Çfarë bëri Kosova në fushën e kinematografisë për luftën në Kosovë?
Bedri Halimi
Deri tani është bërë ndonjë film i metrazhit të shkurtër, që ka paraqitur ndonjë episod apo pasojë të luftës. Por film të mirëfilltë artistik për luftën në Kosovë, deri më tani nuk është bërë. Tema për paraqitjen e luftës në Kosovë, padyshim ka shumë. Materialet sa janë mbledhur e sistemuar në këtë drejtim është çështje tjetër.
Por deri më tani material më përmbledhës se romani i shkrimtarit Bardhyl Mahmuti, “Eskadronët e Vdekjes” nuk ka. Prandaj përderisa Bardhyl Mahmuti në mënyrë brilante i ka renditur e sintetizuar ngjarjet e luftës në Kosovë, do të ishte e udhës, që institucionet e kulturës të mos vazhdojnë heshtjen tonë në këtë drejtim, me mundësinë pse jo pastaj, për të vazhduar edhe me projekte të tjera të ngjashme të autorëve të tjerë.
Shembull e kanë Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën, por edhe vet Serbinë, se si kanë vepruar dhe si duhet vepruar në këtë drejtim, duke e ditur fuqinë e këtij lloji të artit që ka në opinionin e gjerë botëror. Aq më tepër kur tashmë ky roman bëri jehonë të jashtëzakonshme jo vetëm në opinionin vendor por edhe në atë të jashtëm, me faktin se është përkthyer dhe është në procedura botimi në disa gjuhë të huaja. Për ta kuptuar nevojën e realizimit të romanit “Eskadronët e Vdekjes”, jo vetëm si arsyeshmëri, por edhe si domosdoshmëri flasin më së miri veprimet e sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve dhe vetë serbëve për temat e luftës.
Përderisa në Kosovë dhe për luftën e Kosovës, nga Kosova nuk është bërë asgjë, në anën tjetër, nga shteti serbë janë bërë shumë filma, duke u munduar që edhe këtë lloj arti ta vënë nën shërbimin e shovinizmit serb, duke e shtrembëruar realitetin e luftës për çdo gjë edhe për Kosovën…
E kush pra do të na i kryej punët tona edhe në këtë fushë të artit, me rëndësi të veçantë publike?