Berisha: Rama e trajtoi Kurtin, sikur të ishte kryebashkiak i Vlorës
Gjatë mbledhjes me strukturat e qarkut të Tiranës, ish-kryeministri Sali Berisha komentoi dhe qëndrimin e kryeministrit Edi Rama lidhur me çështjen e Kosovës si dhe marrëdhënien e tij me kryeministrin Albin Kurti.
Sipas ish-kryeministrit Samiti i Procesit të Berlinit i cili u mbajt më 16 tetor në Tiranë, ishte një samit anti-Kosovë dhe kryeministri Rama e trajtoi Albin Kurtin, sikur të ishte kryetar Bashkie.
“A mund të ketë imagjinatë normale, a mund të ketë njeri që mund ta pranojë që çdo javë kryeministri i këtij vendi të vërsulet, nuk po dua të prish gojën, kundër gjysmës së kombit, të lakojë, mallkojë, denigrojë kundër udhëheqjes politike të një vendi të pavarur. Ai i trajton kryeministrat e Kosovës, sikur të ishin kryebashkiakë të Vlorës”, tha Berisha.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Pse ne kemi arritur gjer në këtë gjendje. Sepse ne e kemi toleruar Edi Ramën në çdo akt që ai ka bërë, jo vetëm kundër nesh, po e po, por që ka bërë kundër Shqipërisë, kundër kombit shqiptar. Unë i them çdo shqiptari që ka një grimcë atdhetarie dhe patriotizmi për këtë vend, si ndjehet ai kur Tirana është shndërruar në rrafshin politik në raport me kombin shqiptar, një replikë e Beogradit, madje në propagandë edhe më agresive.
A mund të ketë imagjinatë normale, a mund të ketë njeri që mund ta pranojë që çdo javë kryeministri i këtij vendi të vërsulet, nuk po dua të prish gojën, kundër gjysmës së kombit, të lakojë, mallkojë, denigrojë kundër udhëheqjes politike të një vendi të pavarur. Ai i trajton kryeministrat e Kosovës, sikur të ishin kryebashkiakë të Vlorës.
Pra, ai është kthyer në një altoparlant të Beogradit! Çfarë duhet të bëjë ai më shumë se kaq që ne të pranojmë këto qëndrime të tij? Ne duhet ta kemi të qartë se jemi dy shtete të pavarura, sovrane.
Nëse ta supozojmë nuk do ta ndihmojë, por kjo është njëra anë. Por jo ta sulmojë çdo ditë. Bëni pak, kthejeni pak videon e këtyre tre ditëve. Këtu u bë samiti evropian. Bëri gjithçka të tregojë se ky ishte samiti anti-Kosovë.Po ndodh në botë kjo? I erdhi presidenti francez, çështja më kryesore ishte Kosova. Vizat për qytetarët e Kosovës.
Më thoni ju, a mund të ndodhë që një vend fqinj, normal, të shndërrohet në një platformë propagande kundër vendit fqinj tjetër? Ndërkohë kur atje nuk ekziston asnjë propagandë antishqiptare. Përkundrazi, aq sa është.
Ndërkohë që këta që rrahin gjoksin për turistë sot, këta e thonë se 40 përqind janë nga Kosova. Ata vijnë dhe lënë edhe një taksë në rrugë. Shqiptarët përballen me një situatë që kurrë nuk mundet dhe duhet ta tolerojmë. Edhe në luftën e fundit për Kosovën kanë derdhur gjak, me dhjetëra e qindra shqiptarë nga Shqipëria janë vrarë aty, përveç ndarjes së kafshatës së gojës.
Si mund të sillet një vend? Sot ishte presidenti i Kroacisë, i shkuam për nderim atij, nuk mund të mos i shkonim se ai është kroat, por ka folur si mik, ka folur në përputhje me ligjin ndërkombëtar, ka folur në përputhje me ligjin e fqinjësisë së mirë.
Krahasoni deklaratat e tij me deklaratat e Edi Ramës. Ti e urren Kosovën, dakord, ti nuk e don. Por janë disa rregulla që ti je i detyruar t’i respektosh. Pastaj nëse ti e urren Kosovën, ne të tjerët e duam. Ose janë indiferentë, por nuk e urrejnë ama. Pse e urren ti, unë nuk di shqiptar që ka një arsye të urrejë Kosovën. Pse do e urrejë?
I ka bërë vendit dëmet më të mëdha me shërbimet që i ka bërë Vuçiçit, por për ne kombi është komb!