Dokumenti me alfabet shqip, 49 vjet para Kongresit të Manastirit
Zbulohet një dokument i shkruar me një alfabet të pastër shqip, 49 vjet para se të mbahej Kongresi i Manastirit. Ky kongres, që u mbajt më 14 nëntor deri më 22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, njihet zyrtarisht si kongresi i unifikimit të një alfabeti të gjuhës shqipe, por jo pak herë ata që e kujtojnë këtë ngjarje historike krijojnë një keqkuptim të madh. Më së shumti, mendohet se gjuha shqipe për 500 vjet të sundimit osman nuk është shkruar, por në të vërtetë dokument pas dokumenti shfaqet shqipja e shkruar, ku konfirmohet edhe e përkthyer në italisht, apo në gjuhë të tjera edhe disa dekada para Kongresit të Manastirit.
Alfabetet bazë të shqipes të përdorura para Kongresit të Manastirit dhe të ruajtura kryesisht në arkivat e huaja kanë pasur shumë pak ndryshime nga alfabeti i unifikuar në shekullin XX. Dhe, dokumente e shqipes tregojnë se pavarësisht disa ndryshimeve shënjimi i tingullit ka mbetur pothuajse i njëjtë. Gjithashtu dihet se unifikimi i alfabeteve ka ndodhur në bashkëkohësi me çdo gjuhë të botës, po asnjë vend nuk mohon se gjuha e tij nuk ka qenë e pashkruar dhe nuk lejon as të tjerët t’ia thonë këtë.
Dokumenti më i fundit në gjuhën shqipe, i zbuluar nga Mark Palnikaj, vërteton se ka një alfabet të ngjashëm me të sotmin. Kërkuesin e arkivave dhe studiuesin e shqetësojnë opinionet që mohojnë kulturën e shkrimit shqip dhe ai çdo herë do të sjellë nga një dokument që provon se ka pasur shkolla dhe shkrime shqipe si çdo alfabet i gjuhëve të tjera të botës.
Palnikaj rrëfen për një dokument të shkruar në dy gjuhë, në shqip dhe në italisht të mbijetuar nga kisha e Nikajt që ishte në varësi të dioqezës së Shoshit.
“Kjo kishë kishte një bibliotekë të pasur dhe ky dokument ka shpëtuar nga dy katastrofa që i kanë ndodhur”, shprehet Palnikaj, duke kujtuar “djegien e kishës së Nikjat në vitin 1868 dhe shkatërrimin e vitit 1967 kur diktatura komuniste nisi luftën ndaj fesë. “Ky dokument tregon se Shashi që kishte në varësi Kishën e Nikajt nuk ishte një dioqezë e humbur, por kishte bibliotekë dhe kishte dioqezën dhe famullitë ku shkruhej shqip. Ky dokument që unë po ju rrëfej tregon se në vitin 1859 shkruhej shqip, që është 49 vjet para Kongresit të Manastirit”.
Pas gjetjes së këtij dokumenti, Palnikaj ka konfirmuar në APF (Arkivi i Propagandës Fide), edhe pasurinë që kishte Kisha e Shoshit. Kjo tregon se atje ruhen të tjera dokumente të shkruar me alfabetin e shqipes. Sipas Palnikaj “Fondi SC Albania, Vll. 5, faqe 178 sh (recto vetos para prapa), zbulohet inventari i librarisë në kishën e Shoshit i vitit 8 gusht 1864, kur Fra Dario Buçiarelli ia dorëzon Fra Pal Berishës. Ky dokument tregon se janë 50 tituj librash me 94 libra.”
Dokumenti i Kishës së Nikajt i shkruar më 8 maj 1859, siç shihet në datën në mes dhe në rreshtin e fundit ka këto shënime në shqip: .
“Me ba pojaten në kryet’ares (mendohet të jetë me ba ujitjen) = me mbjel tokën t’tan kollomoq = me da kollomoqin me kosciq = 2 kosha Pietrushin e nje kishes = mos me prek n’kastagnet as n’Ciarisht as pak në kopësht.
Kastagneti asht i Kisces. Pietrusci ka me ruit meremetis e me scund s’ka asht nja e perpiet e me dâ kestaiat permiet ( a meta) me kiscen.
Ç’ashtu me dorzan te kisces”. Aty shkruhet italisht: “Testimoni furano Bash Bairami alfiere di Nikaj, Asa Pera di Merturi, Arif Delija il servo. Pietrush Delia ed io Fra Antonio. Në shqip: (Dëshmitar janë Bash Bajrami Bajraktar i Nikajve, Hasan Pera nga Mërturi, Arif Delija rrogtar dhe un Frat Antoni)
Studiuesi dhe mbledhësi i pasionuar i arkivave shprehet se “Dokumenti është sigurisht është një zbulim, dhe nuk është i vetmi, por për mua dhe ata që merren me studimin e shqipes është një konfirmim më i plotë përkundër keqinformimeve se shqipja na qenka shkruar vetëm 110 vjet më parë, pas shpalljes së alfabetit të njësuar nga Kongresi i Manastirit. Shqipja është shkruar rregullisht më herët dhe shembujt janë të shumtë, por nuk është rasti t’i përmendin këtu”.
Mark Palnikaj kohë më parë ka zbuluar edhe një dokument të vitit 1881, në Arkivin e Françeskanëve, që ishte një vendim i shkruar në një ditar të titulluar “Memorie Varie”. Dokumenti datonte 27 vjet përpara sesa të shpallej alfabeti i njësuar i Manastirit. Gjithashtu, pak kohë më parë, studiuesja Ledi Shamku ka zbuluar në kishën e Shena Premtes shqipen e shkruar në një gur varri. “Gur varri në Kishën e Balldrêmit, gdhendur shqip 35 vjet para Kongresit të Manastirit. /Shqiptarja/