Gjenerali që mundi vrasësit e Çezarit u rrit e u shkollua në Iliri
Nga Auron Tare
Marcus Vipsanius Agrippa është një nga figurat më të rëndësishme historike të Perandorisë Romake, por shumë pak e dinë lidhjen e tij me qytetin e Butrintit. i lindur në vitin 63 p.e.s., me origjinë plebeje, Agripa, që në moshë të re u afrua me patricin e ri Octavian Augustus. Miqtë e rinj studionin në shkollën e madhe në Apoloninë e Ilirisë (Shqipëria e sotme) dhe prej këtu të dy marshuan në Romë pasi morën vesh për tragjedinë e madhe vrasjen e Jul Çezarit, që është një nga ngjarjet kryesore ose kryengjarja e historisë botërore.
Ndërsa Oktaviani rriti popillaritetin politik gjatë trazirave civile, Agripa u ngrit si një strateg ushtarak. Ai ishte vetëm njëzet e tre vjeç kur u vendos në komandën e trupave në Betejën e Filipit në vitin 40 para Krishtit, duke luftuar së bashku me Octavianin dhe Mark Antonin kundër vrasësve të Jul Cezarit. Duke ardhur në Romë së bashku me Oktavianin, ai u dërgua për të qenë Guvernator i Galisë Transalpine dhe në vitin 36 para Krishtit, mori pjesë me Oktavianin në luftën kundër “Pompeut të Madh”. Pesë vjet më vonë, gjatë luftës civile midis Oktavianit dhe Mark Antonit, Agripa shërbeu si gjenerali më i besuar dhe më i aftë i Oktavianit. Duke luftuar në det dhe në tokë, Agripa mundi Antonin shumë më të vjetër dhe më me përvojë, së bashku me trupat e tij egjiptiane, në Betejën e Aktiumit (Preveza e sotme). Ndërsa Oktaviani u bë Perandor, Agripa shërbeu si krahu i djathtë i tij, një lloj bashkëperandori de fakto, përveç emrit. Lidhja e afërt me Augustin tashmë është e njohur nga historia botërore. Janë bërë edhe filma e seriale pa fund, megjithatë marrëdhënia e tij me Butrintin dihet pak.
Agripa u martua me vajzën e vogël të Titius Pomponus Atticus, mbrojtës dhe dashamirës i Burintit. Ndaj u bë një hero lokal si dhe një mbështetës të çështjeve të Butrintit gjatë trazirave politike në Romë.
Vajza e tij nga martesa me Vipsania Agrippina u martua me stërnipin e Augustit, perandorin e ardhshëm Tiberius. Megjithëse i lidhur ngushtë me Augustin, Agripa u martua përsëri. Këtë herë me Claudia Marcella, vajza e Octavias, duke e bërë mbesën e Augustit. Pasoi një periudhë distancash midis Augustit dhe Agripës, pasi perandori po favorizonte nipin e tij, Marcellus (i cili ishte kunati i Agrippës), që të bëhej pasardhës i tij. Agripa u nis për në Athinë dhe më vonë në ishullin Lesbos. Megjithatë, në vitin 23 para Krishtit, Marcellus vdiq nga një sëmundje në moshën 19-vjeçare. Augusti thirri Agrippën nga Lesbos dhe e vendosi atë edhe një herë në krah të tij. Po atë vit, Augusti (i cili ishte i me shëndet të dobët gjatë gjithë jetës së tij) u sëmur rëndë. Duke dyshuar se fundi i tij ishte afër, ai i dha Agripës unazën e tij të vulës, duke interpretuar se ai do ta pasonte atë nëse Augusti vdiste. Perandoria si sistem i ri sapo kishte mbushur vetëm vjet. Dy vjet më vonë, Agripa u divorcua nga Klaudia për t’u martuar me të venë e vëllait të saj, Julia, e cila ishte vajza e Augustit. Nuk dihet nëse kjo ishte dëshira e Agrippës apo nëse Augusti e detyroi. Ata kishin pesë fëmijë, përveç katër nga martesat e mëparshme të Agripës. Vajza e tyre, Agrippina, do të martohej me Germanicus-in, nipin e perandoreshës Livia dhe vëllain e madh të perandorit të ardhshëm Klaudi. Ata do të ishin prindërit e perandorit shumë më famëkeq Gaius Caligula dhe gjyshërit e perandorit Neron. Agripa vdiq në vitin 12 para Krishtit në moshën 51-vjeçare, megjithëse trashëgimia e tij jetoi përmes pasardhësve të tij të shumtë dhe atyre që u emëruan në nder të tij. Lidhja e tij me Butrintin përmes gruas së tij të parë ndoshta ishte arsyeja pse ai vendosi një nga Legjionet e tij në një vendbanim të ri. Statuja e tij u ngrit në Butrint dhe disa mbishkrime kanë mbijetuar ndër shekuj.