Enver Hoxha përdori gjakun e 27 bebeve për t’u kuruar! Studiuesi zbardh rrëfimin e nënave
Visar Zhiti rrëfen revoltën e Qafë Barit dhe torturar. Oficeri që theu në mes një të burgosur sot i lirë dhe biznesmen
Në emisionin “Rrno për me tregue” të gazetarit Nebil Çika në “Shijak TV” ishte ftuar Visar Zhiti. Ai është një nga të dënuarit politik të sistemit diktatorial të Shqipërisë. Gjithashtu, është një nga anëtarët e revoltës së burgut të Qafës së Barit. Revoltë e cila pasoi atë të burgut famë keq të Spaçit. Për të kuptuar më shumë detaje rreth kësaj ngjarjeje ai do t’u përgjigjet disa pyetjeve që gazetari Nebil Çika ka përgatitur për të.
Revolta e Qaf Barit
Z.Zhiti revolta e kryer në burgun Qafës së Barit ka një përputhje me datën që ka ndodhur edhe një revoltë tjetër në një burg tjetër komunist, atë të Spaçit. Në një dokument që unë kam gjetur të Ministrinë së Brendshme hidhet dyshimi që ju nëpërmjet revoltës suaj po përkujtonit revoltën e Spaçit. A ka patur një përgatitje që revolta që ju kryet në Qafë Bar të kishte lidhje date me atë të Spaçit?
Visar Zhiti –Kjo është një enigmë. Po aq sa duket si rastësi, aq edhe nuk është edhe rastësi. Edhe policët që na hidheshin për të na goditur na thonë që ne donim të përsërisnim revoltën e kryer në Spaç.
Kishte të burgosur që kanë qenë të burgosur edhe në Spaç gjatë revoltës suaj ?
-Po kishte edhe të burgosur që kishin qenë në Spaç gjatë kohës së revoltës. Kishte të burgosur në që kanë marrë pjesë në të dy revoltat. Ata ndjenin një ndjenjë të dyzuar. Kishin edhe frikë pasi kishin përjetuar mjaft tortura, por kishin edhe guxim për të treguar forcën. I burgosuri nuk ka as një gjë dhe u ngrit kundër shtetit komunist që i kishte të gjitha.
Si nisi revolta? Si ishte atmosfera ?
-Revolta nisi nga të gjitha rrethanat. Së pari puna që bënim ne ishte tepër e rëndë. Ne punonim në minierë me tre turne. Herë uji hynte në rroba, pikonte edhe nga tavanet e minierës. Uji ishte me acid që të diqte lëkurën. Herë binin edhe shkëmbinjtë nga sipër. Ajo ishte një minierë që nuk mund të punohej nga forca e njeriut. Në burg ishin edhe njerëz që kishin qenë inxhinierë me sovjetikët dhe ata na kanë thënë që Qafa e Barit nuk mund të punohej nga forca e njeriut. Pasi në të kishte temperatura të ulëta, ujë të acidituar. Pra ajo minierë nuk duhej shfrytëzuar me njerëz, por me makineri. Edhe shteti komunist i kohës nuk po e shfrytëzonte me njerëz, por me të burgosur pasi sipas tyre ne nuk ishim njerëz. Kjo gjë ishte reciproke sepse as ne nuk i quanim njerëz ata. Përpara se të na fusnin nëpër galeri, oficerët e burgut na bënin kontrolle. Por jo kontrolle siç bëhen në aeroporte. Në mes të dëborës ata na zhvishnin për të na bërë kontroll. Na hiqnin opingat, pasi këpucët ishin shenjë qytetarie dhe nuk duhet të kishim as një lidhje me qytetarinë. Njerëzve i binin të fikët nga të ftohtit. Në një rast njërit i ranë të fikët dhe policët mendonin se mos ishte një mashtrim dhe e dogjën me cigare për ta vërtetuar. Një pjesë tjetër e torturës ishte edhe leximi i librave të Enver Hoxhës. Pra çdo ditë ishte një torturë për ne dhe ne ishim të gatshëm për të shpërthyer. 22 maji nuk kishte ndonjë gjë e veçantë nga të tjerat. Komunistët kishin një parim makabër. Ata donin që të plotësohej norma e punës ose në të kundërt të nxirrnin shpirtin. Kishte raste që norma e punës nuk plotësohej nga shembjet e shkëmbinjve dhe për pasojë shumë të burgosur nuk mund të plotësonin normën e punës. Ata na rikthenin përsëri në minierë për të plotësonim normën. Më 22 maj komandanti i rojës pyeti se kush nuk e kishte plotësuar normën dhe roja u përgjigj që Ndue Pisha me Ndue Prognin nuk e kishin plotësuar normën. Në atë moment komandanti dha urdhrin që ata të ktheheshin përsëri në minierë. Një nga të burgosurit, Sokol Sokoli, i tha komandanti se ata nuk kishin arsye se përse të ktheheshin në galeri, pasi nuk ishte faji i tyre që ata nuk e kishin plotësuar normën. Edhe dy të burgosurit që nuk kishin plotësuar normën të njëjtën gjë kërkuan. Komandanti iu përgjigj duke i thënë se duhet të shkonin ose në të kundërt do të fillonte dhuna. Dhe me të vërtetë në atë moment filloi dhuna. Të burgosurit nisën duke u përleshur me policët. U ngrit Sokol Sokoli, një djalë shumë i vuajtur, dhe i kërkoi që mos t’i preknin me dorë. Policët dhanë urdhër që të mblidheshim të gjithë duke na thënë se donim të bënim një revoltë. Shumë herë ia kam bërë vetes këtë pyetje se mos vallë edhe regjimi e donte vetë një revoltë të burgosurish.
Ju mendoni se regjimi komunist donte një revoltë ?
-Unë ju thash që ne ishim një barut gati për të shpërthyer. Dëshirë nuk kishim që ta humbnim jetën kot. Shumë shpesh ne flisnim me ushtarakë të burgosur dhe ata na jepnin mendime se si mund të mposhtej regjimi. Për Sandër Sokolin që ishte një ushtarak i specializuar në Kinë dhe komunistët e kishin futur në burg, flitej që kishte dëshirë për të formuar një parti. Dua të them se dëshirat dhe ëndrrat për përmbysje ishin. Donin të tjerë që ta konkretizonin këtë gjë. Mua më dukej e pamundur, se kjo mund të konkretizohej, por në biseda disa persona mendonin se mund të bëhej. Kur ishte periudha që do të bëhej revolta në burg, flitej nëse Enver Hoxha ishte gjallë apo jo. Ne i dinim shumë mirë kinezeritë që kryheshin në atë kohë, pasi në burg kishte nga të gjitha llojet e njerëzve dhe hamendësimet ishin nga më të çuditshme. Shumë veta mendonin që Enveri kishte vdekur dhe ne udhëhiqeshim nga një kufomë. Në atë kohë po përgatitej ardhja e Ramiz Alisë. Për atë thuhej se mos Ramizi ishte shumë liberal, por që nuk ishte e vërtetë. Ai ishte po aq gjakatar sa Enveri dhe më shumë dinak se ai. Kjo gjë i bënte përshtypje njerëzve pasi në të gjithë Europën Komuniste as një Ministër Arsimi, siç ka qenë Ramiz Alia, nuk e ka marrë pushtetin pas vdekjes së një diktatori. Të gjithë i trembeshim liberalizimit. Dhe duke parë këtë gjendje që ishim ne “Barut i Thatë” ata vepruan për t’i bërë më dije Ramiz Alisë që sistemi kishte mjaft kundërshtarë. Prandaj mendoj që edhe vetë ata e donin një revoltë. Madje pati edhe
thirrje politike në të.
Sa zgjati revolta juaj ? A mund të na e tregoni në mënyrë më të detajuar se si ndodhi shtypja e revoltës ?
-Te burgosurit i mbyllën në mensë. Policët thanë që të ktheheshin të burgosurit që nuk kishin plotësuar normën pasi duhet që ta bënin punën me doemos. Po të njëjtët persona që u ngritën në fillim, u kthyen kundër policëve duke i kërkuar atyre që t’i linin të qetë. Policët thirrën emrat e personave që nuk kishin plotësuar normën dhe i morën dhe i futën në birucë. Për ata që nuk e dinë, burgu brenda vetes ka edhe një burg tjetër që është biruca.
Çfarë kushtesh kishte biruca ?
-Dihet që kushtet janë më të rënda. Pakësohej ushqimi, hiqeshin veshjet që i burgosuri të kishte ftohtë. Dyshemeja ishte e akullt dhe aty i linin të burgosurit 20 ditë, aty policët i rrihnin të burgosurit. Prej këtyre gjërave të burgosurit kërkuan që policët mos t’i preknin me dorë personat që nuk kishin plotësuar normën. Ata i morën të burgosurit dhe i futën në birucë, ndërsa ne të tjerëve na nxorën në oborr. Kur ishim në oborr filluam të dëgjonim britmat e të burgosurve që ishin brenda në birucë. Kishte filluar rrahja e tyre nga ana e policëve. Në këtë moment të burgosurit shpërthyen derën dhe hynë brenda në mencë përsëri. Gjendja u qetësua përsëri nga policët. Ata filluan të thonin se ne ishim armiq, që duheshim që të riedukoheshim dhe se nuk na lejohej të bënim revolta. Kur u dëgjua një thirrje nga brendia e të burgosurve. “Kriminela” i tha një nga të burgosurit policëve dhe i hodhën një stol të mencës sipër policëve. Aty filloi edhe përleshja me policët. Që të gjithë ne i gjuanim me stola rojet. Policët që deri në atë ditë shiheshin si të pamposhtur e panë veten që edhe ata ishin të thyeshëm. Nuk ishin të fortë sa armët e tyre, pasi policëve nuk u lejohej që të futeshin brenda në burg me armë. Ëndrra e çdo të burgosuri ishte që policët të hynin me armë dhe t’ia rrëmbenim. Dolën jashtë të burgosurit dhe policët. Të burgosurit intensifikuan goditjet dhe i nxorrën jashtë kampit policët. Në përleshje ishte edhe një komisar nga fshatrat e Korçës. Njëri nga të burgosurit rrëmbeu kapelen e tij dhe iku. Në atë moment ai nuk dinte se çfarë të bënte dhe iku me vrap. Ai dha dhe shembullin tek policët e tjerë të cilët ia mbathën së bashku me të. Në atë moment u pa që kampi ishte pa policë. U krijua një gjendje shumë e çuditshme. Për atë moment unë ndjeva lirinë. Ne nuk dinim se çfarë të bënim. Në të tilla çaste dilnin njerëzit e mençur. Mbaj mend një nga të burgosurit Skënder Tufo i cili ishte vetëm një fëmijë që nuk kishte mbushur as 18 vjeç tha që të mbushnim ujë pasi mund të na linin pa ujë siç ndodhi edhe në Spaç. Filluan duke u marrë masa për të përballuar rrethimin. Tentuan të vinin policë dhe të burgosurit i sprapsën përsëri, madje i ndoqën deri tek dera e kampit. Ata u afruan aq shumë sa u dha urdhri që policët të gjuanin me armë mbi të burgosurit. Kosta Gjerdeni u godit nga plumb në shpatull. Një mjek që ishte brenda e mjekoi atë.
Si u shtyp revolta ?
-U shumëfishua rrethimi. Ndërmjet kullave të rrethimit ishin vendosur ushtarë. Në vendin ku kishte një roje, u vendosën gjashtë roje. Ata kërkuan që ne të dorëzoheshim dhe të dorëzonim organizatorët. Dhanë edhe një ultimatum për t’u dorëzuar ose në të kundërt do të qëllonin mbi të gjithë. Kishte nga ata të burgosur që thonin se ishin shkelur vetë ligjet e komunizmit. Ne nuk ishim dënuar me punë të detyruar por me heqje lirije. Madje ishte shkelur edhe një nga virtytet e socializmit pasi ne punonim dhe nuk paguheshim. Ishim vetëm skllevër në atë kamp përqendrimi. Komunistët nuk e pranonin dialogun. Ndryshe nga revolta e Spaçit ku komunistët pranuan të bisedonin me të burgosurit, këtu ata nuk pranuan. Në Qaf Bar erdhi helikopteri me zv.Ministrin, Zylyftar Ramizi, i cili bërtiste me megafon që ne të dorëzoheshim dhe hynë me qindra forca policie të armatosur brenda në kamp. Stampistët na ulën në mes të oborrit të burgut dhe midis nesh ecnin polic të cilët na shkelnin me këmbë. Ata lexonin emrat e personave që ishin filmuar nga jashtë. Emrat e personave që thirreshin i riarrestonin dhe gjëja më e keqe ishte se personat që merreshin, nuk dihej se ku përfundonin. Që në fillim stampistët fillonin t’i rrihnin të burgosurit me mënyrat më makabre. Këta njerëz që ecnin midis dy gardheve të policëve shpesh herë nuk i preknin këmbët në tokë. Nga të rrahurat të burgosurit vdisnin pa u dënuar me gjyq. Kur ishim në përkujtimoren e revoltës një bashkëvuajtësi im më tha një gjë rrëqethëse për torturat që i kishin bërë Sokol Sokolit. Siç ishte i lidhur me zinxhir, polici i vinte këmbën në fyt dhe e thoshte Sokolit “thuaj rroftë Enver Hoxha”. Ai nuk e pranonte dhe i kthehej duke i thënë “poshtë Enver Hoxha” në këtë moment ai e shtypte më shumë këmbën drejt fytit të tij. Ky u dënua me pushkatim. Ishin dy të dënuar me pushkatim, Sokol Sokloi dhe Tom Ndoja.
Burgu i Qaf Barit kishte policë që nuk kish ishin shumë të stërvitur për tortura. Pas revoltës ata u specializuan më shumë se sa policët e Spaçit. Shumë nga të burgosurit u torturuan. Një ish- oficer i burgosur u fut në arkivol i gjallë dhe i thanë që të firmoste se ishte organizuar një revoltë dhe ishin disa persona që e kishin udhëhequr atë, duke i ofruar faljen nga dënimi. Të gjithë këtë presion ai bënin kur ai ishte brenda në arkivol. Shqipëria në atë kohë kishte kontraktuar disa persona që të mësonin metodat e torturave ku kishin mësuar edhe metodën e “arkivolit”. Në të cilën brenda në arkivol linin një pemë bambuje e cila u rriste pesë centimetra në ditë duke e ç’puar së gjalli të torturuarin. Mbaj mend që më ka thënë Sandër Sokoli i cili kishte shkuar në Kinë për specializim dhe më pas u burgos. Kur ai kishte qenë në Kinë, specialistët atje ishin habitur nga shqiptarët duke i thënë se nuk kishin nevojë për specializim pasi ishin mjaft të përgatitur. Ata i kishin thënë se shqiptarët ishin më mizorë në tortura. Personi i futur brenda në arkivol nuk pranoi që të firmoste. U dënuan rreth 20 persona me rreth 200 vjet burg, ndërsa dy të tjerë me pushkatim i cili u bë më 9 qershor në orën 12 të natës.
Si e morët vesh për ekzekutimin e shokëve ?
-Mbas revoltës së Spaçit burgu ishte shumë makabër. Herë pas here kur zbulohej një grup dhe pushkatohej, neve na thërrisnin dhe na tregonin se kë kishin pushkatuar.
Në rastin tonë na mblodhi komisari i burgut dhe na tha që ishte pushkatuar Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja. Në pushkatimin e tyre nuk ka patur fare skuadër pushkatimi. Ata janë pushkatuar nga dy persona në një fushë afër Shkodrës. Sokol Sokolit i raportuan që Gjykata nuk i kishte falur dhe se do të pushkatoheshin. Sokoli i kishte kërkuar që të mos ta pushkatonin prapa krahëve dhe se do ta hapte vetë gropën e tij të varrit. Tom Ndojës i kanë shtuar 30 rreshta në akuzën e tij në mënyrën më cinike dhe ai përpara pushkatimit ka thënë “Rroftë Drejtësia”. Edhe pse ai e dinte që drejtësi nuk kishte, ai mendonte për drejtësinë e të ardhmes. Dua të theksoj se Tom Ndoja edhe Sokol Sokoli janë martirë të demokracisë, ndërsa me ligjin e sotëm trajtohen si terrorist dhe nuk marrin dëmshpërblimin e merituar. Duke hedhur poshtë të gjithë guximin e tyre për t’i dalë kundër komunizmit. As zoti nuk e dëmshpërblen atë që i ka ndodhur të burgosurve, askush nuk ia kthen jetën. Nëse ligji i konsideron si terrorist do të thotë se shoqëria jonë është ende e lirë.
Z.Zhiti që të dy martirët që ju përmendët kanë gradën ‘Nderi i Kombit” që është edhe grada me e lartë që mund t’i jepet një personi. Ju mendoni se nuk e marrin dëmshpërblimin familjarët e tyre për shkak të nenit të terrorizmit ?
-Po ngaqë është neni i terrorizmit në ligj. Këtë argument më kanë thënë edhe të tjerë. Por ajo që nuk kuptoj është se ligjet i bëjnë njerëzit dhe vet këta njerëz nuk e heqin dot këtë nen nga ligji për të përndjekurit politik? Jam i interesuar dhe mendoj se nuk ka as një pengesë.
Në një dokument që unë kamë parë thuhet se që të dy të burgosurve u janë hequr sytë. Është një ngjarje shumë makabre. Ju si i pranishëm në revoltë a e dini se në çfarë mënyrë i janë hequr sytë, kur ishin të gjallë apo të vdekur?
-Gjatë ekzekutimit të tyre është dhënë një urdhër ku thuhet që t’u hiqen sytë të dy pjesëmarrësve të revoltës dhe t’i çohen Ministrisë së Shëndetësisë. Ky është urdhri më idiot që mund të ketë dhënë qeveria komuniste. Ky ishte vendimi më idiot në Europën Komuniste që mund të jap të tilla urdhra pasi nuk kishte as shkencëtar dhe as mjekësi të përparuar që t’u duheshin sytë e dy martirëve. Apo ju deshën për të marrë ndonjë lëndë për të kuruar sytë e Enverit që ishin duke u verbuar. Këtë nuk e di por mund të jetë një mundësi.
Është diskutuar mundësia e trafikimit të organeve të njerëzve në atë kohë.
-Nuk besoj se ishim aq të aftë sa të mund të kryenim trafik organesh. S’di ç’të them. Unë mendoj se është një makabritet dhe se mund të ketë shërbyer në shërimin e syve të diktatorit. Unë di një fakt që ma treguar Lins Ngjela, ish i burgosur politik. Ai më ka thënë se në maternitetin e Tiranës janë bërë kurban 100 foshnje për t’i bërë transfuzion gjaku Enver Hoxhës pasi i bënte mirë për shëndetin. Ai më ka thënë se në një libër të tij ai ka shkruar një telegram ngushëllimi drejtorisë së maternitetit për vdekjen e bebeve në këtë maternitet dhe se ishte shumë i dëshpëruar nga lajmi. Unë e kam kontrolluar dhe me të vërtetë ekziston një telegram i tillë. Pra kjo diktaturë e çmendur mund të kishte edhe delire të tilla ku mund të bëhej shkencë. Këto gjëra duhet ti vërtetoj një mjek, një jurist pasi nuk janë deklarata të kota.
Visar në një dëshmi Bedri Blloshmit, vëllai i Vilson Blloshmit, thotë se drejtori i burgut bashkoi dy stola gjatë revoltës dhe ka thyer në mes Sandër Sokolin, një prej bashkëvuajtësve të tu dhe se sot drejtori është me strehim politik në Gjermani. Pyetja ime është nëse jeni përballur ndonjëherë me persekutorët gjatë këtyre viteve demokraci ?
-Është e vërtetë ajo që thotë Bedriu. Edmon Caja ishte komandanti i policisë. Për meritën e zhbërjes së revoltës së Qaf Barit u bë komandanti i kampit dhe më pas erdhi duke punuar në Ministrin e Brendshme në Tiranë. Pas viteve 1990 ai vërtet ka ikur në Gjermani dhe merret me tregti. Vjen herë pas herë këtu.
Këtu është kapur një njeri dhe është thyer në mes. Ky është një krim kundër njerëzimit pasi as robërve të luftës nuk mund tu bëhet kjo gjë dhe jo më kundërshtarit politik. A është trajtuar ndonjëherë ky rast si krim kundër njerëzimit pasi është një nga rastet e rralla të cilat kanë edhe autorin edhe viktimën?
-Ju e dini shumë mirë se për të persekutuarit bëhet diçka dhe kujtohen. Herë pas here bëhet edhe më shumë se diçka, ndërsa për persekutorët nuk bëhet as një gjë.
A jeni përballur ndonjëherë rastësisht me persekutorët tuaj, në punën tuaj ose në aktivitetin e përditshëm ?
-Unë di edhe pseudonimet e disa personave që më kanë akuzuar mua. Janë me pseudonime pasi në dosjen time hetuese nuk janë me emra. Ata punojnë si mësues tani. Unë i di se cilët janë këta persona. Këta të dy nuk i kam kërkuar, por më kanë ardhur lajmet për ata. Kamë parë gjykatësin tim, madje tani ende mund të jetë gjykatës. Edhe operativi që më ka arrestuar është ende sot oficer policie, mbase me gradë më të lartë. Mësuesët që më kanë denoncuar janë ende të tillë. Unë kam pasur raste që të përballem me ta. Ata nuk kanë shenja pendimi. I tremben mendimit të ballafaqimit, por përsëri nuk japin shpjegime përse e kanë bërë atë gjë ndaj meje. Unë jam dënuar për poezi dhe jo për trakte dhe gjëra të tjera. Konfliki nuk është aq fizik me mua, por është ideologjik.
Ju mendoni se nuk ka ndonjë pendesë nga persekutorët ?
-Jo nuk kanë ndonjë pendesë. Nuk kamë parë ndonjë persekutorë që të dali në shtyp dhe të tregojë pendesë për veprimet e kryera. Mbase ka dalë ndonjë që ka pranuar se ka qenë bashkëpunëtor me sigurimin e shtetit, por jo që të ket
ë kërkuar falje. Edhe persekutorët e mi duke filluar që nga mësuesit që më akuzuan dhe deri tek hetuesit nuk kanë kërkuar ndonjëherë falje për veprimet që kanë kryer karshi meje.
Visar në Shqipëri janë gjetur me mijëra eshtra të ushtarëve që kanë pushtuar vendin, si grekët, gjermanë, italianë, të shqiptarëve të rënë gjatë kësaj periudhe. Është një ngërç me eshtrat e 5 mijë personave të pushtakuar me gjyq dhe pa gjyq gjatë diktaturash. Si e shikoni këtë problem?
-Është diçka tepër e dhimbshme. Ata mund të gjenden. Janë dosjet që kanë të faktuar dokumentat se ku janë eshtrat. Edhe në qoftë se nuk janë dosjet të shkruara janë ato të gjalla. Ka shumë dëshmimtarë që kanë parë ose kryer ekzekutimet. Ata duhet të ndërgjegjësohen dhe të ndihmojnë komunitetin për të gjetur eshtrat e atyre martirëve të rënë gjatë diktaturës. Unë kam në familje persona të tillë. Xhaxhai im është pushkatuar në hetuesi dhe nuk është gjetur ende. Duhet bërë shumë në këtë drejtim. Së pari shteti shqiptar do të mbetet me një mëkat. Një shprehje thotë se që të gjitha fabrikat tona ranë pasi ato janë ngritur mbi kufomat e shqiptarëve. Jo vetëm fabrikat, por të gjitha veprat e komunizmit janë ngritur mbi kufomat e martirëve të Shqipërisë. Edhe aeroporti jonë që mban emrin e një personaliteti të shquar shqiptar “Nënë Terza” është ngritur nga puna e të burgosurve. Pse nuk është vendosur një pllakë ku të thuhet se kjo vepër është ngritur nga puna e të burgosurve politik të komunizmit. Këto duhen evidentuar. Në qoftë se ne nuk do të nderojmë vuajtjen njerëzore, sakrificat e tyre, punën e tyre, do të mbetemi me mëkate dhe do të shtiremi sikur jemi në demokraci.