Boshnjaku i tmerrshëm i Palestinës, 18 bjondinat e tij sllave, ushtarët shqiptarë dhe mposhtja e Napoleonit
Nga Enver Robelli
Në veri të Izraelit, afër kufirit me Libanin, gjendet qyteti port i Akonit. Më 1799 Akoni ishte fortifikatë osmane, të cilën tentoi ta pushtojë Napoleoni.
Qëllimi i Napoleonit ishte që pas pushtimit të Egjiptit të fusë nën kontroll edhe Palestinën dhe Sirinë. Për të arritur këtë duhej të merrte Akonin.
Në atë kohë sundimar i Palestinës osmane ishte Xhezar Ahmet Pasha, i lindur më 1722 në Bosnjë. Xhezar ishte emri i tij i luftës dhe kishte këtë domethënie: kasap. Përballë Napoleonit që me trupat e tij po marshonte drejt Akonit qëndronte Xhezar Ahmet Pasha.
Ai ishte sundimtar i tmerrshëm. Një anglez që e vizitoi në Akon, shkroi se bashkëpunëtorëve të tij u mungonte një sy, një vesh apo hunda.
Xhezar Ahmet Pasha i murosi një grup të krishterësh për së gjalli. Urdhëroi ushtarët e tij të grijnë në copa 50 zyrtarë të korruptuar.
Siç shkruan historiani britanik Simon Sebag Montefiore në biografinë e tij të Jerusalemit, kur Xhezar Ahmet Pasha dyshoi se po e tradhtonin gratë e haremit, ai dha urdhër të vriteshin shtatë gra të tij. Natën ai mbyllej në harem me 18 bjondina sllave.
Më 18 mars 1799 Napoleon Bonaparta iu afrua Akonit, të cilin po e mbronte Xhezar Ahmet Pasha me 4000 ushtarë shqiptarë, afganë dhe maurë. Xhezar Ahmet Pashës i erdhi në ndihmë admirali anglez Sir Sidney Smith.
Ai qe i entuziasmuar kur e pa shpatën e pashait, e cila ishte e stolisur me margaritarë. Napoleoni e sulmoi tri herë Akonin dhe tri herë dështoi.
Më 21 maj 1799 Napoleoni u dorëzua dhe u tërhoq në Egjipt. 1200 ushtarë të tij u vranë, 2300 u sëmurën apo plagosën.
800 ushtarë të tjerë Napoleonit i mbetën të plagosur dhe sëmurë në Jafa, në Tel Avivin e sotëm. Meqë s’donte t’i merrte me vete, urdhëroi mjekët e tij që t’i vrasnin. Ata refuzuan. Por u gjet një mjek turk që të plagosurve u dha një dozë vdekjeprurëse opiumi.
Sipas legjendës gjatë largimit nga Akoni Napoleoni tha: “Kush e pushton Akonin, pushton botën!” dhe hodhi kapelën në det. Topat e përdorur prej tij gjenden sot në murin e kalasë së Akonit.
Pas kthimit në Egjipt, Napoleoni u përpoq të gënjejë mbi betejën e tij. Gjenerali Kléber, i cili ishte komandant i trupave franceze në Egjipt, e mallkoi Napoleonin: “Ky maskara na la në baltë sepse i mbushi pantallonat”.
Me rrenat e tij Napoleoni duket se pati sukses. Në Francë atë e pritën si hero e pushtues. Kënga “Partant pour la Syrie” u bë himn i Francës bonapartiane.
Sulltan Selimi i II-të e emëroi Xhezar Ahmet Pashën sundimtar të Bosnjës, Egjiptit dhe Damaskut. Pas një përplasjeje me Pashën e Gazës, Xhezar Ahmet Pasha u bë prapë sundimtar i Jerusalemit dhe Palestinës. Ai kishte mbetur njeri i tmerrshëm.
Këshilltarit të tij kryesor ia preu hundën, ndonëse atij i mungonte një sy dhe një vesh. Kur vdiq më 1804 Palestinën e përfshiu kaosi.