Ali Agjah Beu, firmëtari i pavarësisë, që shkriu pasurinë e tij për arsimin shqiptar
Testamenti që “trazoi” një shtet të tërë. Dokumentet e mëposhtme vërtetojnë se si Ali Agjah Bej Elbasani (firmëtari i pavarësisë) të gjithë pasurinë e tij e vuri në dispozicion të arsimit shqiptar.
Agjahu e përpiloi testamentin përpara një noteri në Romë në vitin 1918 por Shqipëria nuk kishte ligj për njohjen e dokumentit ndaj 4 vite me vonë Këshilli i Ministrave vendosi hartimin e një ligji të posatshëm për njohjen e testamentit me qëllim për ta çuar në fund dëshirën e testatorit që paratë do i dhuronte për përparimin e arsimit kombëtar.
Ali Agjahu dhuroi të gjithë pasurinë e tij të patundshme dhe monetare, shtëpinë e tij të banimit në Elbasan, dyqanet, hanet në qendër të Tiranës për zhvillimin e arsimit në Shqipëri. Testamenti i Ali Agjahut u zbatua në vitet 1936-1937 dhe një shkollë e ndërtuar në Elbasan nga këto të ardhura mori emrin “Ali Agjahu” emër të cilin vazhdon ta mbajë edhe sot.
“Unë Ali Agjah Beu, sot ditën e martë me katër të qershorit të motit njëmijë e nëntëqind e tetëmbëdhjetë, i shëndoshë nga menda, po ashtu nga trupi, me vullnetin e plotë t’emin, po shfaqi në këtë testament të nëshkruem prej meje e prej dëshmuesve, sa të gjithë mallin tem që do të lë mbas vdekjes, përveç shtëpisë që kam në Elbasan, e kushtoj për arsimin e bir e bisave të Shqipërisë…“
Kështu nis testamenti i patriotit elbasanas.
Ali Agjah Bej Biçakçiu, Lindi në Elbasan në vitin 1870. Ai dhe familja e tij ishin pjesëmarrës aktivë në Kryengritjen e përgjithshme antiosmane që parapriu shpalljen e Pavarësisë. Ai ishte firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë së Elbasanit më 25 nëntor 1912.
Ai është vlerësuar me Çmimin special pas vdekjes “Pionieri i Filantropisë”. Motivacioni ishte: Për kontributin e shquar në zhvillimin e arsimit kombëtar shqiptar, duke shënuar rastin e parë filantropik në Shqipëri të dhurimit të të gjithë pasurisë në shërbim të arsimit.
Atdhetar, mbështetës i arsimit kombëtar, dhurues e bamirës, dhuroi për arsimin kombëtar me testament gjithë pasurinë e tij, prej afro 100 000 napolona flori. Ai shënon rastin e parë filantropik kur një mirëbërës shqiptar ia kushton gjithë pasurinë e tij arsimit.
Më poshtë do gjeni dokumente të publikuara nga Drejtoria e Arkivave, të cilat kanë fakte historike si dhe ligjin e testamenteve.