Po zbardhet e vërteta e 21 janarit 2011, Balla: Pas 2 ditësh niset për në Itali predha që vrau Aleks Nikën! Gati për hetim të plotë zinxhirit komandues
Ministri i Brendshëm deklaroi sot se vendimi i gjykatës së Strasburgut i hap rrugë rihetimit të 4 vrasjeve të ndodhura më 21 janar 2011 për zbardhjen e zinxhirit komandues që solli ngjarjen dhe dëmtimit të provave.
I pyetur nga Report tv Taulant Balla e sheh vendimin e gjykatës së Strasburgut jo vetëm si detyrim, por edhe si orientimin e duhur për hetimet mbi përgjegjësit e vrasjeve.
‘Është e vërtetë që për 21 janarin në 21 mars 2011 kam bërë padi në emër të PS, me të gjitha informacionet e gjetjet që ne si palë e dëmtuar kishim, sot jemi në kushte të reja krejtësisht, pas një vendim shterues të vendimit të GJEDNJ, në dritën e këtij vendimi policia e shtetit ka identifikuar detyrat që kanë dalë, lidhur plot çështje në atë vendim, për hetimin e veprimeve të autoriteteve ekzekutive me njëherë pas ngjarjes, por edhe për elementin kryesor, zinxhirin komandues që çoi në atë vrasje shtetërore.
Është në detyrën e institucioneve shtetërore e agjencive, policisë, prokurorisë së Tiranës që ka dosjen, për shkak se vrasja e dy prej katër viktimave është konsideruar pa autor, ju e dini që dosja nuk mbyllet dhe s’ka parashkrim, prokuroria i ka të gjitha mundësitë të vijojë duke përkthyer vendimin e GJEDNJ që është i detyrueshëm, që është urdhërues, ne e kemi përkthyer dhe e kemji gati, për të bërë hetimin e plotë, ku vendoset theksi te zinxhiri komandues dhe hapat që ndërmorën organet shtetëtrore për pengimin e drejtësisë.
Në një konferencë për mediet ku prezantoi bilancin për vitin 2023 dhe prioritetet e 2024 Balla bëri me dije se pas dy ditësh do të niset për ekspertim në Itali predha e cila i mori jetën Aleks Nikës.
“Vendimi hap një rrugë të re që policia do ti shkojë deri në fund, pas dy ditësh niset në Itali për ekspertim predha dhe elementë të tjerë, pa cenuar sekretin hetimor, për të pasur një konkluzion për këtë çështje
Këtej e tutje s’do ketë asnjë hapësirë abuzimi pasi vendimi është i detyrueshëm për zbatim tej emocioneve që mund të kemi secili prej nesh,. Këtu flas si ministër, jo si protestues i 21 janarit 2011.’-tha Balla.
Në protestën e 21 janarit 2011, në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ mbetën të vrarë nga armët e punonjësve të shtetit, 4 protestues opozitarë (atëherë PS): Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj./Shqiptarja.com