Arian Çani në mbrojtje të Belerit: Me Greqinë s’bëhet shaka, e patë çfarë i bëri Maqedonisë apo jo
Gazetari Arian Çani komentoi qëndrimin e Greqisë ndaj integrimit të Shqipërisë për shkak të çështjes Beleri. Ai solli në vëmendje veton e Greqisë ndaj Maqedonisë për anëtarësimin në NATO në 2008, ndërsa u shpreh i bindur se në raport me çështjen Beleri Greqia nuk do ndryshojë qëndrim.
“Në 2008 Bush donte që edhe Maqedonia të hynte në NATO dhe në atë kohë Greqia vuri veton për emrin dhe Bush në atë kohë tha se Greqia do ndryshojë mendje. Për fat të keq Greqia s’e ndryshoi mendjen dhe Maqedonia ka hyrë në NATO 12 vjet më vonë. Ne nuk po hyjmë në NATO, këtu bëhet fjalë për BE, që s’ka ndonjë detyrim. Me aq sa informacion kam unë, Greqia edhe sikur të jetë totalisht gabim në këtë gjë që bën, jam i bindur 100 për qind që nuk tërhiqet”, tha Çani.
Çani tha se Greqia nuk do tërhiqet nga qëndrimi kundër Shqipërisë lidhur me çështjen Beleri. Sipas tij Fredi Beleri është një i marrë peng i burgosur politik dhe po përdoret si kokë turku nga pushteti.
“Beleri është koka e turkut që duhet mbajtur në burg dhe unë dyshoj se ai do mbahet në burg derisa të bëhen zgjedhjet e tjera në Himarë. Beleri sot duan s’duan ata që e urrejnë, edhe në media ka njerëz me urrejtje patologjike, ai po të dali ka influencë, nuk është më njeriu i panjohur para majit, është bërë çështje ndërkombëtare. Në Himarë, Beleri do fitonte përsëri. Greqia nuk tërhiqet, Athina me mençuri ka kapur një pikë të dobët; pse nuk e lini të betohet dhe ktheheni në burg. Kjo është në konventën evropiane të të drejtave të njeriut”, tha Çani.