Dy shkodranët Mitaj e Ndoj në mes 20 lojtarëve më të mirë në Botë, që konsiderohen të së ardhmes
Dy futbollistët me origjinë nga Shkodra, Mario Mitaj dhe Andreas Ndoj shikohen si lojtarë me prespektivë për të ardhmen. Dy shqiptarët janë pjesë e talenteve të lindur nga 2003 e më vonë të përzgjedhur në një raport të Qendrës Ndërkombëtare për Studime në Sport.
Mitaj është mbrojtës i majtë i cili aktivizohet me Lokomotiv Moskva dhe Kombëtaren A, ndërsa Ndoj qendërmbrojtës pjesë e Olympiacos, por ka luajtur edhe me Kombëtaren Shpresa.
Mario Mitaj edhe pse është 20 vjeç është kthyer në një titullar të padiskutueshëm te kuqezinjtë e drejtuar nga Sylvinho. Dhe si rrjedhojë në raportin e CIES ai zë vendin e 14-të në Botë si mbrojtës i majtë i kësaj ditëlindje.
Ndërkohë shkodrani tjetër Andreas Ndoj renditet i 19-ti në Botë për futbollistët e datëlindjes 2003, falë paraqitjeve shumë të mira të bëra me ekipin e Olimpiakos në Greqi.
Sipas këtij studimi të CIES, të dy këta lojtarë, si Mitaj ashtu edhe Ndoj kanë më përvojë për shkak të minutave që kanë patur në fushë gjatë 2023 ku në pjesën dërrmuese të ndeshjeve kanë qenë titullarë.
Qendra Ndërkombëtare për Studimet në Sport ka përfshirë në këtë raport 270 talente nga 49 kampionate në të gjithë botën. Aty ndodhen edhe Balde i Barcelona, Musiala i Bayern Munchen apo Bellingham i Real Madrid.