Albanapolisi i ngujuar në murin e çezmës së braktisur
Arkeologu shkodran, Nikola Vuliq (1872 – 1945), midis dy luftërave botërore u mor me të kaluarën e viseve lindore shqiptare. Krahas zbulimeve të shumta, Vuliqi e kishte pranuar publikisht se vështirësia më e madhe për të dhe kolegët e tij ishte leximi i mbishkrimeve ilire. Në radhën e gjetjeve të tij në vitin 1930 numërohet edhe mbishkrimi i Albanapolosit në rrethinat e Shkupit. Dyzetë e një vjet më vonë (1971) me këtë mbishkrim është marrë edhe arkeologia e njohur nga Bosnja dhe Hercegovina, Borka Dragojeviq-Josifovska (1910 – 2004) dhe kjo është trajtesa e saj që u botua në revistën “Živa antika” të vitit 1971. Titulli dhe nëntitujt janë të përkthyesit, Skënder Latifi
Borka Dragojeviq-Josifovska
Pse Nikolla Vuliq nuk guxoi ta çlirojë mbishkrimin!?
Gjatë rishikimit të mbishkrimeve antike nga territori i kolonisë së veteranëve romakë, të Scupit, vëmendje të veçantë meriton mbishkrimi i përmendur në titull (Albanapolis), pasi pa dyshim se ky mbishkrim ofron informacion mjaft të besueshëm të karakterit topografik. Botimin apo trajtimin e parë të këtij mbishkrimi e bëri Nikola Vuliq, i cili e zbuloi atë në vitin 1930 në fshatin Solnji i Epërm, në jugperëndim të Shkupit apo më saktësisht në perëndim të Karshiakës. Monumenti ndodhet akoma aty, pra në të njëjtin vend, i mbërthyer në murin e një çezme të vjetër që ndodhet në perëndim të fshatit që është i braktisur prej kohësh. Përkundër kërkimeve të vazhdueshme, për ne akoma mbetet e panjohur prejardhja e vetë monumentit por edhe të pjesëve arkitekturore që ndodhen jo shumë larg çezmës së lartpërmendur, e cila gjendet në oborrin e kishës së vogël të fshatit.
Me rastin e publikimit të këtij monumenti Nikolla Vuliq, e ka paraqitur edhe një përshkrim përmbledhës duke afruar edhe të dhëna të tjera bazë, më pas ai e ka bërë transkriptimin e tekstit me shkronja të vogla, shoqëruar me një koment shumë të shkurtër dhe në fund, këtij punimi siç e praktikonte ai ia ka bashkangjitur edhe një foto qe ne po e paraqesim këtu për shkak të krahasimit.
Por, megjithatë prej mbishkrimit të Vuliqit, ne këtu do të paraqesim aq sa na i lejuan kushtet: vetëm katër rreshta, sepse, për të lexuar pjesën tjetër, Vuliqi duhej të vepronte ashtu siç kishte firmosur paraprakisht, domethënë të çlironte pjesën e murosur nga trashësia e një shtresë të fortë të suvasë.
Nuk na takon neve që të hyjmë në arsyet pse ai nuk e bëri këtë, por sigurisht se ato do të duhej të kishin qenë të mëdha, duke pasur parasysh interesin që ai e shfaqte për problemin e gjeografisë antike dhe topografisë në përgjithësi…
Monumenti është i gdhendur mbi mermer të bardhë. Me ndërhyrjen e sipërpërmendur, teksti i njohur më parë tani është zgjeruar edhe për dy rreshta. Megjithatë, lartësia origjinale e monumentit mbetet akoma e panjohur për ne, sepse pjesa e poshtme mbi rreshtin e shtatë të mbishkrimit në vijë të drejtë është hedhur poshtë! Për gjendjen e ruajtjes së mbishkrimit pa teprime mund të themi është e kënaqshme nëse relievi në fronton (pediment) nuk do të ishte dëmtuar keq në sipërfaqe. Dëmtimin më të madh mbishkrimi e pësoi kohëve të fundit.
Mungesa e tekstit të plotë
Forma e monumentit paraqet një stelë me kënde të lëmuara, që plotësisht i përgjigjet periudhës kohore në të cilën ai është krijuar. Në vazhdimin e frontonit (pedimentit) në të njëjtën mënyrë gjendet një tabelë e profilizuar me mbishkrim, gjerësia e së cilës korrespondon plotësisht me gjerësinë e fushës së pedimentit (35 cm), ndërsa lartësia aktuale e saj është 43 cm. Lartësia e shkronjave në të gjithë rreshtat është e njëjtë: 5 cm, përveç në të fundit, ku ato janë të dëmtuara për shkak të një thyerje jo aq të madhe. Mbishkrimi thotë:
1 P O S ί S M E S
TYLVF-FL-
D E L V S MV
CATI – F- DOM
5 ALBANOP.
IPSADELVS
Posis Mes/tylu f(ilius) Fl(avius) / Delus Mu/cati f(ilia) dom(o)/ Albanop(oli). / Ipsa Delus/[
Mbishkrimi duhet të kishte të paktën edhe dy rreshta të tjerë, kështu që në bazë të rreshtit të gjashtë mund të supozohet se në vazhdim do të shkruante:
Ipsa Delus
[viva p (osuit) sibi]
[et viro suo?]
Gjithsesi, nuk përjashtohet mundësia se teksti do të ishte më i gjatë ku do të gjendeshin të dhënat për vitet e jetës së të ndjerit, apo ndonjë informacion tjetër, por e gjithë kjo do të mund të ishte anashkaluar, duke pasur parasysh kronologjinë e mbishkrimit, si dhe të njëfarë ndikimi grek që padyshim, se është i pranishëm në të. Dedikuesja e monumentit është e bija e Mukatit – Delusja, e cila duket se është edhe njëra prej përkushtueseve. Nuk mund të thuhet me siguri se në çfarë marrëdhënieje ishte ajo dhe Posis, por është e sigurt se ata kanë qenë burrë e grua, ashtu edhe siç kemi supozuar tashmë duke e plotësuar tekstin e mbishkrimit. Në favor të supozimit tonë qëndron argumenti se ata nuk kanë qenë nga i njëjti vend: Delusja është nga ALBANAPOLIS – i, ndërsa Posis është nga Skupi, dhe nëse edhe ai do të kishte qenë nga ALBANAPOLIS-i, atëherë ky informacion do të jepej, krahas emrin të tij e jo pranë emrit të bashkëshortes. Në bazë të emërtimit për Posis, mund të supozohej se ai ishte ose një vendas që e kishte statusin e një qytetari romak, që vinte prej një familjeje që u shpërngul në territorin e Skupit prej ndonjë zone fqinje të influencuar nga kulturën greke, ndoshta nga Maqedonia e Veriut, (Stubera?), ose nga Paionia e vjetër, por nuk përjashtohet mundësia që Posis mund të kishte ardhur prej të të njëjtit vend prej nga ishte edhe vetë Delus-ja.
Botimin apo trajtimin e parë të këtij mbishkrimi e bëri Nikola Vuliq, i cili e zbuloi atë në vitin 1930 në fshatin Solnji i Epërm, në jugperëndim të Shkupit apo më saktësisht në perëndim të Karshiakës. Monumenti ndodhet akoma aty, pra në të njëjtin vend, i mbërthyer në murin e një çezme të vjetër që ndodhet në perëndim të fshatit që është i braktisur prej kohësh
Shtrirja e emrit ilir Posis dhe mospajtimet e studiuesve
Në lidhje me shtrirjen territoriale të emrit personal Posis, nuk mund të thuhet se ai është emër i panjohur, siç ka shkruar Vuliqi edhe pse ai këtë e ka thënë duke e vendosur mendimin e tij në kllapa. Në fakt, më herët ky emër nuk ishte shënuar në mbishkrimet e Dardanisë, por ishte evidentuar në Stuberën fqinje dhe përkundër faktit që emri ishte i rrallë, megjithatë prezenca e tij haset në mbishkrimet dhe në monedhat e Greqisë, Azisë së Vogël dhe në disa rajone të tjera duke mos harruar se ai haset edhe në disa dokumente të shkruara. Sa i përket përkatësisë gjuhësore të emrit, midis filologëve nuk ka ujdi, por shumica ende e konsiderojnë atë si emër grek (Bechtel, Pape, Zgusta, Russu). Megjithatë, Tomascheku e konsideron këtë emër si thrakas, gjithashtu edhe studiuesi Môcsy kohët e fundit e ndan mendimin e Tomaschekut, ndërsa Deçevi mendon se emri Posis ishte i përbashkët si për gjuhën greke po ashtu edhe për atë thrakase. Por emrin Posis, si edhe emra të tjerë nga ky mbishkrim, Fanoula Papazogllu i ka përfshirë në listën e emrave personal dardanë, bile ajo e ka tërhequr vërejtjen se për shkak të patronimit Mestylus, me shumë gjasa vendlindjen e Posis-it duhet kërkuar në Maqedoni. Duke pasur parasysh ποτι-ς indoevropiane ποτι-ς, që ιι e ka të njëjtin kuptim edhe në gjuhën greke dhe që është e pranishme si pjesë e emrit të hyjnisë së lashtë Poseidon, të dëshmuar bile edhe në tekstet lineare të shkrimit B në Knossos dhe Pylos besojmë se nuk do të gabonim nëse supozojmë se emri Posis mund të jetë i përbashkët, jo vetëm për gjuhën greke dhe thrakase, por edhe për gjuhën ilire, aq më tepër që në një mbishkrim në afërsi të Konjiqit (Bosnjë e Hercegovinë) është dëshmuar emri femëror Posa që Katiçiqi e ka evidentuar si emër ilir. Emri i gruas nga mbishkrimi i përmendur edhe te Mayeri gjendet, vetëm në formën Posauljo ashtu siç ai e ka lexuar kaherë Paçi dhe i cili e botoi i pari këtë mbishkrim. Të njëjtin element radikal gjithsesi e kemi edhe në emrin e fisit iliro-japodas të fisit Ποσηνοί të cilin e përmend Appiani. Përveç këtij, mbishkrimi në territorin e Shkupit, ky emër është përmendur edhe dy herë: në një mbishkrim nga Dobërdoli, por në formën e Mestulas dhe në laterkulin e njohur nga Kostollci dhe që është vendosur në sqarim të funksionit që e ka pasur një veterani i legjionit të VII Claudia. Deçevi e konsideron këtë emër si thrakas. Mayeri nuk e ka përfshirë atë në leksikonin e emrave personalë ilirë, që do të thotë se ai nuk e ka konsideruar si ilir. Papazogllu nuk e ka përcaktuar se ai ishte emri me përkatësi ilire apo thrakase. Megjithatë, duke ia përshkruar emrin onomastikonit dardan, Papazogllu vuri në dukje zonën nga ku mund të ishte marrë ai, përkatësisht nga Maqedonia e Veriut.
Shtrirja e emrit Delus në Dardani
Emri personal femëror, Delus, në Dardani, më saktësisht në territorin municipial të Skupit, dëshmohet dy herë: herën e parë pikërisht në mbishkrimin e temës sonë, prej nga Deçev e ka futur në leksikonin e tij të emrave thrakas, por si masculinum dhe herën e dytë, në epitafin e sapobotuar nga Shkupi (Singjeliq), ku gjithashtu emri i përket një gruaje. Si i tillë, duket se para zbulimit të mbishkrimeve të sapopërmendura, emri nuk ishte i njohur ndërsa emri i gjinisë mashkullore dëshmohet edhe pse vetëm në disa mbishkrime latine. Mirëpo, fakti që ne e njohim vendlindjen e Deluses – ALBANOPOLIS-in, për të cilën do të flasim më poshtë, emri megjithatë afron dëshmi për zonën prej nga ai ka arritur në Skup dhe njëkohësisht rriten gjasat se ai mund të ketë edhe karakter ilir, aq më tepër që i njëjti si pjesë radikale dëshmohet në paragjuhën indoevropiane. Në favor të kësaj teze mund të ndihmojë edhe patronimi Mucatus, të cilin Mayer e konsideron si ilir ndërsa Deçevi, Papazogllu, Vllahovi dhe Mócsy e konsiderojnë si thrakas.
Kolonia flaviane e Skupit
Pas kësaj analize jo tërësisht shteruese të emrave, le të kalojmë në nomenklaturën e personaliteteve, e cila gjithashtu e meriton një vëmendje të veçantë. Është e qartë se Posis kishte shtetësi, por formula e saj onomastike nuk është romake, as greko-maqedonase, siç edhe mund të pritej. Emri ka formë interesante, të pazakontë, që nuk e kemi pasur rastin ta hasim askund deri më tani, jo vetëm në mbishkrimet e Skupit, por në përgjithësi. Në fakt çështja qëndron në formulën tipike ilire dypjesëshe, e cila i përgjigjet tipit të skemës Bb të Rendiqit, ashtu edhe siç është përcaktuar emri Delus që është i zakonshëm në mbishkrimet e zonës gjuhësore juglindore, që sipas Katiçiqit i përket edhe Dardania Jugore, por po ashtu edhe të disa zonave të tjera ilire, por përfundimisht mund të thuhet se Deles është emër i zakonshëm i përhapur nga emri i familjes perandorake Flavius. Në rastin konkret, në shikim të parë vihet re se emri fisnor, nuk është vendosur në shkurtesën e zakonshme para emrit kombëtar, ashtu siç haset në një numër të konsiderueshëm mbishkrimesh ilire të periudhës së perandorisë së hershme, që sipas Rendiqit është njëra prej formave të caktuara të simbiozës onomastike iliro-romake…Kjo mënyrë e emërimit që ndoshta duhet konsideruar si përjashtim mund të gjejë shpjegim të kënaqshëm në statusin e fituar kohë më parë të qytetarit, që Posis, siç mund të konkludohet edhe në bazë të mbishkrimit kronologjik, e ka gëzuar në të njëjtën kohë kur Scupi u bë koloni e Flavianëve me emrin Colonia Flavia Scupi.
Shqiptarët e Ptolomeut
Në thelb, Possis nuk u romanizua, ndërkaq familja e tij edhe aq më pak: atëherë ai e kishte statusin e qytetarit romak dhe kjo u komunikua në epitafin e tij, ku vërehet prezenca e plotë e traditave vendore. Dhe tani le të kalojmë në atë që e bën këtë mbishkrim jashtëzakonisht domethënës, dhe në radhë të parë rëndësia e tij shihet në përfaqësimin e konfirmimit të parë epigrafik të ekzistencës së ALBANOPOLIS-it, që në burimet letrare përmendet vetëm nga Ptolemeu, i cili në krahinën e Maqedonisë në kuadër të ilirëve i përmend edhe shqiptarët bashkë me kryeqytetin e tyre. Fakti që vendbanim me një emërtim të tillë nuk gjendet në asnjë vend tjetër në burimet e kohës, i ka shtyrë disa studiues të vjetër të dyshojnë në besueshmërinë e të dhënave të Ptolomeut dhe më të cilët me të drejtë nuk u pajtua edhe Johan Georg von Hahn.
Falë gërmimeve më të fundit arkeologjike, të cilat u kryen në vitin 1969 nga arkeologu shqiptar Selim Islami, në vendin që kahmoti e kishte vënë në dukje edhe Hahni, në Zgërdhesh në jugperëndim të Krujës u zbuluan mbetjet e një qyteti të rëndësishëm antik, me çka hipoteza e Hahnit se ALBANOPOLIS-in e Ptolemeut duhet kërkuar mu në atë zonë u vërtetua në masë të madhe.
Sa i përket vendndodhjes, janë paraqitur disa supozime të ndryshme, kështu që Fallmerayer dhe Hecquard ishin të mendimit se në pyetje ishte El-Bassani (Elbasani), Desdevises – Kruja ndërsa sa i përket Hahnit, ai gjithashtu ishte i mendimit se ALBANOPOLIS-i, do të mund të ishte identik me Arbonën, por siç duket ai ka pasur shumë të drejtë kur e kishte tërhequr vërejtjen se më tepër vëmendje duhet kushtuar rrënojave të qytetit të vjetër “Skurteshçë” afër Krujës, pozicioni i të cilit sipas të dhënave të Ptolemeut do t’i përgjigjej më mirë sesa atij të Arbonës.
Rreth statusit administrativ të ALBANAPOLIS-it, Ptolemeu nuk afron asnjë informacion dhe këtë gjë as që duhet pritur prej tij, sepse për të si gjeograf më i rëndësishëm ishte pozicioni i vendbanimit, prandaj ai as që e vrau mendjen të bënte dallime në lidhje me statusin e qyteteve. Por për këtë ne nuk mësojmë asgjë as nga Plini, për arsyen e thjeshtë, sepse ai nuk e përmend fare ALBANAPOLIS-in dhe kjo nuk do të thotë asgjë nëse merret parasysh se në kohën e Augustit, së cilës i referohen të dhënat e Plinit, qyteti nuk ka ekzistuar si komunë vetëqeverisëse. Por, se ALBANAPOLIS-i si i tillë ka ekzistuar në kohën e lavianëve këtë e dëshmon pikërisht mbishkrimi ynë, edhe pse në të mungon fisi (tribi) në të cilin duhej do të duhej të ishte regjistruar, sepse, siç dihet, përmendja e përkatësisë fisnore në mbishkrimet e grave praktikohej shumë rrallë.
Për sa i përket kronologjisë së mbishkrimit, atë e afron përkatësia familjare perandorake FLAYIVS. Në shkurtesën, si në vendin tonë, përkatësia është shumë e zakonshme në mbishkrimet e shekullit III, por në mbishkrimet e Romës shfaqet qysh në fillim të shekullit II të erës së re. Pasi në mbishkrimin tonë të gjithë elementet dëshmojnë për një periudhë më të hershme të perandorisë që mund të shërbejnë si kriter për datim, unë vlerësoj se monumenti është ngritur në fillim të shekullit të dytë, por nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë ngritur edhe në fund të shekullit I të erës së re.
Përzgjodhi dhe përktheu: Skënder Latifi