Dëshmia e rrallë e ish-policit, që u mbajt 20 orë peng nga Xhevdet Mustafa
Nga Ferdinand Dervishi
Deri në ditën kur në Divjakë zbarkoi grupi i Xhevdet Mustafës, polici i plazhit, Sokrat Biti, kishte kaluar një jetë të qetë. Madje të këndshme, krahasuar me atë të bashkëmoshatarëve të tjerë, të cilëve u binte bretku arave të kooperativës bujqësore. I ati, një peshkatar i vjetër, ia kishte dalë mbanë, për shkak të profesionit, të kishte miq të fortë, madje kreun e listës, e zinte dora vetë, Kadri Hazbiu, njeri i besuar i pushtetit dhe ministër me potencë në atë kohë. Për këto arsye, e kishte pasur të lehtë të futej në radhët e policisë, edhe pse pa arsimin e lartë përkatës. Kështu që, për Sokrat Bitin 25-vjeçar, edhe dita e zezë e 25 shtatorit të vitit 1982, kishte nisur me pamje të mbarë, si gjithë të tjerat. Xhiro në det me skaf për të survejuar plazhistët, tamam në rolin e një baywatch-i dhe më tej në dispozicion të zv/shefit të Policisë së Lushnjës, Remzi Brixhit, të cilit i ishte futur keqas krimbi i peshkimit.
“Atë ditë në barkë, ishim katër vetë. Nga të cilët Xhevdet Mustafa vrau tre. Shkruajnë qorrazi nëpër gazeta, kur thonë se në plazh, në Divjakë, janë vrarë vetëm dy policë”, nis rrëfimin, krejt i preokupuar për çdo fjalë e frazë që artikulon, Sokrat Biti. Tashmë pronar i një lokali të mbarë në mes të Divjakës, Sokrati rrezaton sërish, pamjen e një njeriu me fat. Por përgjatë qetësisë së mënyrës së rrëfimit, lexohen edhe pasojat e një jete krejt të vështirë, të ndryshuar, madje të përmbysur me rrapëllimë, menjëherë pas kësaj ngjarjeje të pazakontë, që e përfshiu në vorbullën e vet, me shumë gjak të derdhur.
Pasi pak kohë pas saj, krejt papritur, strukturat e drejtësisë së atëhershme, e akuzuan për “shpërdorim të detyrës” dhe më tej e arrestuan e, dënuan me 8 vjet heqje lirie. Një situatë e vështirë dhe e frikshme, ku nuk mundën të futeshin e të ndërhynin as miqtë e fuqishëm të familjes. “Më akuzonin se unë nuk e kisha bërë mirë detyrën ndaj Atdheut, pasi nuk i isha hedhur në fyt Xhevdet Mustafës, që ta vrisja bashkë me të tjerët. Ndërsa unë, në momentin kur Xhevdeti na korri me automatik, isha vetëm me brekë plazhi…”, shqipton Sokrati, gjithmonë shumë serioz.
Masakra në plazh
formateve të ndryshëm, që për ne shqiptarët nëse i gjenim, përbënin pasuri të madhe. Zbritën nga barka dhe u nisën në jug, gjithmonë pa u larguar nga bregu. Më thanë edhe mua të shkoja me ta, por të ecja përgjatë bregut nuk më pëlqente, kështu që refuzova. Që nga ky moment nuk i pashë më në jetën time. Ndërsa unë me zv/shefin, nisëm të shtynim kohën në breg, madje dikur hodhëm nja dy grepa në ujë”, nis rrëfimin, për ditën më të vështirë të jetës së vet, Sokrat Biti.
Po ashtu, thotë me bindje, se do ta mësonte shumë kohë më pas, se dy policët që iu larguan bregut, ishin vrarë nga Xhevdet Mustafa. “Nuk dëgjuam asnjë zhurmë arme, asgjë të dyshimtë. Vetëm pas rreth 30 minutash, kur pothuaj ishim bërë gati të shkonim që t’i kërkonim Engjëllin me Sazanin, në drejtimin nga ikën, shohim të vijnë në drejtimin tonë tre burra. Në asnjë çast nuk dyshuam se ata mund të ishin diversantë, siç i quanim në atë kohë. Në ato vite ngjarjet e ngjashme me këtë, ishin shumë të vjetra dhe personalisht unë i kisha parë vetëm nëpër filma”, vazhdon ish-polici, i plazhit të Divjakës. Më pas atë do ta shokonte krejt ajo që do të ndodhte.
Aq shumë, sa në rrëfimin e mëtejmë, veprimet e Sokratit duket sikur të jenë si të një njeriu që vepron si somnambul. “Me t’u afruar në largësinë rreth 5-7 metra, njerëzit përballë nxorën ca automatikë të shkurtër dhe i kërkuan zv/shefit të dorëzohej. Por ndërsa Remziu ende nuk kishte mbledhur mendjen, njëri, ai që ishte para të tjerëve, më i riu dhe më trupmadhi, e qëlloi me breshëri. Pashë Remziun të binte te këmbët e mia, i kruspullosur nga dhimbja dhe u mpiva. Nuk arriti të nxirrte asnjë fjalë, nga goja. Që nga ky moment, sikur u shkëputa nga realiteti. Gjithçka nisi të më dukej, sikur të isha në një ëndërr…”, shpjegon Sokrati, momentin e parë të përballjes me grupin e Xhevdet Mustafës.
Peng dhe udhërrëfyes
“Njeriu në krye të grupit, nuk qëlloi mbi mua, mbase për shkak se isha vetëm me të mbathura plazhi, mbase sepse mendoi se nuk isha polic, por ka shumë mundësi, që në ato rrethana, t’iu jetë dashur një udhërrëfyes. Dukej qartë, se ata e kishin një problem. Kujtoj vetëm se i pari prej tyre, ai që më pas do të pajisej në mendjen time, edhe me emrin Xhevdet Mustafa, më pyeti se përse ishim aty. Iu përgjigja si i mpirë, se donim të gjuanim peshk dhe ka të ngjarë që edhe kjo përgjigje ‘e saktë’ të më ketë zgjatur jetën”, rrëfen Sokratit, duke shtuar se tre burrat, kishin me vete vetëm një çantë, të cilën ia dhanë atij vetë ta mbante, duket sepse dëshironin, të ishin sa më të lirshëm në veprimet e tyre.
Më tej, pasi e kishin “instruktuar” Sokratin, të mos i shkonte mendja të ndërmerrte ndonjë aventurë, – një instruktazh që shoqërohej me tundjen e pistoletave në drejtim të tij, – të gjithë së bashku, ishin futur në varkë për të kaluar në anën tjetër të kanalit, që lidh detin me lagunën e Karavastasë. “Më vonë e kam kuptuar se ata morën me vete vetëm pjesën më të lehtë të pajimeve, se të tjerat i kishin lënë të fshehura në rërë atje ku kishin kaluar natën. Mbase atje ku lanë të vrarë dy shokët tanë, Engjëllin dhe Sazanin”, rrëfen Sokrati.
Duket vonesa dhe ngatërresa në vend-zbarkim, e tre njerëzve që kishin ardhur me qëllim “të vrisnin Enver Hoxhën”, u kishte hedhur në erë atë pjesë të planit, që kërkonte pajime për t’u ngjitur në ndërtesa të larta, granata, për të shkaktuar panik, e të tjera sende të domosdoshme, për një ekip komandosh të armatosur. Pajime që ishin gjetur më pas, të groposura. “Në çantën që unë mbaja, me kalimin e kohës, mësova se gjendeshin tre automatikë të shkurtër, fishekë e ushqime. Pasi kaluam kanalin, u futëm në pyll. Shumë shpejt mu krijua ideja, se ata e njihnin zonën dhe nuk kishin probleme me orientimin. Ndërsa aty duket ishin bllokuar, për shkak të kanalit të thellë. Vazhduam të ndiqnim rrugën e asfaltuar, që kalon mes pishave të plazhit të Divjakës, natyrisht, duke ecur paralel me të. Dikur dëgjuam një zhurmë.
Xhevdeti u fsheh pas një pishe, me pistoletën ngritur mbi kokë, ndërsa dy të tjerët, duke më vënë mua përpara, u futën në pyll. Dëgjova një dialog të shkurtër, që përfundoi me refuzim. Xhevdeti i tha dikujt që ecte me biçikletë, që të ndalonte, por duket ai nuk u bind. Një çast më pas dëgjova zhurmën e mbytur të pistoletës me silenciator të Xhevdetit dhe tjetrin të rrëzohej nga biçikleta, me një britmë. E kishte vrarë. Më pas do të mësoja se viktima, ishte një i njohuri im, Vlash Përboti, punëtor ne pyjore. Faji i vetëm i të cili, ishte se po kalonte në vendin e gabuar, në kohën e gabuar”, rrëfen ish-polici i marrë peng. Sipas Sokratit, pasi kishin lënë pas brezin me pisha, tre njerëzit e armatosur, kishin ndalur për t’i dhënë një bluzë atij.
“Isha lakuriq nga mesi e lart dhe më dhanë bluzën që të dukesha më serioz, për më tepër që në këtë kohë, po binte edhe mbrëmja. Kujtoj se ata të tre, ishin veshur thjeshtë me atlete sportive, pantallona xhins, e bluza verore pambuku. Nuk binin shumë në sy. Deri në afërsi të Divjakës, ndoqëm rrugën e asfaltuar, por me të mbërritur pranë shtëpive të para, devijuam majtas, duke dalë nëpër ara. Ndërkohë kishte rënë nata dhe kujtoj se rrugës, pothuaj nuk u këmbyem me askënd. Deri në afërsi të Rrogozhinës, ecëm paralel me rrugën e makinave, duke u shmangur gjithmonë kontakteve të mundshme me njerëz. Kujtoj se sërish ecja, sikur të isha në ëndërr. Se nuk ndjeva asnjë lloj lodhjeje, me gjithë rrugën e gjatë që vazhdoi pothuaj gjatë gjithë natës, se dhimbjet nga dëmtimet në këmbët e pambuluara, qoftë nga gjembat e ferrave, nuk i ndieja fare”, rrëfen Sokrati, duke vazhduar të përsërisë se ngjarjet, i ishin shkarkuar aq fort në mendje, saqë me siguri e kishin lënë gjysmë të mpirë.
“Në ato kohëra, situata të tilla realizoheshin vetëm nëpër filma, kurse ne në Divjakë, flinim natën me dyert hapur. Nuk e priste askush një tmerr të tillë. Gjatë gjithë kohës, kam qenë si i goditur dhe në asnjë rast, nuk munda të ftillohesha e të mendoja një rrugëzgjidhje. Më thoshin të drejtohesha majtas, andej shkoja, më thoshin djathtas, e zbatoja me përpikëri”, shkoqit Sokrati. Gjithsesi, ai kujton edhe copëza të bisedave mes tre njerëzve të armatosur, që flisnin një shqipe të rëndë, kujton se në shumë raste, ata merreshin vesh në gjuhën angleze dhe se atij vetë, dikur iu mbush mendja, se nuk ishte Xhevdet Mustafa, ai trupmadhi që e hiqte shpejt këmbëzën, kreu i grupit, por një tjetër, për të cilin më pas, do të mësonte se quhej Sabaudin Haznedari.
“Dukej që këtë Sabaudinin, e dëgjonin ata të tjerët. Gjithmonë, fjalën e fundit, e thoshte ai. Ndërkohë Halit Bajrami, nuk fliste fare, ndërsa Xhevdeti, vetëm miratonte argumentet e Sabaudinit”, rrëfen ish-polici i plazhit. Pas disa orësh udhëtim në këmbë, të gjithë mbërrijnë në Qafën e Sokolit, në afërsi të Rrogozhinës, në jug të saj, pranë urave mbi Shkumbin. Aty, duke e bërë me radhë, ata bien të flenë, ndërkohë që plani, për të cilin kishin rënë dakord që më parë, ishte që në mëngjes, të hipnin në trenin e parë që nisej drejt Tiranës.
Krisma në stacionin e trenit
“Në mëngjes herët, iu drejtuam stacionit të trenit në Rrogozhinë. Në këtë kohë, kishte filluar qarkullimi i makinave dhe njerëzve. Kujtoj se sapo iu afruam stacionit të trenit, Xhevdeti, lidhi me një copë tel, dorën time me tijën. Një veprim që e shoqëroi sërish me kërcënime, nëse do të flisja, apo mundohesha të largohesha. Gjatë gjithë kohës, më mbante para vetes, duke me përsëritur se do të më vriste, po të bëja qoftë një lëvizje të gabuar”, tregon Sokrati, momentet më të vështira që ka përjetuar. Në vazhdim, ai tregon; se në afërsi të Rrogozhinës, krejt të alarmuar, që të gjithë kaluan në një postbllok policie dhe se policët, ose të përgjumur, ose krejt të pa instruktuar, nuk dyshuan për asgjë.
“Po në hyrje të Rrogozhinës, dëgjova Sabaudinin të shante sistemin komunist. Ai e shprehte hapur, pakënaqësinë ndaj regjimit. Sipas tij, Rrogozhina nuk kishte ndryshuar edhe pas 20 vitesh, që kishin kaluar që nga arratisja e tij jashtë vendit. Kujtoj se tha një batutë, pak a shumë të tillë: Kështu e lashë, kështu e gjeta, këtë vend të mallkuar”, rrëfen ish-polici, që betohet sërish, se të paktën për sa kohë ai u qëndroi pranë, kreu i grupit, nuk ishte aspak Xhevdet Mustafa, por Sabaudini.
“Për fat të shumëkujt dhe për fatin e keq të tyre, në stacion ata mbërritën vonë, për të marrë trenin për në Tiranë, pasi ai ishte nisur. Në atë kohë të vitit, sapo kishte ndryshuar orari i trenave dhe ata, duket, nuk e kishin këtë informacion. Kështu që u detyruan të prisnin, një tjetër tren.
Kujtoj se kur u afruam te stacioni, pa më zgjidhur, Xhevdeti u drejtua te disa bunkerë, të vendosur stivë, që prisnin të ngarkoheshin në të djathtë të godinës. Te bunkerët, ata fshehën çantën dhe vendosën të ndaheshin në dy grupe. Unë me Xhevdetin nuk lëvizëm nga vendi, kurse Sabaudini dhe Haliti, që morën me vete vetëm pistoletat, u futën në stacion. Koha po kalonte. Kujtoj se në këtë moment, për herë të parë e kam zgjidhur gjuhën, duke i kërkuar Xhevdetit, që të shkoja në banjë, por ai reagoi negativisht, ndërsa unë nuk këmbëngula”, rrëfen Sokrati.
Me të mësuar se treni për në Tiranë ishte nisur, tre njerëzit e armatosur, bëjnë plan që të presin tjetrin, por duket e teprojnë në sigurinë e tyre. Për më tepër, duket ata nuk bëjnë llogari se gjetja e kufomave, që kishin lënë pas, do të kishin provokuar ngritjen në alarm të gjithë zonës. Ishte koha kur funksiononin forcat vullnetare, dhe organizimi ishte i tillë, që sapo të jepej alarmi, ato të armatoseshin e, të zinin pikat kyçe në më pak se 1 orë…!
Me të mësuar se treni për në Tiranë ishte nisur, tre njerëzit e armatosur, bëjnë plan që të presin tjetrin, por duket e teprojnë në sigurinë e tyre. Për më tepër, duket ata nuk bëjnë llogari se gjetja e kufomave, që kishin lënë pas, do të kishin provokuar ngritjen në alarm të gjithë zonës. Ishte koha kur funksiononin forcat vullnetare, dhe organizimi ishte i tillë, që sapo të jepej alarmi, ato të armatoseshin e, të zinin pikat kyçe në më pak se 1 orë…!
Xhevdet Mustafa, historia e rrëfyer prej njeriut që e mbajti si udhërrëfyes
Në fund të shtatorit 1982, mediat propagandistike të Shqipërisë komuniste, trumbetuan si sukses të radhës, shkatërrimin në kohë rekord, të një “bande kriminelësh”, që kishte zbarkuar nga deti, me qëllim për të përmbysur “pushtetin popullor”. Emri i kreut të grupit, Xhevdet Mustafa, u nxi aq shumë, sa nisi të shërbente për të trembur fëmijët. Natyrisht që e vërteta edhe këtë radhë, u mbajt larg popullit.
Strukturat e Sigurimit të Shtetit, punuan fort që gjithë çfarë ndodhi, të kthehej në favor të pushtetit, dhe ia arritën. Por cila ishte e vërteta e misionit të këtij grupi njerëzish të armatosur, që guxuan të futeshin në Shqipërinë e blinduar komuniste? Hetuesit, tashmë larg auto censurës, thonë se qëllimi i vetëm i grupit të armatosur, ishte të vriste Enver Hoxhën, me synim që pas kësaj të mbërrihej në ndryshimin e sistemit politik.
Të paktën ky variant, ende mbetet me baza të forta. Por ç’ndodhi në të vërtetë në datat 25 dhe 26 shtator 1982?! Historia e parë nga jashtë, është shkruar e rishkruar disa herë. Por këtë radhë, po servirim diçka ndryshe. Po servirim historinë e këtyre dy ditëve, të vëzhguara nga ish-polici i plazhit të Divjakës, Sokrat Biti, i cili u mor dhe u mbajt peng nga Xhevdet Mustafa, për 20 orë. I bindur të flasë për herë të parë për këtë histori, ai rrëfen me detaje gjithçka, që nga momenti kur përballë iu shfaq njeriu i tmerrshëm, trupmadh (Xhevdet Mustafa), “salutimi” i parë i të cilit, ishte një breshëri automatiku, në gjoksin e kolegut të Sokrat Bitit, që gjendej një pëllëmbë larg.
Xhevdet Mustafa
Xhevdet Mustafa, banor në Durrës, ishte larguar nga Shqipëria më 1964-ën, duke përfunduar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Krijon familje dhe bëhet baba i dy fëmijëve. Ka pasur të dhëna, se merrej me trafik droge në sasi të mëdha dhe se për këtë shkak, ndiqej nga FBI-ja. Po kështu të dhënat e kohës pohojnë se, për t’i shpëtuar drejtësisë, ai fshihej në Evropë. Kur erdhi në Shqipëri, ishte 42 vjeç, i shëndetshëm dhe i fuqishëm fizikisht. Para se të zbarkonte në Shqipëri, sipas disa dëshmive Xhevdet Mustafa, ishte stërvitur nga ana ushtarake. Qëllimi kryesor i grupit të tij, ishte që të eliminohej Enver Hoxha, e gjitha kjo, sipas instruktazheve të agjenturave të huaja, të pretenduara, si CIA amerikane dhe UDB-ja jugosllave.
Halit Bajrami
Halit Bajrami, kishte ikur nga Shqipëria së bashku me shokun e fëmijërisë, Sabaudin Haznedarin, më 1951. Kishte qenë partizanë gjatë Luftës, në përbërje të çetës së Pezës. Më 1951, teksa ishte duke kryer detyrën e zv/shefit të Sigurimit të Korpusit Ushtarak të Korçës, debaton me Rita Markon, në këtë kohë Sekretar i Parë i Partisë së Punës në Korçë.
Pas problemeve me Rita Markon, ai vjen të Tiranë të takojë kryeministrin Mehmet Shehu, por ky nuk i jep të drejtë. Nga frika e ndëshkimit, ai mendon të largohet nga Shqipëria. Kur u kthye, më 1982, ishte 51 vjeç, jetonte në Zelandën e Re dhe ishte i martuar me dy fëmijë. Gjatë kohës që jetonte në Zelandën e Re, ai ishte rekrutuar si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
Sabaudin Haznedari
Sabaudin Haznedari, kishte moshë të përafërt me mikun e tij Halit Bajrami, me të cilin dhe u largua nga Shqipëria në vitin 1951. Ai qëndroi për një kohë në Itali dhe më tepër në Turqi. Edhe Haznedari, për një fare kohe kishte qenë partizan, por në çetën e Dibrës. Nisur nga dëshmitë e ndryshme, vërtetohet se ai ishte drejtuesi i vërtetë i grupit, që më 1982, zbarkoi në Shqipëri për të vrarë Enver Hoxhën.
Sipas të dhënave të Halit Bajramit, Haznedari dhe Xhevdet Mustafa, ishin njohur më 1975 në dasmën e Leka Zogut, në Madrid të Spanjës. Sipas Halitit, pas këtij takimi kishte nisur organizimi dhe krijimi i grupeve, që do të vepronin si komando, për t’u futur në Shqipëri, me qëllim tentativat për ndryshimin e sistemit politik.
Memorie.al