“Ç’nderojnë vajzat kineze”, letrat nga Pekini për sjelljet imorale të kursantëve shqiptarë

“Kanë ardhur këtu për të studiuar e për t’u specializuar, por një pjesë e tyre demonstrojnë sjellje imoraliteti”. Në një numër letrash të korrespodencës së ambasadës shqiptare në Pekin me Ministrinë e Jashtme dhe autoritetet e larta të Partisë së Punës në fillimin e viteve ’60, ndër të tjera raportohet se një pjesë e ushtarakëve, kursantëve dhe specialistëve shqiptarë që studiojnë e kualifikohen në qytete të ndryshme të Kinës kanë manifestuar sjellje imorale e shtazarake dhe kanë kryer akte rrugaçërie duke kapur me forcë e duke përdhunuar vajzat kineze.

Është kjo periudha kur Shqipëria e Enver Hoxhës ishte divorcuar me ish-Bashkimin Sovjetik dhe kishte rivendosur marrëdhënie të ngushta me Kinën e Mao Ce Dunit. Njëherazi me ndihmën e gjithanshme në të gjithë sektorët e ekonomisë, Pekini kishte ofruar një mori bursash e specializimesh për studentë e kursantë shqiptarë. Përtej zhvillimeve pozitive nga realiteti i ri në raport me miqtë aziatikë, korrespodenca nga Pekini e ambasadorit Reiz Malile, e atasheut ushtarak Elami Hado dhe zyrtarëve të tjerë përmban dhe këtë dukuri negative me ngjarje të shëmtuara që me të drejtë kanë tërhequr vëmendjen e Tiranës zyrtare.

Mirëpo atëherë kur kjo e fundit frikohej për cenim të marrëdhënieve vëllazërore dypalëshe, çuditërisht nga Pekini vinin mesazhe të tjera. Në relacionet zyrtare nënvizohej fakti që, “vajzat kineze që përdhunoheshin, nuk bërtisnin, pasi nuk donin që të prishej miqësia shqiptaro-kineze” dhe kur autoritetet shqiptare këmbëngulnin që autorët e këtyre akteve të procedoheshin penalisht, “shokët kinezë” kundërshtonin duke rekomanduar “një autokritikë të thellë dhe të edukoheshin nëpërmjet punës”. Më poshtë zbardhim një pjesë të këtyre letrave si dëshmi të asaj ngjarje të padëshirueshme.

INFORMACION

Në mbledhjen e saj dt.3.1.1962 organizata bazë e Partisë e kursantëve dhe ushtarakëve në qytetin Cun Cin, mori në shqyrtim sjelljet imorale dhe aktin e poshtër të Hysni. H.B. dhe vendosi përjashtimin e tij nga Partia. Për këtë i ishte paraqitur projekt-vendim Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së. Por në këtë mbledhje organizata bazë e Partisë shqyrtoi edhe sjelljet imorale të Hajdar D.Sh. dhe vendosi të propozoj kthimin e tij në Shqipëri. Hajdar Sh. ka pasur sjellje imorale, ka ndjekur vajzat kineze nga mbrapa, u ka kërkuar atyre që të venë në takim dhe megjithëse ato kanë refuzuar, ai ka vazhduar prapë të kërkojë që të venë në takim me të duke përdorur presionin dhe mashtrimin dhe në këtë mënyrë një vajzë i ka vajtur disa herë në takim, ose e ka zënë në rrugë dhe e ka marrë në shëtitje për qëllime të këqija.

Kësaj vajze njëherë i mori unazën dhe i tha se do t’ia jepte përsëri, po të vinte në takim me të. Në takim iu premtoi asaj që do ta merrte në Shqipëri dhe ja dha unazën vetëm pasi ajo pranoi që ky ta puthte atë dhe e puthi. Në një takim tjetër këtë vajzë ka dashur që ta çnderonte me forcë (e nxori dhe prezervativin), por nuk mundi pasi ajo u largua. Kur u kthye në fabrikë e puthi me forcë dhe pastaj me qëllim që ta gënjente dhe që t’i nënshtrohej atij, i ra në gjunjë duke qarë. I ka dhënë dhe dhuratë një shami dhe një sapun, megjithëse ajo ka refuzuar t’ia pranojë. Një vajze tjetër kineze duke dancuar në një mbrëmje i ofron faqen e tij pranë faqes së saj dhe megjithëse ajo përpiqej të largohej, ai e shtrëngonte fort në mes.

Mbas mbarimit të mbrëmjes e ndoqi pas në rrugë, i kërkoi t’i linte takim, por ajo s’pranoi, i puthi dy herë dorën dhe i bënte lajka. Po këtë vajzë në një mbrëmje tjetër e morri përsëri të danconte po me atë mënyrë si herën e parë dhe kur ajo përpiqej të largohej, ai e cimbiste. Këtë gjë ia bëri dhe një vajze tjetër. Njëherë kur e takoj vajzën që përmendëm më lart dhe e pa se po bisedonte me shqiptarë të tjerë, i tha se ata janë të liq dhe se kanë nga 4-5 vajza dhe mos bisedo me ta.

Të gjitha këto vërtetohen nga deklarata që kanë lëshuar dy vajza. Për sjelljet e tij imorale, Hajdar Sh. është kritikuar nga përgjegjësi dhe sekretari i organizatës bazë të Partisë, por ai duke gënjyer, nuk i pranonte. Vetëm kur iu faktuan ai pranoi gabimet e tija dhe bëri një deklaratë, ku kërkonte që me një autokritikë të mbyllej çështja e tij. Ambasada e R.P. të Shqipërisë nuk e aprovoi vendimin e organizatës bazë të Partisë për kthimin e tij në Shqipëri duke argumentuar se mbasi u verifikua në vend nga atashehu ushtarak Elami Hado, rezultoi se Hajdar Sh. Nuk ka kryer akte imoraliteti dhe për gjestet e tij jokorrekte e kritikoi rendë dhe e paralajmëroi. Ne propozojmë se Hajdar Sh. Të kthehet menjëherë në Shqipëri për shkak se sjelljet e tij janë imorale, të këqija dhe të ulëta dhe se nuk ka kryer akte imoraliteti vetëm se nuk ka mundur ta bëjë, duke përdorur forcën, presionin dhe mashtrimin.

Për sjelljet e Hysen B. dhe Hajdar Sh. Shokët kinezë të Uzinës kanë thirrur përgjegjësin e grupit dhe i kanë vënë në dukje duke theksuar se këto gjëra kanë ngjallur tmerrin në popullin e rajonit. Gjithashtu po në këtë mbledhje, organizata vendosi që Fiqiri. T. t’i hiqet vërejtje e rëndë para kolektivit për arsye se ai kishte dijeni mbi sjelljen e poshtër të Hysni B. dhe jo vetëm që nuk e denoncoi, por edhe kur u pyet, nuk tregonte. Vetëm kur u thirr për të katërtën herë dhe kur ia faktua se ka dijeni, tregoj. Për ketë propozojmë që t’i hiqet vërejtje e rëndë (me shënim në dokumente) nga Ministria e Mbrojtjes Popullore.

INFORMACION PËR KURSANTIN JANI P.I

Jani P.I. anëtar i BRPSH-së që ishte dërguar si kursant për specializim në R.P të Kinë është sjellë shumë keq atje. Që në fillim kur u nis me avion me shokët qëlloj me grusht një nga shokët. Në një ekskursion në qytetin Cun Cin u zhvesh lakuriq dhe bëri banjë në lumë. Po gjatë këtij ekskursioni ofendoi në mënyrë brutale disa vajza kineze. Kur u thirr nga sekretari i organizatës për këto sjellje, ai e ofendoi atë me fjalë të ulëta dhe tentoi ta qëllonte me grusht. Po ashtu me fjalë brutale ofendoi dhe përgjegjësin e grupit kur e thirri për ta këshilluar. Mbas këtyre Jani I. desh ta mbyste në lumë shokun Hajri Zh. Nuk e bëri dot pasi atje u ndodhën shokët e tjerë.

Gjatë udhëtimit me autobus ofendonte nga dritarja çdo vajzë që shikonte, në autobus kishte dhe kineze. Kur u kthyen nga ekskursioni, atë e thirri përgjegjësi i grupit, sekretari i organizatës bazë të Partisë, zv.sekretari i organiztës së Partisë dhe sekretari i organizatës së Rinisë, por ai nuk pranonte asnjë gabim. U bë mbledhja e kolektivit për të shqyrtuar çështjen e tij, por ai nuk pranoi të marrë pjesë. Mbas kësaj e thirr në mbledhje të organizatës bazë të Partisë, por dhe këtu nuk pranoi asnjë gabim dhe dy tre herë tentoi të largohej duke iu thënë se nuk ju dëgjoj dot. Për këto sjellje, organizata bazë e Partisë propozoi kthimin e tij në Shqipëri.

Këto propozim e aprovoj dhe Ministria e Mbrojtjes Poullore, por se e pezulloj ambasadori shoku Reiz Malile, për arsye se ky bëri autokritikë për përgjegjësitë e tij, se do të përmirësohet dhe nuk do të përsërit gabimet. Edhe Ministria e Mbrojtjes ishte dakord që ai të mos kthehej në Shqipëri. Për këtë çështje, Drejtoria Administrative bisedoi edhe njëherë me Ministrinë e Mbrojtjes, Ministria e Mbrojtjes ja la në kompetencë atasheut ushtarak që të vendosë nëse ai meriton që të kthehet në Shqipëri apo të qëndrojë atje. Meqenëse sjelljet e tija janë shumë të këqija dhe duke marrë parasysh gjërat e shëmtuara që po ndodhin atje siç ishte rasti i Hysen B., që t’ju pritet rruga këtyre dhe meqenëse Jani. P. I vuan nga sindroma e… dhe nuk është i përshtatshëm për specialitetin që është dërguar, propozojmë që të kthehet në Shqipëri. Edhe Drejtoria Administrative është e mendimit që të kthehet në Shqipëri.

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

TIRANË, MË 27.4.1962

KOMITETI QENDROR

DREJTORIA E JASHTME

INFORMACION

MBI DISA SHFAQJE TË HUAJA TË KURSANTEVE

DHE USHTARAKËVE QË STUDIOJNË NË REPUBLIKËN POPULLORE TË KINËS

Në Republikën Popullore të Kinës kemi 64 komunistë, kursantë dhe ushtarakë të cilët bëjnë pjesë në 4 organizata bazë të PPSH-së dhe dy grupe të rini-partisë. Nga mbledhjet e këtyre organizatave bazë të Partisë deri tani na kanë ardhur 11 protokolle. Nga këto protokolle, rezulton se deri tani në jetën, qëndrimet dhe sjelljet e ushtarakëve dhe kursantëve ka mjaft sjellje të huaja shumë të dëmshme dhe dobësi në punën e organizatave bazë të Partisë. Shfaqjet e huaja janë në këto drejtime: Në qëndrimet dhe sjelljen imorale të disa kursantëve dhe ushtarakëve deri në akte të shëmtuara siç është rasti i anëtarit të partisë, ushtarakut Hysni B., i cili me anë të mashtrimit dhe forcës çnderoj një vajzë kineze, ose Hajdar Sh., i cili në të njëjtën mënyrë si Hysni B. tentoi që të çnderonte një vajzë kineze, si dhe sjelljet jo të mira me vajzat kineze, në kundërshtim me zakonet e vendit, të disa të tjerëve si Kristaq P. etj.

Qëndrime jo të drejta në punë dhe thyerje disipline duke ngritur problemin se në Shqipëri na kanë gënjyer për specialitetin. Kështu anëtari i Partisë, Rexhep H. nuk shkoi në punë për disa ditë për arsye se nuk pranonte specialitetin që i kishin caktuar duke dhe e konsideronte se i kishin ulur autoritetin duke e caktuar si punëtor dhe jo teknik. Anëtari i Partisë, Kostandin B. pranon të punojë në laborator, por jo në poligon, duke thënë se nuk e bën dot. Anëtari i Partisë, Theodhoraq S. thotë se po ta dija për këtë specialitet nuk do vija fare këtu. Pakënaqësira në lidhje me ushqimin dhe pagesën atje e familjeve të tyre në Shqipëri dhe ngritjen e këtyre problemeve në rrugë të shtrembër. Kështu p.sh. anëtari i Partisë, Kostandin B., i cili ngrihet në mes të para 35 vetave dhe bën alarm për ushqimin dhe u thotë të tjerëve se t’i mund ta hash këtë, por unë nuk e ha, ose një tjetër që thotë, ose më jep gjellë tjetër, ose unë nuk luaj nga vendi. Anëtarët e Partisë, Theodhori S. dhe Pandeli M. në rrugë të shtrembër në mes të tërë kolektivit ngrenë çështjen e pagesave, akuzojnë përgjegjësin se i bën kërkesat e buta, etj., ose oficerët që janë në Guo-Mi, për çështjen e pagesave i bënë një letër atasheut ushtarak me përmbajtje shumë të ulët dhe në formë proteste. Sjellje jo të mira me kolektivin dhe shokët kinezë, si psh. Jani I. që sillet keq më shokët kinezë. Keq është sjellë edhe anëtari i Partisë, Ramadan Sh., i cili është zënë me shokët dhe ka ofenduar një mjek kinez. Anëtari i Partisë, Hiqmet L. sillet keq me shokët dhe anëtari i Partisë, Hamit R.

PARTIA E PUNËS E SHQIPERISË,

TIRANË MË 27.4.1962

KOMITETI QENDROR

DREJTORIA E JASHTME

INFORMACION

MBI DISA SHFAQJE TE HUAJA TE KURSANTEVE DHE USHTARAKEVE QE STUDIOJNË NE REPUBLIKËN POPULLORE TE KINË

Në lidhje me sa më sipër do t’i bëhet një letër shokut Reiz Malile që i ngarkuar me punët e partisë dhe shokë të tjerë të ambasadës të venë vetë në mbledhjet e organizatave ku janë kursantët ta shohin gjendjen në vend, të flasin mbi detyrat që kanë dhe sjelljet jo të mira të disa kursantëve, të njoftojnë hollësisht mbi gjendjen dhe masat e mëtejshme që duhen marrë.

SEKRETARI K. Q. TË PPSH

HYSNI KAPO

Ta shoh dhe shoku Ramiz

Scroll to Top