E trishtë, ndahet nga jeta shkrimtari Ismail Kadare
Mëngjesin e sotëm, 1 Korrik 2024, është ndarë nga jeta shkrimtari Ismail Kadare. Kolosi i letrave shqipe mbylli sytë përgjithmonë këtë të hënë, mëson Albeu.com.
Gjeniu i letrave shqipe Ismail Kadare, u propozua për Çmimin Nobel.
Ismail Kadare lindi në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936. Kadare është akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë
Si shkrimtar shquhet kryesisht për prozë, por kontributi i tij shtrihet edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar.
Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.
Në vitin 1996, Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin «Man Booker International» më 2005, çmimin «Princ i Asturias» për Artet më 2009 dhe Çmimin «Jeruzalem» më 2015. Viteve të fundit ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.