollit.
18. Fisi i Sheh Qazim Hoxhës
Simbas të dhënave popullore të parët kanë ardhur këtu nga gjysma e shekullit të kaluar me detyra ushtarake. Janë me origjinë turke nga qyteti i Kastamonit të Anadollit.
19. Familja Axhemi
Kjo familje deri në pasardhësit e sotëm nuk kalon më shumë se tre breza e shqiptarizuar. I pari i tyre erdhi në Shkodër nga fillimi i këtij qindvjetori, ose mbarimi i të kaluarit. Janë me prejardhje nga Trabzuni i Azisë së Vogël.
20. Familja Boksej
Në mbështetje të të dhënave të familjarëve të Boksejve, kryesisht nga pleqtë e tyre, ata janë një fis i ardhur nga Anadolli, që në fillimet e invazionit osman, sidomos, mbasi është pushtuar Kalaja e Drishtit prej turqve.
21. Familja Muhamet Shehi
Të ardhur nga Azia e Vogël, janë vendosur në lagjen Bahcallek, të instaluar më parë në një fshat të Anës së Malit, si hoxhallarë.
22. Jenishehri
Vëllezërit Jenishehri janë pasardhësit e të parit të kësaj familjeje, me origjinë anadollake; siç kuptohet prej llagapit janë të ardhur nga qyteti i Jenisheher i vilajetit Hudaveqindar të sanxhakut Ortugrall.
23. Husejt
Simbas të dhënave të familjarëve të saj, familja në fjalë është me prejardhje nga Izmiri i Anadollit.
24. Zezakët e Shqiptarizuar
Zezakët e Shkodrës përgjithësisht janë me origjinë nga Sudani egjyptian. Janë sjellur që me kohë si skllevër nga tragetet, sidomos nga ulqinakët, që kanë bërë rrugë detare nëpër skelat afrikane. Të blerë ndër tregjet e Algjerisë, Tunizisë Sirisë etj.
25. Xhemil Tulejmani
Është kryetar i një familjeje me origjinë arabe, prej Sirie, nga qyteti Humus, i adhut këtu që me 1931. Xhemili edhe gruan e ka nga qyteti i tij. Ka ardhur këtu me profesionin e peshqirpunuesit pranë punishtes pronarit Muhamet Dibra.
26. Familja Mexhidi
Në Shkodër kemi edhe familje me prejardhje nga Dagistani, se pse ka ardhur i pari i tyre në Shkodër nuk dihet. Pasardhësit banojnë në lagjen Dudas të qytetit.
27. Behrejt
Ndër familjet myslimane shkodrane me origjine jo shqiptare bëjnë pjesë edhe Behrejt ose Behri. Nga të dhënat e pleqve del se kjo familje është instaluar në Shkodër në fillim të pushtimit osman.
28. Familja e Allajbegvet
I pari i kësaj familjeje quhej Izet Begu, me gradën kolonel. Ishte me origjinë turke, komandant i xhandarmarisë. Izet Begu u martua me një shkodrane nga fisi i Koplikejve.
29. Hadrejt
Janë një nga familjet e vjetra të Shkodrës. Banonin në lagjen Rus i Vogël. Prejardhja e kësaj familjeje dhe llagapi i saj mbeten deri tani të identifikuar. Në periudhën e Mustafa Pashës patën marrë famë për ngjarjen e vrasjes së Myftisë.
30. Sala – Isufet
Kanë qënë një vëllazëri me origjinë greke. I pari i tyre ka qenë një djalë grek i zënë rob në një përpjekje shqiptaro – greke në shekullin e kaluar, prej Haxhi Lohjes, i cili mbasi e solli në shtëpi djaloshin grek e bindi të kthehej mysliman dhe ia ngjiti emrin Jusuf.
31. Johanexhjanet
Kjo familje me origjinë armene ka atdhur në Shkodër në kohën e regjimit të A. Zogut. e përbërë prej dy burrave me gratë dhe fëmijët e tyre Kryetari i kësaj familjeje ishte quajtur Migirdic Johanexhjan. E dëbuar prej turqie nga Mustafa Qemal Ataturku.
32. Perikli Muzali
Është familje e ardhur dhe me origjinë armene. Ka ardhur këtu në Shkodër rreth vitit 1860 me profesion farmacist.
33. Kacaroset
I pari i kësaj familjeje është me origjinë greke. Në vitin 1894 Gjorgji Kacarosi përmendet në salnamet turke të vilajetit të Shkodrës, si nëpunës i depos së monopolit të duhanit (rexhise) këtu në Shkodër.
34. Shtjefën Ingrizi
Më kombësi austriake, me prejardhje nga Vjena. Ka ardhur në Shkodër rreth gjysmës së shek XIX. Shtjefen Ingrizi ishte i arratisur nga vendi i tij për të mos kryer shërbimin ushtarak duke u strehuar në Shkodër.
35. Shkanneti (Scanietti)
I pari i kësaj familjeje, Rafaele Shkanjeti erdhi në Shkodër nga çereku i fundit i shek 19 – të. Ai ishte me origjinë italiane, prej Ankone.
36. Familja Ronkali
Me origjine greke, me profesion rrobaqepësi.
37. Familja Tedeskini
Nga famlja Tedeskini, simbas të dhënave të avokat Emil Tedeskinit, i pari që ka ardhur në Shkodër rreth vitit 1760 që Emidio Tedeskini, doktor në medicinë nga Vasto e Italisë.
38. Benuset
Më i pari i kësaj familjeje që erdhi në Shkodër ishte Gjergj Benusi, prej Rovinjos së Italisë, që në vitin 1825. Ka shërbyer si oficer artilerie pranë Mustafa Pashë Bushatliut.
39. Kullollejt
Përsa i përket prejardhjes së Kullollajvet. pasardhësit e tyre thonë se janë të ardhur prej Azerbajxhanit të Kaukazisë me shërbime ushtarake dhe mandej kanë zënë vend këtu në Shkodër, sikurse edhe shumë familje të tjera shkodrane me origjinë të huaj.
40. Emigrantët Podgoricanë
Janë dyndur në Shkodër në 4 periudha:
I – Gjatë sundimit të Bushatlinjve
II- Mbas Kongresit të Berlinit
III- Gjatë luftës së I Botërore
IV- Gjatë luftës së II Botërore
Ndër familjet e para të instaluara që në kohën e vezirëve Bushatlinj është breznia Alivodiqëve, etj.
Nga: Hamdi Bushati
(shkodra dhe motet), botim i vitit 1999.
MEDIA INDEPENDENT