“Enveri e shiti Kosovën për dy grosh qejf të Titos”- Çfarë biseduan ish-diktatori me Titon në Beograd! Si e kundërshtoi Enveri porosinë e Hrushovit për rehabilitimin e ish-ministrit!
Nesti Kërenxhi, një nga krijuesit dhe drejtuesit e parë të Sigurimit të Shtetit, i dënuar dhe persekutuar nga Enver Hoxha, vetëm pak vite para vdekjes, ka hedhur në dorëshkrim një histori të zgjeruar të komunizmit shqiptar deri në ditët e fundit të tij.
Ka qënë viti 1992, ku ishanëtari i Byrosë Politike, përveç “radioskopisë” së regjimit ku dhe vet ka qënë një nga protagonistët e tij, analizon dhe rrethanat e ndryshimet që ndodhën në fund të viteve ’80 në vendin tonë dhe Evropën Lindore. Interesante janë përsiatjet e tij për figurën e Enver Hoxhës, të cilën e “zbardh” në një këndvështrim të ri, duke u ndalur gjatë nga mbresat dhe kujtimet personale nga takimet me shefin e Partisë Komuniste.
Dëshmitarë i dorës së parë në mjaft nga veprimtaritë kryesore të Partisë sidomos në kohënt e luftës dhe në periudhën e viteve të para pas saj, ai tregon të pathënat e ngjarjeve kulmore që kanë shënjuar jetën e Shqipërisë në atë periudhë. Dorshkrimet e Kernxhit janë sistemuar nga e shoqja Naxhie Dume, një figurë historike kjo e Partisë komuniste shqiptare dhe njëherazi me albumin e fotografive janë publikuar menjëherë pas vdekjes sipas amanetit të tij.
Siç duket nga dokumenti, shënimet reflektive të Kerenxhit, ish-pjesëtar i lartë i kupolës komuniste shqiptare, fillojnë me një përsiatje interesante rreth fillimit të ndryshimeve politike në Shqipëri në fillimin e viteve ’90. “Europa Lindore buçiste dikur “Proletarë të të gjitha vendeve bashkohu!”, shkruan ai, ndërsa tani, kur ka rënë Muri i Berlinit, kjo shprehje e famshme ka marrë trajtën “Proletarë të të gjitha vendeve na falni!”. Është një ndjesë kjo që duhet ta bëjmë më së pari ne shqiptarët, shpjegon Kerenxhi, duke thirrir “Shqiptarë kudo ku jeni, na falni!”.
Në kujtimet nga vite e luftës, ish-lideri i persekutuar, ndalon me qasjen e tij në detaje e ndodhi të njohura pak, apo të shtrembëruara nga propaganda komuniste. Gazeta sjellë në vijim një pjesë nga dorëshkrimet e tij…
DOKUMENTI
Letra sekrete e një vendi perëndimor, që Enveri ua dorëzoi sovjetikëve. Në atë kohë pra, në vitin 1948, Sigurimi i Shtetit Shqiptar, me anën e një njeriu tonë tepër të besuar, shtiu në dorë një letër, një dokument shumë të rëndësishëm që Ministria e Punëve të Jashtme e një shteti Perëndimor, ia dërgonte legatës së vet në kryeqytetin bullgar në Sofje.
Në atë letër sekrete, kërkohej që të hetohej intensivisht, nëse edhe në Bullgari po punohej e po hetohej për zbulimin e lidhjeve agjenturore të ministrit të Punëve të Brendshme të Bullgarisë, me Jugosllavinë, duke vënë në dukje se një aktivitet i tillë, tashmë po ndodhte me ministrin e Punëve të Brendshëm të Hungarisë, i cili ishte vënë në përpunim. Kopjen e kësaj letre, ia dorëzova menjëherë Enver Hoxhës.
Të nesërmen, këshilltari sovjetik në Ministrinë tonë të Punëve të Brendshme, më kërkon urgjentisht një takim, pune si dhe një kopje të këtij dokumenti, madje ai ishte mbushur gjithë zemërim e pakënaqësi ndaj nesh, sepse këtë njoftim kaq të rëndësishëm e kish marrë e para,nëpërmjet rrugëve agjenturore, Ministria e jonë e Punëve të Brendshme dhe menjëherë Enver Hoxha, i cili ia paraqiti të gatshme këtë të dhënë ministrit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë sovjetik në Tiranë.
D.m.th., po merrte njoftim për përmbajtjen e këtij dokumenti me vlera të mëdha e shumë të rëndësishme nga Shqipëria, më parë Ministria e Punëve të Jashtme sovjetike e më pas KGB-ja, ky organ fuqiplotë, i heshtur e impresionant me reputacion të padiskutueshëm botëror. Përfundimisht, si rezultat i gërmimeve intensive nëpër analet e fëlliqura të shërbimeve inteligjente të shumë vendeve të Botës e trillimeve të paskrupullta të KGB-ja sovjetike, Lazlo Raiku në Hungari e më parë se ai, Trajço Kostovi në Bullgari, Rudolf Slanski në Çekosllavaki, Koçi Xoxe në Shqipëri, u gjykua e u pushkatua i pari sipas radhës, në këtë proces trullosës si të ishte një reaksion zinxhir bërthamor, në të gjitha vendet e Evropës Lindore.
Sigurisht, pa gjë nuk do të kenë kaluar edhe vendet e tjerë të ashtuquajtura të Demokracive Popullore, si: Lukreciu Patrashkanu e të tjerë në Rumani, Berndt Shtainberger e të tjerë në Republikën Demokratike Gjermane e kështu me radhë. Vetëm Vladislav Gomulka, pati fatin të mbetet pa u eliminuar fizikisht, sepse më 5 mars 1953 “regjisori i madh”, i këtyre skenarëve makabër, (Stalini), më në fund vdiq në Moskë, në kryeqytetin e vendit të vet të madh…
Rehabilitimi i Koçi Xoxes, gjithashtu lidhet logjikisht e krejt natyrshëm me rehabilitimin e të gjithë personave të represuar në vendet e Evropës Lindore. Raiku, Kostovi e Slanski, Patrashkanu, Shtajnbergeri e të tjerë, u rehabilituan mbas analizave dhe rivlerësimeve të figurave që u bënë në këto vende, lidhur me direktivat e Kongresit të XX-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik e luftës kundër kultit të individit. Kurse Koçi Xoxe jo! Ai nuk u rehabilitua!
Natyrshëm, lind pyetja: Pse Koçi Xoxe nuk u rehabilitua?! Sepse në Shqipëri, diktatura e Enver Hoxhës nuk u përmbys kurrë. Në një farë mënyre, ideologjia e tij jeton ende edhe sot! Nëse normaliteti i zbatimit të ligjshmërisë do të ishte respektuar në Shqipëri pas eliminimet të “grupit të Koçi Xoxes”, çdo gjë do të ishte e justifikuar, por, meqenëse ai vazhdoi edhe më i amplifikuar se më parë, do të thotë se autori i reprezaljeve ishte po ai.
Ja, ky ishte përbindëshi Enver Hoxha! Me sa dihet mirëfilli, nga pëshpëritjet vesh më vesh nga tmerri i shtypjes diktatoriale dhe nga dokumentet zyrtare, presion jo i vogël është ushtruar edhe mbi udhëheqjen e Partisë së Punës të Shqipërisë, nga ana e udhëheqjes sovjetike, për rehabilitimin e Koçi Xoxes e shokëve të tjerë.
Veçse, i sigurt është fakti se Nikita Hrushovi, duke rehabilituar plotësisht personalitetin e Titos, punonte që ky rehabilitim të njihej, të legalizohej kudo, në çdo vend ku ai ishte goditur padrejtësisht si rrymë ideologjike e si praktikë shtetërore. Rehabilitimi i figurës së Titos, donte të thoshte: hedhja poshtë e gjitha akuzave që i ngarkoheshin, doemos midis tyre edhe akuzat që çuan në pushkatimin e ministrave të Punëve të Brendshme të vendeve të kampit socialist.
KUNDËRSHTIMI QË I BËRI KËRKESËS SË RUSËVE ENVER HOXHA
Enver Hoxha, për të mbrojtur veten dhe bashkëpunëtorët e tij, nuk mund t’i pranonte ato këshilla që jepte udhëheqja e lartë sovjetike, ashtu siç nuk pranoi dhe e kundërshtoi me forcë të përbindshme këtë lëvizje, duke shtuar në maksimum terrorin dhe represionin, shantazhin dhe mashtrimin brenda vendit dhe manovrat me ndërkombëtarët.
Kështu, është i kuptueshëm edhe qëndrimi i guximshëm i Tuk Jakovës, lidhur me rishikimin e historisë së Shqipërisë, PKSH-së dhe PPSH-së që u analizua në Plenumin e V-të të KQ të PPSH-së në vitin 1955, që e çoi të mrekullueshmin Tuk Jakova, në dënimin e padrejtë politik me 20 vjet burg, bashkë me guximtarin e pashembullt Bedri Spahiu. Sa e sa komunistë të tjerë të ndershëm e guximtarë, hodhën në Konferencën e Partisë të Tiranës në vitin 1956, mbi tavolinën e diskutimeve, problemin e rehabilitimit të Koçi Xoxes me shokë?
Po diskutime nuk pati, pas Konferencës pati vetëm arrestime. Po ashtu, i kuptueshëm është edhe qëndrimi brilant i Bedri Spahiut në gjyq, për këtë rehabilitim të domosdoshëm. Rehabilitimin e Koçi Xoxes, atëhere dhe tani e kërkon koha, sepse ai në fakt, është “Nyja Gordiane” e historisë të PKSH-së, PPSH-së dhe Shqipërisë për kaq vite të lodhshme. Politologjia, historiografia, sociologjia, diplomacia e të tjera fusha të ndryshme të jetës shqiptare, janë të lidhura drejtpërsëdrejti me zgjidhjen e drejtë të këtij problemi juridik të kancerizuar. Ai,lidhet me forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis vendeve fqinjë, rritjen e besimit midis tyre në bazën e koncepteve të reja.
Ashtu si edhe në vendet e tjera, çështja e rehabilitimit u bë problem që kërkonte zgjidhje edhe tek ne në Shqipëri, por në të kundërt, u hodh poshtë nën goditjet e pamëshirshme e të egra të proceseve të reja gjyqësore të regjimit të Enver Hoxhës, i cili për të mbajtur pushtetin e tij personal, nuk ndalte përpara asgjëje. Dua unë apo jo, duan apo nuk duan të zhgënjyerit, duan apo nuk duan demokratët, socialistët apo militantët e çdo rryme politike, duan apo jo enveristët, duan apo jo ekstremistët e djeshëm dhe të sotëm, probleme të tilla që nuk kanë mbetur pak, si peng i së kaluarës dhe i të sotmes, shpejt ose vonë, këto probleme do të analizohen e do të gjejmë zgjidhjen e saktë juridike, morale dhe qytetare medoemos. Historia do ta bëjë edhe këtë detyrë madhore të saj.
VIZITA E ENVER HOXHËS NË JUGOSLLAVI
Kam qenë anëtar i delegacionit qeveritar të kryesuar nga Enver Hoxha, me cilësinë e kryetarit të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë në Jugosllavi në vitin 1946. Po ashtu, si shumë të tjerë anëtarë të delegacionit, edhe unë kam qenë në delegacion sa për emër e numër, ashtu si edhe gjeneral-major Myslim Peza, kolonel Kristo Themelko, Manush Myftiu, Manol Konomi e shumë shoqërues të tjerë, si: gazetarë, specialistë të ndryshëm, ekonomistë, financierë, inxhinierë, personalitete të artit e të kulturës, historianë, pedagogë etj.
Gjithnjë më ka ardhur pështirë e më vjen krupë edhe sot kur e kujtoj, (më falni për fjalën jo gazetareske dhe pa etikë që po përdor, por s’kam ç’bëj, nuk gjej dot fjalë tjetër ekuivalente), kur më vijnë në kujtesë të ashtuquajturat tregime, ose më mirë të them mashtrime të Enver Hoxhës, mbi atë vizitë zyrtare të nivelit të lartë. Vizita qe e gjatë në kohë dhe me shtrirje territoriale të gjerë, deri në Kroaci, Slloveni, Serbi, Maqedoni, Beograd etj. Vetëm kohë për të vizituar Kosovën, Enver Hoxha nuk gjeti, sepse plani i detajuar i vizitës në Jugosllavi, ishte përgatitur muaj më parë në Tiranë e Beograd dhe nga servilizmi ndaj Titos se mos ai, mbetej qejfprishur për ndonjë send, nuk kërkoi për të shkuar të vizitonte bashkatdhetarët e vet.
Pra, e shiti Kosovën për dy grosh qejf të Titos! Po një delegacion të madh të kosovarëve, pse nuk kërkoi ta priste në Beograd a kudo? Po një telegram të madh përshëndetës pse nuk ua dërgoi “kryeprijësi” i shtetit amë, apo nga frika se mos transmetohej në radio apo botohej në gazetë? Ne, anëtarëve të delegacionit, doemos që na bëri përshtypje shumë të madhe mospërfillja e Kosovës dhe kosovarëve, po a varej gjë nga ne?! Vetëm pëshpërisnim. Përmasat e gënjeshtrës, mashtrimit e të qëllimit të mbrapshtë për t’i fshehur popullit tonë gjithçka mbi atë vizitë, janë të pakonceptueshme dhe ç´ka e bëjnë këtë tregimtar shumë qesharak në sytë e ndërkombëtarëve, e sidomos të fqinjëve, të cilët e ndiqnin ecurinë e vizitës me shumë interes.
Pritjet pompoze dhe lajkat ishin aq të mëdha, sa ne, anëtarëve të delegacionit, na bëri përshtypje të jashtëzakonshme, thua se po bënim ndonjë vizitë në perandorinë e Shahin Shahut të Persisë. Gjithsesi, ne ishim të prirur të prisnim rezultatet e vizitës “madhështore”. Kur, aty për aty, pa pritur e pa kujtuar, së bashku me Nako Spirun dhe Hysni Kapon, pa njoftimin apo konsultimin më të vogël e më formal me specialistët dhe anëtarët e tjerë të delegacionit, madje pa miratimin paraprak të Byrosë Politike e të Këshillit të Ministrave, Enver Hoxha, nënshkroi vetë të gjitha marrëveshjet, që nga marrëveshja më madhore politiko-juridike, ajo e bashkëpunimit dhe ndihmës reciproke, e deri te marrëveshja për bashkimin doganor, marrëveshja e paritetit skandaloz monetar, marrëveshja e shoqërive të përbashkëta etj.
Më thoni, ju lutem: ç’i mungonte tjetër këtij vasaliteti total politik e ekonomik? Asgjë! Kurse shpifjet, për të ashtuquajturën Republikë të 7-të të Federatës jugosllave, janë vetëm trillime të Enver Hoxhës, sepse arkitekti i vërtetë i këtyre federatave (sepse ishte parashikuar strukturimi i disa federatave të mëdha sllave) ishte dhe mbeti i madhi Stalin në Moskë. Por, realizimi i këtyre fantazive të shfrenuara, për ri kompozimin e kufijve të Evropës, pas gjithë atyre sakrificave kolosale aq të mëdha, që bëri bota antifashiste dhe derdhi oqean të tërë gjaku, nuk e lejonin kurrsesi dokumentet, që rregullonin ndërtimin e botës së pas Luftës së Dytë Botërore si: Karta e Atlantikut dhe Dokumentet e Konferencës së Jaltës, si dhe aktet e tjera finale të përfundimit të Luftës.
Pra, pas firmosjes të gjithë atyre akteve zyrtare në Beograd, personalisht nga Enver Hoxha, mungonte vetëm firmosja e akteve finale-formale, shpallja e datës së bashkimit “vëllazëror” të Shqipërisë me Federatën e sllavëve të jugut. Ky ishte mentaliteti oriental prej vasali i Enver Hoxhës. Por, shtetet, të vegjël apo të dobët qofshin, nuk mund të gëlltiten ashtu si i tha Stalini për Shqipërinë Milovan Gjilasit. Pra, këto janë gjurmët që e kanë “preokupuar” dhe tmerruar vazhdimisht, komandantin tonë bukurosh, Enver Hoxha dhe jo ujku, pra, jo marrëveshjet që kish gatuar e nënshkruar ai vetë me J.B. Titon qysh në vitin 1946, por kolltuku i kreut të vendit.
Nëse do t’i kishte bërë tjetërkush këto aktmarrëveshje, ai do ta kishte cilësuar, patjetër, jo vetëm agjent, por krye agjent, super agjent e një kosh plot me epitete të kësaj natyre, por me siguri, do ta priste edhe asgjësimi fizik, çka për Enver Hoxhën, tashmë ishte gjëja më pa rëndësi, gjëja më e rëndomtë. Ai, eliminimet fizike i mësoi qysh gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ustallarët e tij ballkanikë, i kishte mjeshtra të përsosur.
BISEDAT E ENVERIT ME TITON, PËR VETËVENDOSJEN E KOSOVËS
Është e turpshme që çështjen e vetëvendosjes së Kosovës, ajo ëndërr aq e përkëdhelur me një dashuri përvëlonjëse për të gjithë popullin shqiptar gjatë LANÇ në Shqipërinë mëmë e në Kosovë, e shtroi në bisedime i pari Titoja dhe jo Enver Hoxha. Kjo është e vërteta. Enver Hoxha, nuk guxonte të bënte një “gabim” të tillë përpara marshallit J.B. Tito.
Doemos, Enver Hoxha ishte i parapërgatitur me kohë për atë qëndrim që mbajti në Beograd lidhur me çështjen e të drejtës për vetëvendosje të Kosovës, që në kohën e marrëveshjes së Mukjes. Por, sidomos kur divizionet tona derdhnin gjakun në Kosovë, Mal të Zi, Sanxhak e në Bosnje, sipas urdhrit të tij si Komandant Suprem. Duhet thënë se për dërgimin e dy divizioneve tona, me moton e ndihmës internacionaliste, nuk ka ndonjë vendim të posaçëm të K.Q. të Partisë apo qeverisë, por vetëm një kërkesë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave të firmosur nga Tito.
Siç duket, për shokun Komandant, dërgimi i forcave të armatosura jashtë territoreve të shtetit, nuk ishte ndonjë çështje e rëndësishme për ta shtruar në Byronë Politike të PKSH-së ose në qeverinë e Republikës Popullore Demokratike Shqiptare. Në këtë fushë, historisë bashkëkohore të kombit shqiptar, i del një punë e madhe për sqarimin e qëndrimit të Enver Hoxhës, duke u mbështetur veç të tjerash edhe në materiale e fakte zyrtare të vlefshme e të pavlefshme, që na ka lënë ai vetë në “veprat” e tij të ndritura, letra sekrete e një vendi Perëndimor, që kundërzbulimi shqiptar, shtiu në dorë në Sofje përpara KGB-së dhe si Enver Hoxha, ia dorëzoi ministrit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë sovjetik në Tiranë.
(VIJON NGA NUMRI I KALUAR)