DOSJA e SPAK: Si depozitoi nëna pensioniste e Monika Kryemadhit 846 mijë euro pa burim të ligjshëm
Në dosjen e SPAK të siguruar nga A2 CNN për ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, ndër të tjera përmendet edhe një shumë parash prej 846 mijë eurosh, e cila thuhet se burojnë nga veprimtari të paligjshme sikurse është dhe vepra penale e “Korrupsionit”.
Në dosje thuhet se Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit, ka marrë dy kredi bankare, të cilat janë shlyer cash më pas në vlerën totale prej 846,000 eurosh, por pa burim të ligjshëm të parave, shkruan A2 CNN.
“Në këto rrethana lidhja e kontratës me shtetasen Kozeta Fino nga Kryemadhit, marrja prej saj e kredisë bankare, si dhe financimi me këto të ardhura i një pjese të apartamentit të blerë nga Ilir Metaj e Monika Kryemadhi Nr. 3/64+1-9, ndërkohë që vetë Fatimja në këtë kohë ishte pensioniste, krijon dyshimin e arsyeshëm se është bërë me qëllim për të futur në sistemin bankar shuma monetare që burojnë nga veprimtari të paligjshme sikurse është dhe vepra penale e “Korrupsionit”.
Me qëllim për të mos përdorur për blerjen e apartamenteve këto shuma parash me origjinë korruptive, është përdorur si truk marrja fillimisht e dy kredive bankare, dhe më pas shlyerja e kredive nëpërmjet depozitimit Cash pa burim të ligjshëm nga Fatime Kryemadhit, me deklarimin e burimeve të paqena sikurse është rasti i shtetasit Gentjan Sula me qëllim shlyerjen e kredive, është arritur që të futen në sistemin bankar një shumë e pajustifikuar parash prej 846,000 Euro”, thuhet në dosjen e SPAK.