Turizmi triumfoi në 2023, rriten pritshmëritë për 2024 në 15 milionë të huaj! Shumë turistë por pak shpenzime, elita kërkon shërbime luksi
“Ne na duhet turizmi i luksit, për të fituar më shumë”, u shpreh kryeministri Edi Rama më 6 dhjetor 2023.
Përtej numrave të turistëve për të arritur tek milionat e luksit, industrisë i duhen reforma të rëndësishme, e që kryefjalë kanë profesionalizimin në shërbim dhe shumëllojshmërinë e aktiviteteve që i duhen ofruar elitës.
“Të jesh atraktiv për turistin elitar duhet të ofrosh të gjitha shërbimet, që janë si të drejtpërdrejta ashtu dhe ato mbështetëse në nivele shumë të larta, gjë që ta ndalon krahu i punës sepse nuk është i specializuar. Vjetërsia e punës nëpër hotele nuk e ka kaluar 2 vite, kanë punuar vjet, do punojnë dhe këtë vit. Për momentin kemi shumë pak hotele që e përmbushin standardin për një turist elitar, sepse nuk është vetëm sa e bukur është ndërtesa apo dhoma”, pohon eksperti Ferjolt Ozuni.
Por sa shpenzoi një turist në Shqipëri gjatë sezonit verorë në vitin që lamë pas?
Report TV ka bërë një përllogaritje bazuar në totalin e të ardhurave nga turizmi në tremujorin e tretë të vitit që ishin 1.6 miliardë euro, duke i përpjesëtuar me 4.6 milionë turistë që erdhën në periudhën korrik-gusht-shtator.
Pra, një turist i huaj në vendin tonë ka shpenzuar 359 euro nga 291 euro që rezultonte vlera e shpenzuar në verën e 2022-shit. (Në vitin 2022 në sezonin e verës erdhën 3.6 milionë turistë, që shpenzuan mbi 1 miliardë euro).
Kjo shifër e përkthyer në shpenzime ditore për akomodim, ushqim, argëtim, përllogaritet në rreth 115 euro, duke marrë në konsideratë të dhënat e INSTAT mbi strukturat akomoduese, përgjatë sezonit veror, ku rezulton që një i huaj ka qëndruar mesatarisht në vend 3.1 netë aq sa ishte mesatarja dhe në 2022. (në verën e 2022 një i huaj shpenzoi 93 euro)
“Është një vlerë e kënaqshme, por jo nëse i referohemi çmimeve të njësive akomoduese në bregdet ku nuk gjeje dhoma hoteli nën 100-120 euro. Turisti nuk është vetëm hotel-transport por ka restorantet, vizitat në muze, në siste arkeologjike etj, janë këto shërbime mbështetëse që kanë pasur vështirësi”, shprehet eksperti i turizmit Ferjolt Ozuni.
Këto përllogaritje tregojnë, se turistët e huaj që kanë mbërritur në vend e që në shumicën e rasteve vijnë me paketa all-incluzive, nuk harxhojnë shumë, pasi mjaftohen me shërbimet e përfshira në paketë.
“Është më mirë të kesh 5 milionë turistë elitarë sesa 15 milionë turistë mesatarë, pasi edhe dëmi që shkaktohet në natyrë e jo vetëm është më i vogël”, thotë eksperti.
Përgjatë 9 muajve turistët kanë harxhuar në vend 3.2 miliardë euro, kurse në janar-shtator 2022 kjo vlerë përllogaritej në 2.1 miliardë euro. Për ekspertin Ozuni, shifrat do të ishin më të larta nëse industria do të ishte e formalizuar.
“Vlera reale e tremujorit të tretë duhet të jetë më e lartë se ajo e raportuar nga banka e Shqipërisë për shkak se me aq sa shoh vlera duhet të jetë 30% më shumë. Kemi edhe struktura të regjistruara që raportojnë shumë më pak ose nuk raportojnë fare për dhënien me qira të dhomave apo apartamenteve të tyre”, tha Ozuni.
Viti 2023, përpos informalitetit, turistit të shtrenjtë apo të lirë, i kushtohet turizmit, kjo edhe për shkak të bumit të lartë të të huajve që erdhën në vend e që ishin mbi 10 milionë deri në fund të dhjetorit.
SHPENZIMET E TURISTËVE NË KULMIN E SEZONIT
Korrik-Shtator 2022 1061 milionë euro
Korrik-Shtator 2023 1661 milionë euro
Rritja +645 milionë euro
NUMRI I TURISTËVE TË HUAJ NË VEND
Korrik-Shtator 2022 3,635,422 të huaj
Korrik-Shtator 2023 4,624,857 të huaj
Rritja +989,435 të huaj
SHPENZIMI MESATAR I NJË TURISTI
Korrik-Shtator 2022 291 euro
Korrik-Shtator 2023 359 euro
Rritja +68 euro
NETËT E QËNDRIMIT
Korrik-Shtator 2022 1,504,917 netë
Korrik-Shtator 2023 2,348,485 netë
Rritja +843,568 netë
NUMRI I VIZITORËVE
Korrik-Shtator 2022 472,664 netë
Korrik-Shtator 2023 737,438 netë
Rritja +264,774 netë
MESATARJA E NETËVE TË QËNDRIMIT
Korrik-Shtator 2022 3.1 netë
Korrik-Shtator 2023 3.1 netë
SHPENZIMET E TURISTËVE NË SHQIPËRI
Janar-Shtator 2022 2.192 mln euro
Janar-Shtator 2023 3.215 mln euro
Rritja +1.023 mln euro
NUMRI I VIZITORËVE
Janar-Shtator 2022 6,043,915 të huaj
Janar-Shtator 2023 7,791,228 të huaj
Diferenca +1,747,313 të huaj