Ekskluzive / Dosja e Tom Doshit, 57 raste pastrimi parash e fshehje pasurie me vlerë 23 milionë euro, transaksionet e dyshimta, dalin emrat e implikuar
Në maj të vitit 2015, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë kallëzoi penalisht Tom Doshin në Prokurorinë e Përgjithshme për pastrim parash brenda dhe jashtë vendit, fshehje pasurie, mashtrim me pasurinë, deklarime të rreme, kontrata fiktive pasurish dhe transferta bankare të dyshimta në vlerën 23 milionë euro.
Ishte një nga dosjet më të rënda që një institucion shtetëror shqiptar kishte referuar në prokurori për një personazh me lidhje të errëta dhe interesa të fuqishme si Tom Doshi, i shpallur në vitin 2018 non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit për korrupsion madhor.
Ishte një dosje aq e rëndë sa që nuk mund ta mbanin këmbët e brishta dhe kompromentuara të Prokurorisë së Përgjithshme, e cila në atë kohë drejtohej nga Adriatik Llalla, një personazh i shpalluar non grata nga SHBA si palë me korrupsionin e nivelit të lartë dhe më pas i dënuar me 2 vite burg për fshehje pasurie.
Dosja u mbyll me stil, marifet dhe manovra të sforcuara nga dy prokurorët Adnan Xholi dhe Kostaq Beluri, të cilët kanë mbyllur sytë para fakteve ulëritëse të pastrimit të parave nga Tom Doshi. Sipas dy prokurorëve, Tom Doshi nuk ka pastruar para! Mbyllja e dosjes dyshohet se është një aferë më vete korrupsioni.
Prapaskena publikon sot për herë të parë 57 episode pastrimi parash, fshehje pasurie, kontrata fiktive dhe transferta bankare të dyshimta nga Tom Doshi, të konstatuara nga ILDKP.
Bëhet fjalë për një aktivitet pastrimi parash deri në vitin 2015. Nga viti 2015 deri më sot, Tom Doshi dyshohet se ka pastruar dhjetëra milionë euro në ndërtim.
Doshi, i skeduar edhe nga inteligjenca australiane si kreu i një grupi të organizuar kriminal ndërkombëtar, pas kësaj dosje i ka hyrë ndërtimit dhe qëndron pas dhjetëra kullave në Tiranë.
Ka marrë edhe 50 tendera brenda ditës kur ishte deputet, në konflikt interesi, me anë të kompanisë Aldosch-Farma, të kaluar formalisht në emrin Aqif Hoxhës, përfitues i mbi 2 400 tenderave në shëndetësi.
Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të kujdesit Shëndetësor ekziston dhe punon për biznesin e Tom Doshit të ilaçeve skarci me ujë dhe gëlqere. Rreth 40 % e listës së ilaçeve të rimbursueshme prodhohen nga punishtja e Tom Doshit Profarma.
SPAK ka nisur një hetim për aktivitetin e Tom Doshit. Mbetet për t’u parë nëse SPAK do të ndjekë rrugën e parave si në dosjet e tjera, për t’i dhënë përgjigje pyetjes se cili është burimi i kësaj perandorie.
Vijon me detaje nga hetimi qesharak i dy prokurorëve për pasurinë e Tom Doshit dhe ekspertët e kontraktuar.