BE ‘shuplakë’ Serbisë: Nuk e uli flamurin në gjysmë-shtizë: Nuk vajtojmë e glorifikojmë kriminelët

Flamuri në zyrat e Bashkimit Evropian në Beograd nuk është ulur dje në gjysmë-shtizë ani pse Qeveria e Serbisë kishte shpallur 27 shtatorin ditë zie për tre terroristët e vdekur në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, për KALLXO.com ka thënë se BE është kundër glorifikimit të kriminelëve.

“Kemi parë që Serbia e ka shpallur dje ditë zie. Delegacioni i BE-së në Serbi nuk e uli flamurin e BE-së. Në përgjithësi, BE-ja është në thelb kundër glorifikimit dhe vajtimit të kriminelëve dhe terroristëve”- ka thënë ai.

Stano ka përmendur se Bashkimi Evropian i ka ulur flamujt në gjysmë-shtizë në Kosovë, në nderim të policit Afrim Bunjaku, por që sipas tij nuk duhet që sulmuesi të barazohet me viktimën.

“Të hënën, Zyra e BE-së në Prishtinë ka vendosur flamurin e BE-së në gjysmë-shtizë për të nderuar policin e vrarë dhe policët e plagosur të Kosovës, viktima të sulmit të tmerrshëm terrorist të së dielës. Qëndrimi i BE-së për sulmin u shpreh qartë në deklaratat e HRVP-së (Josep Borrell) të lëshuar më 24 shtator. Për më tepër, sulmuesit nuk duhet të barazohen kurrë me viktimat”- ka thënë ai.

Serbia e ka shpallur 27 shtatorin ditë zie në nderim të tre personave që u vranë në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga një grup terrorist nga Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të 24 shtatorit.

Prokuroria Speciale e kishte konfirmuar se të dyshuarit ata do të hetohen për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe tetë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve dhe dy janë arrestuar mbrëmë në një hotel në afërsi të Banjkës.
Katër nga të arrestuarit janë liruar.Një ditë pas ngjarjes, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dolën në konferencë për media për prezantuar para publikut atë se çka kishin gjetur në dhe për rreth manastirit të Banjskës në Zveçan.

Zyrtarisht u tha se janë gjetur: 24 automjete, 1 mjet i blinduar, 2 motorrë, 8 mina kundër këmbësorisë, 29 zolla të mbushura, zolla të përdorura 7, 54 predhë minahedhës 32 mm, predhë minahedhës 62mm 83 copë, granatë dore 75 copë, mina antitank 8 copë, eksploziv dinamit 150, detonatorë elektrik 2, armë e kalibrit rëndë 1, armë e gjatë mitralozë 6 copë, armë e gjatë AK 47, 30 copë, armë e gjatë me dylbi 6 copë, revole 3 copë, armë e shkurtë me shurdhues 3 copë, shurdhues për AK 47 18 copë, karikatorë për AK 47, 235, jelekë antiplumabë 21, 3 dronë, sasi e madhe e municionit të kalibrave të ndryshëm, dylbi nate 15, radiolidhje 32 copë, kamera 4, çanta ushatarke 107, uniforma 115, 4 harta nga sateliti, kazma e sopata nga 20 copa, 8 sopata, 3 motor sharra, 23 maska, sharra dore 4, barrela, ushqime të shumta e medikamente, telefona 32 copë dhe kartmonedha të ndryshme.

Edhe pas kësaj konference Policia kishte vazhduar kontrollet dhe prapë kishte gjetur sasi të caktuar të armatimit.

Zyrtarisht Policia njoftoi se prapë kishte gjetur një veturë rëndë të blinduar, dy vetura dhe një makineri e rëndë (bager), të cilat kanë qenë të mbushura me sasi të madhe e që kryesisht përbëjnë: një armë e kalibrit të rëndë (lansues me nitro 30 mm), tri armë të kalibrit të rëndë (gulinov me tri tyta), dy armë të gjata (mitraloza), një snajper (black spear 12.7mm),një minahedhës (82 mm),njëzet e dy armë të gjata (AK 47),një automatik (RPZ),dy pushkë gjuetie, dy armë të shkurta (revole), një granatë dore shtatëdhjetë e katër karikatorë për AK 47,nëntë jelekë antiplumb,një radiolidhje,tetë çanta ushtarake,gjashtë uniforma ushtarake”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Millan Radoiçiq u pa në Manastirin e Banjskës. Pamjet e marra nga droni shfaqën një grup terroristësh të armatosur e uniformuar, të cilët mbanin maska e kapela ushtarake.

Policia e Kosovës ka njoftuar se në njërën prej veturave të grupit terrorist, që është konfiskuar në Banjskë të Zveçanit, janë gjetur edhe dokumente të Millan Radoiçiqit, i cili është person i kërkuar nga autoritetet e Kosovës, njëherazi nënkryetar i Listës Serbe.

Sulmi është dënuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe vendet e QUINT. /kallxo.com

Scroll to Top