Deputeti serb Dragisha Lapçeviq: “Në vitin 1806, në bedenat e Beogradit, në gjuhën shqipe janë dëgjuar britmat e sulmit”
Deputeti serb Dragisha Lapçeviq, më 6 shkurt 1914: Do të na ndjekin fatkeqësitë, nëse nuk e ndryshojmë politikën ndaj shqiptarëve
Dragutin Dragisha Lapçeviq (1867–1939) ishte politikan, gazetar, historian, deputet i Kuvendit Popullor të Serbisë dhe themelues – bashkë me Dimitrije Tucoviqin – i Partisë Socialdemokrate të Serbisë. Më 6 shkurt të vitit 1914, për çështjen shqiptare mban një fjalim ku thotë se shqiptarët duan të jetojnë të lirë, ndërsa nuk heziton të cek padrejtësitë dhe të këqijat që Serbia ka bërë. Fjalimin e tij Telegrafi e sjell si më poshtë.
Politika e qeverisë sonë ka krijuar raportet dhe rrethanat e tilla të cilat ndoshta pas shumë vjetëve (dhe dhjetëra vjetëve!) do të ripërtërijnë konfliktet dhe aksidentet mes dy popujve fatkeq. Besoj se me fushatën e parë kundër arbanasve [shqiptarëve], politika e qeverisë serbe ishte e gabuar, e dëmshme dhe fatkeqe, si për lirinë e popullit arbanas ashtu edhe për paqen dhe qetësinë e popullit serb. Me një gjë duhet të jemi të qartë dhe për një gjë duhet të pajtohemi: në Perëndim të Gadishullit Ballkanik është një komb i cili dëshiron ta çojë jetën e vet si i lirë.
Qeveria e Serbisë nuk duhet ta përul Arbaninë [Shqipërinë] dhe as ta nënshtrojë popullin arbanas.
Arbanasët me shekuj të tërë kishin lidhje të caktuara me popullin serb. Sidomos pas shpalljes së luftës, kjo marrëdhënie përmendet dhe theksohet. Kemi shembuj në historinë e re kur arbanasët kanë dashur gjithmonë të jetojnë në një marrëveshje me Serbinë, që bashkë me ta fitojnë lirinë nga turqit – si për popullin serb, ashtu edhe për atë arbanas. Në vitin 1806, në bedenat e Beogradit, në gjuhën shqipe janë dëgjuar britmat e yryshit. Në historinë e Shumadisë, në revolucionin e saj, hasim njerëzit për të cilët mund të themi se ishin revolucionarë të zgjuar, ndërsa me origjinë ishin shqiptarë. Nuk duhet të harrojmë: më 1829, arbanasët donin dhe kërkonin lidhje me Serbinë të cilën e përsëritën më 1847 dhe Serbia mbeti e shurdhër ndaj asaj thirrjeje, po si më 1829, ndërsa pas një viti dërgoi batalionet dhe çetat e veta për të shtypur një revolucion në veri. Dimë se më 1875 dhe më 1876 arbanasët donin marrëdhënie me Serbinë dhe se në vitin 1878 Serbia i dëboi dhe i largoi arbanasët nga katër rrethet që pushtoi në atë kohë. Në pranverën e vitit 1904, ata e dërguan një delegacion në Beograd dhe nuk kërkuan gjë tjetër veçse qëndrimin miqësor të Serbisë ndaj lëvizjes së tyre për autonomi. Dhe, më në fund, në vitin 1912, erdhën krerët e fiseve arbanase, mbajtën takime me qeverinë serbe, mbajtën takime me z. Pashiq dhe e vunë veten në dispozicion: të mundësojnë depërtimin e ushtrisë serbe me kusht që Serbia t’ua mundësojë të çlirohen nga Turqia dhe që ta fitojnë autonominë e tyre.
U tradhtuan shpresat dhe kërkesat e arbanasve.
Në vend që Serbia – e cila për shumë kohë dikur luftoi për çlirimin e saj – të bënte gjithçka që shqiptarët të merrnin lirinë vet, Serbia dërgoi ushtrinë e saj për ta thyer Arbaninë, për të dalë në detin Adriatik me dëshirën për të nënshtruar popullin arbanas dhe për të vënë nën robërinë e saj.
Serbia mund të ndihmonte që Shqipëria të arrinte autonominë dhe shtetin e vet kombëtar. Nëse do të kishte bërë kështu, kjo do ta kishte mundësuar miqësinë dhe afërsinë, duke pasur parasysh kushtet për lidhje më të forta dhe krijimin e një bashkësie ekonomike ndërmjet Serbisë dhe Arbanisë e që do të ishte pikënisje edhe për marrëveshjet politike.
Në vend të kësaj, ata shkuan atje me pushkë dhe top dhe jo vetëm që bënë atë që ishte në kundërshtim me nderin e një vendi që dikur kishte tradita të revolucionit dhe të çlirimit, por u krijuan mundësitë për fërkime të përhershme midis Arbanisë dhe Serbisë.
Vazhdimisht do të kemi kobure dhe fatkeqësi, nëse Serbia nuk vendos të ndryshojë politikën e saj në drejtim të kontaktit të plotë me banorët e Arbanisë dhe të krijimit të një marrëdhënie të plotë me ta.