Arkeologu, bibliografi, letrari, eseisti, e albanologu Aleksandër Stipçeviç: Ilirët janë autoktonë në trojet e Ballkanit Perëndimor
TIRANE – Ditë më parë në moshën 85-vjeçare u nda nga jeta arkeologu, bibliografi, letrari, eseisti, e albanologu Aleksandër Stipçeviç, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, nderuar e dekoruar nga shteti shqiptar me medaljen “Naim Frashëri” dhe me urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.Aleksandri lindi më 10.10.1930, në fshatin Arbanas pranë Zarës në Kroaci, në një familje me origjinë shqiptare, të ardhur rreth 300 vjet më parë, nga një fshat në zonën Ana e Malit në Mal të Zi.
Origjina e familjes e rrënjosur thellë në formimin e tij, ishte një nga arsyet që kur ishte student i arkeologjisë në Universitetin e Zagrebit, kishte vendosur të merrej me ilirët, dhe këtë e shpreh qartë në një artikull, në formë interviste të botuar shumë vite më vonë ku shkruan: “Me ilirët kam vendosur të merrem që kur isha student i arkeologjisë. Ata vazhdimisht më kanë preokupuar, në radhë të parë për shkak se kam menduar e mendoj se nuk mund të studiohet e kaluara e Ballkanit, madje as e tashmja pa njohjen e elementit ilir. Gjithçka që ka ndodhur në Ballkan prej kohës së mesme e këndej, në një farë mënyre, është ndërtuar mbi atë shtresë që ne e quajmë ilire.
Pra çdo tregim për Ballkanin fillon me Ilirët (“Bota e Re”, Prishtinë 1985).Libri i parë i tij “Gli Iliri”, Milano 1966, u përkthye në shqip nga Prof. Zef Mirdita dhe u botua në Prishtinë, 1967 nga Shtëpia Botuese “Rilindja”. Përkthyesi e kolegu prof.Z.Mirdita, më dërgoi një kopje të librit dhe në respekt ndaj autorit e vlerësim të veprës së tij, botova një recension për studiuesit e lexuesit në Shqipëri (Studime Historike, nr.4, 1968), ku ndër të tjera shkruaj: Vepra e A. Stipçeviçit, pas veprës së Karl Çaçit “Ilirët”, Tiranë 1923, shënon një sukses të ri në fushën e ilirologjisë. Autori ka mundur të japë një pamje më të plotë të historisë dhe të kulturës Ilire. A. Stipçeviç ka grumbulluar e sistemuar aspekte të ndryshme të jetës së ilirëve, të historisë dhe kulturës së tyre dhe ka arritur të bëjë një sintezë të gjithë asaj që ishte thënë e shkruar për ilirët”. Kështu u njoha me autorin e veprës Ilirët, njohje e më tej miqësi, që nëpërmjet shkrimeve, shkëmbimit të literaturës nuk njohu ndërprerje për mëse katër dekada.Prof. A. Stipçeviç, me punën sistematike, me rigorozitetin e akribinë e kërkuesit në vjeljen e sistemimin dhe përgjithësimin e rezultateve të studimeve ilire, vazhdoi ta ripunojë, ta plotësojë e zgjerojë veprën e tij “Ilirët”, e cila ka sot 9 botime e ribotime në katër gjuhë të ndryshme (italisht, kroatisht, shqip e anglisht). Varianti i fundit dhe më i ploti është ILIRËT, historia, jeta, kultura e simbolet e kultit, Tiranë 2002, f.514, botimet TOENA. Çdo njëra nga këto tema përbën edhe kapitujt e librit, ku secili është shtjelluar në detaje, thjeshtë e qartë. Kështu në kreun ‘Historia’ trajtohet emri ilir, etnogjeneza ilire, kufijtë etnikë e topografia e fiseve ilire, kolonizimi grek, shtetet kryesore ilire, luftërat iliro-romake dhe ilirët nën pushtimin romak.
Ndihmesa e A.Stipçeviçit qëndron në parashtrimin e pikëpamjes së tij rreth origjinës së ilirëve, i vendit dhe rëndësisë historike të ilirëve në botën antike. Ai mbështet tezën se ilirët janë autoktonë në trojet e Ballkanit Perëndimor. Me rëndësi është qëndrimi që mban autori ndaj depërtimit të kulturës e të qytetërimit romak. “Ilirët në tokat e tyre, shkruan autori, vazhdojnë të flasin gjuhën e tyre popullore, i adhurojnë zotërit e vet, të vdekurit i varrosin në mënyrën tradicionale, e punojnë tokën ashtu siç e kanë kultivuar në shekuj të parët e tyre, veshin kostumet e tyre popullore dhe e përfillin rendin shoqëror politik të organizimit të tyre fisnor, që vetëm në rast nevoje ia adoptojnë strukturës së administratës romake”. (Ilirët, Prishtinë 1980, f.70).
Në sajë të qëmtimit të kujdesshëm të burimeve të autorëve antikë e të dhënave nga zbulimet arkeologjike, autori jep për herë të parë një tok të dhënash me interes për jetën e përditshme e doket ilire, për lindjen, jetën e vdekje; për pijet, për veshmbathjen, për higjienën e sëmundjet. Shumë nga këto aspekte i ilustron me objekte të kulturës materiale, objekte të përdorimit të përditshëm e objekte kulti. Në punën e tij gati shteruese për çka është shkruar e botuar për ilirët A. Stipçeviçi rindërton jetën shpirtërore, religjionin, shfaqjet e totemizmit. Përpjekje bëhen për të nxjerrë nga thellësia e shekujve të dhëna për muzikën, vallet dhe për gjuhën e ilirëve. Për jetën ekonomike dhe marrëdhëniet shoqërore, autori në sythe të veçantë flet për bujqësinë, blegtorinë, gjuhën, peshkimin, minierat e kripës, prodhimin e qelqit, për piraterinë, tregtinë e rrugët tregtare, për monedhat dhe organizimin shoqëror të ilirëve.Aleksandër Stipçeviç ishte arkeolog kabineti. Ai drejtoi për një kohë të gjatë Bibliotekën e Akademisë së Shkencave të Kroacisë, duke dhënë një kontribut të shquar në përpunimin metodik e shkencor të librit. Është autor i Bibliografisë ilire, i Bibliografisë antike të Jugosllavisë etj. Për punën gjysmë shekullore dhe formimin enciklopedik të tij dëshmon edhe botimi i veprës “Povijest knjige” (Historia e librit), Zagreb 1985, f.560, shoqëruar me shumë ilustrime, e përkthyer në shqip dhe botuar në Prishtinë, 1988 e në Tiranë 2000. Rrëfimin për historinë e librit autori e nis me pllakat e shkruara prej balte të gjetura në Mesapotaminë e lashtë 4500 vjet më parë, me Bibliotekën e Aleksandrisë, me Shtypshkronjën e Gutembergut e deri tek libri elektronik. Dhe në fund shkruan: “Apo afrohet fundi i “Erës së Gutembergut”, d.m.th i librit prej letre, apo do ta zënë vendin e tyre “Bibliotekat e ardhshme të kompjuterizuara të Aleksandrisë? T’ua lemë këtë, përfundon A. Stipçeviç, historianëve të ardhshëm të librit”.Në vitet e fundit të veprimtarisë shkencore prof.A. Stiçveviç, ua kushtoi kërkimet e tij shkencore trashëgimisë kulturore, shpirtërore e gjuhësore të vendlindjes së tij, gjë që është pasqyruar në përmbledhjen me studime “Kultura tradicionale e arbëreshëve të Zarës”, Prishtinë 2012, f. 438, një vepër e shkruar me dashuri për vlerat dhe traditën e të parëve të vet.Prof. A. Stipçeviç, ka marrë pjesë aktive në shumë kongrese e konferenca shkencore të zhvilluara në Tiranë e Prishtinë. Në referatin që mbajti në Kuvendin e Dytë të Studimeve Ilire në Tiranë (1985), trajton dhe evidenton praninë e elementit ilir në tërë Ballkanin. Ai arrin në përfundimin se ky përbërës është një substat etnik, i cili është prezent tek të gjithë popujt e Gadishullit. Ai nuk mund të jetë kurrsesi element përçarës, por element bashkues. A.Stipçeviç në shumë raste u referohet studimeve të kolegëve shqiptarë kur shkruan: “Nga ekspertët të cilët jo që më kanë shërbyer si shembull, por që për mua sot janë me rëndësi të madhe, do të veçoja kolegët e mi shqiptarë: Anamalin, Prendin, Korkutin. Ata janë ekspertë të shkëlqyer dhe miq të mirë, të cilët janë absolutisht në nivelin botëror” (Bota e Re, Prishtinë 1985).Vepra kërkimore shkencore 50-vjeçare e Prof. A. Stipçeviçit për ILIRËT, për arbanasit e Zarës dhe më gjerë, qëndron e denjë e solide si “Gur ciklopik” (gurë masiv te skalitur me lidhje të thatë përdorur në ndërtimin e mureve të qyteteve e qytezave ilire të shek. IV-III p.e.sonë) në historinë e studimeve ilire.*Muzafer Korkuti, Arkeolog