“Viti i Ri nuk është i joni, mos festo festat e jo myslimanëve”, digjet bredhi në oborrin e komunës së Hanit të Elezit
Në orët e para të mëngjesit policia ka pranuar informatën se bredhi i vendosur në oborrin e komunës së Hanit të Elezit është kapluar nga zjarri.
Rastin për Gazetën Online Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësi për rajonin e Ferizajit, Kanun Veseli, i cili bëri të ditur se patrulla e policisë ka dalur menjëherë në vendin e ngjarjes derisa prokurori i rastit e ka iniciuar rastin si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
“Me daten 28.12.2023 rreth ores 02:23 kemi pranuar një informatë se Bredhi i Vitit të Ri, i vendosur në oborrin e komunës së Hanit të Elezit ishte kapluar nga zjarri. Patrulla e policisë ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që edhe një ekipë e zjarrëfikësve ka lokalizuar zjarrin. Lidhur me rastin ështē njoftuar edhe prokurori kujdestarë dhe është inicuar një rast “Shkaktim i rrezikut të përgjithshem”. Ndërsa në rast janë kyçur edhe njësia e hetimeve, të cilët po e hetojnë rastin”, tha Veseli për Reporteri.net.
Tutje ai ka bërë të ditur se sot në mëngjes rreth orës 09:30 policia ka vënë re se në disa rrugë ishin vendosur afishe me mbishkrimin “Viti i Ri nuk është e jona, mos festo festat e jo myslimanëve”.
“Me datën 28.12.2023 rreth orës 09:30 policia e stacionit në Han të Elezit , policët patrullues kanë vëretjur se në disa rrugë ishin vendosur disa afishe me mbishkim “Viti i ri nuk është e jona, mos festo festat e jo myslimanëve”. Policia e stacionit i ka marrë veprimet e nevojshme dhe është duke punuar intenzivisht në identifikimin e personit/personave të dyshuar. Në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj është inicuar rast për hetim ” Nxitje e përqarjes dhe mosdurimit”, tha Veseli për Reporteri.