Edhe Idajeti i Partisë shpallet “non grata” nga SHBA; pasuri me burim trafik armësh, droge, pastrim parash e organizatë terroriste
Në maskën e lëvizjes “Fronti i Bashkuar Kombëtar Shqiptar” me qendër në Belgjikë, ai grumbulloi shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia; të gjithë eksponentë të botës së krimit dhe e shpalli si “Njësi të UÇK”, por që kryente veprimtari kriminale, të cilën EUROPOL, EUROJUST dhe FBI e shpallën “Organizatë terroriste” dhe i bastisën banesën ku i gjetën 2800 faqe fashikuj e në kompjuterë e u dënua 4 vite burg nga Drejtësia e Belgjikës…
Më 12 tetor 2023, një dokument zyrtar i siguruar nga “Pamfleti”, bënë me dije se SHBA ka përditësuar listën e personave të sanksionuar në të gjithë botën, mes tyre 29 shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia me status politikanë, avokatë, biznesmenë e anëtarë të UÇK, ku krahas emrit të ish-deputetit Aqif Rakipi, bie në sy emri i avokatit “rilindës” , Idajet Mane Beqiri.
Po përse e ka sanksionuar SHBA, avokatin Idajet Beqiri, ish-spiuni i sigurimit me pseudonimin “Ido Manekuta” dhe i burgosur në prill 1986 kur ishte Kryetar i Gjykatës së Krujës, për falsifikime vendimesh me mashtrime financiare në favor të familjarëve të dashnores pastruese te fabrika e çimentos në Fushë-Krujë?
Ja provat që ka vendimi amerikan “non grata” e sekuestro pasurie për për të:
Idajet Beqiri arrestua në Kosovë me 24 maj 2012, pas kërkimit ndërkombëtar nga Drejtësia e Belgjikës, si i dënuar 4 vite burg dhe i skeduar nga FBI e DEA, për mashtrime me viza perëndimore dhe ushtrim aktiviteti trafiku droge e kontrabande me disa “të fortë” nga Tepelena, Vlora, Mallakastra e Fieri.
Për t’i shpëtuar udhër-arrestit në Shqipëri, në tetor 1998 u arratis në Belgjikë, ku u paraqit me pasaportë false si komandant lufte i UÇK me gradë e emër “Kolonel Ilir Duraku”.
Atje filloi aktivitetin e trafikut të armëve dhe tregtinë e drogës me qendër në rajonin Namur të Belgjikës dhe me grupe në Zvicër e Holandë, kur krijoi organizatën e tij kriminale, si gjoja lëvizja: “Fronti i Bashkuar Kombëtar Shqiptar”.
Me logon e kësaj organizate, grumbulloi shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, të gjithë eksponentë të botës së krimit, mes tyre edhe dhëndrin e tij Argjent Mus Lita nga Dibra.
Veprimtaria e organizatës që drejtonte Idajet Beqiri, u cilësua “Organizatë terroriste” nga EUROPOL, EUROJUST, FBI e DEA Amerikane, dhe nëpërmjet një dosjeje me prova konkrete në 2800 faqe të gjetura fashikuj e në kompjutera, ai u dënua 4 vite burg nga drejtësia e Belgjikës.
Por arrestimi i tij nuk mund të realizohej, mbasi me një pasaportë tjetër false shqiptare me emër “Hidajet Riza Kuta”, mashtruesi Idajet Mane Beqiri, u arratis në Konstanzë të Gjermanisë.
Atje filloi të përdorte emrin tjetër kosovar fals “Nisret Man Ferizaj”, duke treguar një medalje nderi false me logo të NATO-s, 1 certifikatë, 5 dekorata të UÇK dhe 1 autorizim sikur ishte ngarkuar nga komanda qendrore e UÇK-së, për grumbullim donacionesh për luftën, por pas denoncimeve, gjurmimit e verifikimit u prangos.
Pas 6 muajve burg në Gjermani, në muajin maj 2004, Idajet Mane Beqiri i maskuar me emrin fals “Hidajet Riza Kuta”, u ekstradua “pako postale” me avion në Shqipëri.
Sepse më parë se Belgjika, Idajeti me 7 emra ishte shpallur në kërkim në shumë shtete, për krimet e mashtrimeve financiare, trafikut njerëzor nëpërmjet vizave për SHBA-BE dhe përfshirje në trafikun e drogës kur ishte kryetar i Partisë së Unitetit Kombëtar.
Pas përfundimit të burgut në Shqipëri i dënuar 3 vite në dy shkallët gjyqësore, më 3 qershor 2010 drejtësia belge e ri-dënoi Idajet Beqirin edhe me 4 vite burg, duke i kërkuar Drejtësisë Shqiptare ta ekstradonte, por ai u arratis në Kosovë, ku qëndroi afro 2 vite i fshehur me 3 emra fals.
Më 24 maj 2012, Idajeti u arrestua në Prizren për llogari të drejtësisë belge, por pas 40 ditësh burg, në vend të ekstradohej në Belgjikë u deportua në Shqipëri, ndërsa në Belgjikë, përveç heqjes së shtetësisë, ka akoma në fuqi dënimin 2 herë nga 4 vite burg.
Një ndër akuzat e dosjes belge, ishte për zhvatje vlerash të mëdha financiare në territorin e atij shteti, me mashtrim të shqiptarëve të Shqipërisë, Maqedonisë e Kosovës dhe të emigrantëve e diasporës në Holandë, Zvicër, Londër, SHBA, Kanada, e Australi, duke vepruar me emrat e rremë “Alban Vjosa”, “Ilir Tepelena”, “Kastriot Arbana” e “Abëror Gjakova” .
Nuk e dimë, nëse vilën dhe apartamenet që ka në Tiranë, pallatin 8 kate që ka te plazhi në Durrës dhe vilat në Vlorë e Sarandë, Idajeti Beqiri i ka ndërtuar me këto miliona që u ka zhvatur shqiptarëve, duke i mashtruar sikur i mblidhte dhe i çonte për financimin e UÇK-ës.
Por dimë faktin, që pas arrestimit, mashtrimet e tij i vazhdoi bashkëshortja Nexhmije Beqiri me emrin fals “Shqipe Bjeshka”, djali, vajza, dhëndri e pjestarë të organizatës së tij kriminale, duke mbledhur mijëra USD, Euro e Franga në emër të lëvizjes “Bashkimi i Shqipërisë së Madhe”./Pamfleti