Odhise Paskali, skulptori i madh shqiptar i Monumentit të Skënderbeut
Më 22 dhjetor të vitit 1903, lindi njëri nga skulptorët më të njohur shqiptar, Odhise Paskali.
Studioi për Letërsi dhe Filozofi në Torino të Italisë, ku më pas vazhdoi studimet për histori arti në vitin 1927.
Vite më vonë, në 1931 krijoi shoqërinë “Miqtë e artit”. Në periudhën 1932-1937, në disa qytete të Shqipërisë, u ngritën disa monumente skulpturore, punime të autorit.
Skulptori i Popullit, Odhise Paskali mund të cilësohet pa frikë si themeluesi i skulpturës shqiptare dhe një nga personalitetet më të rëndësishme të artit shqiptar.
Ai u rrit dhe u edukua në një mjedis arsimdashës. Që në rini spikati zgjuarësia, shkathtësia dhe vullneti i tij për studime, aftësi që i bënë të mundur fitimin e së të drejtës së studimit të shkollës së mesme në Itali, ku u shqua si një ndër studentët më të mirë.
Po kështu, përfundon me rezultate të mira edhe Fakultetin e Letërsisë e Filozofisë në Torino dhe më pas studion edhe për histori arti. Që në vitet e hershme, Odhisea dallohet për shpirtin e iniciativës. Ai u bë nismëtar për krijimin e shoqërisë “Studenti shqiptar” në Torino dhe për botimin e revistës së studentëve shqiptarë të atjeshëm në vitet ‘20.
Ndërsa në vitet ‘30 e shohim nismëtar të shoqatës “Miqt e Arbrit”; si organizator të së parës ekspozitë të arteve figurative dhe të çeljes së Shkollës së Vizatimit në Tiranë. Hapat e para të karrierës së Odhisesë janë në fushën e publicistikës. Ai u shqua në estetikë dhe kritikë arti. Shkroi artikuj të ndryshëm me mendime e meditime për artin në mjaft organe shtypi të vendit apo të huaja.
Nëse mund t’u hedhësh një sy artikujve të tij të viteve ‘20, mund të vësh re aktualitetin e tyre edhe sot. Sikur këto shkrime të autorit të mblidheshin, mund të bëhej një botim i veçantë mbi publicistikën e tij. Odhisea dinte t’u përshtatej me shumë zgjuarsi situatave në çdo kohë.
Duke gjykuar se vendi në vitet ‘20-‘30 kishte mungesë skulptorësh, me të mbaruar fakultetin dhe studimet për artin, i përvishet punimeve plastike, pra artit të skulpturës pranë ateliesë së një skuptori italian realist e monumentalist të Torinos. Kështu ai bëhet skulptori i parë profesionist shqiptar.
Me pushtimin fashist të vendit, Odhisea si erudit në fushën e artit, caktohet anëtar i Institutit të Studimeve të atëhershme, por në mungesë edhe të porosive të mjaftueshme, për ngritje shtatoresh, detyrohet të çelë një punishte për përgatitje shkumësash për nevojat e shkollave të vendit.
Me çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë, krahas vazhdimit të krijimeve skulpturore për figurat e rilindasve, në tematikën e punimeve të tij zënë vend edhe heronjtë e popullit dhe dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Edhe pse Odhisea jetoi në Përmet vetëm 14 vjet dhe shumicën e jetës 82-vjeçare e kaloi në Itali dhe në Tiranë, ai ishte i lidhur me vendlindjen.
Përveç ecejakeve të herëpashershme pranë familjes në periudha të ndryshme para djegies së shtëpisë së tij në korrik të vitit 1943 nga fashistët, ai krijoi në vendlindje një sërë veprash.
Kur u emërua drejtor i Galerisë së Arteve aty nga vitet ‘60, ai nuk kishte dëshirë as t’i vinin telefon në zyrë, pasi zilja e tij e shqetësonte dhe nuk e linte të punonte.
Përveç punimeve konkrete, ai mbante shpesh shënime në formë ditari, qoftë për meditime mbi artin qoftë edhe kujtime historike, gjë që bëri të mundur, që një vit pas vdekjes së tij më 1986, të botohej libri “Gjurmë jete”, një material në fakt i shkurtuar e i cunguar.
Veprat artistike:
“I urituri”,
“KETI”,
“Malësori”,
“Lufëtari Kombëtar”, në Korçë
“Themistokli Gërmenji”, në Korçë;
“Ushtari i panjohur”,
“Partizani fitimtar” (Mathauzen, Austri) 1968;
“Naum Veqilharxhi”, bust në bronx , në Korçë;
“Monumenti i Skënderbeut në Tiranë” me bashkautorë, 1968;
“Gjergj Kastrioti (Skënderbeu)”
“Isa Boletini”
“Fan Noli”
“Onufri”
“Jeronim De Rada”, në Tiranë
“Pashko Vasa”
“Zef Skiroi”
“Çerçiz Topulli”
“Naim Frashëri”
“Vojo Kushi”
“Migjeni”
“Enver Hoxha”
“Idriz Seferi”
“Ahmet Zogu”, e shumë vepra të tjera. / KultPlus.com