Brunilda Ternova zbulon rolin e gruas ilire në antikitet dhe nxjerr në pah zhvillimin e lartë kulturorë të shoqërisë ilire të asaj kohe
“Gruaja ilire” – nga Brunilda Ternova
Shoqëria ilire nuk ishte patriarkale, në të vërtetë gratë kishin të drejta të barabarta me burrat, ndryshe nga ato greko-romake. Nga dokumentet e ndryshme del qartë se statusi i gruas në Iliri ishte shumë i ndryshëm nga ai i grave greke e romake, që duhej t’i nënshtroheshin autoritetit të padiskutueshëm të burrit gjatë gjithë jetës së tyre.
Disa autorë të lashtë vërejnë se ilirët ishin njerëz të shoqërueshëm dhe Atheneu na tregon (duke përdorur Theopompin), për emancipimin dhe lirinë e grave ilire që hanin e pinin me burrat gjatë festave të ulura në të njëjtën tryezë. Ato madje pinin dhe bënin dolli edhe me të huajt – diçka e padëgjuar në Greqi apo Romë, ku praktika të tilla konsideroheshin të papranueshme. Ka përshkrime të festave të aristokracisë ilire në të cilat përdoreshin pijet alkoolike, ku një vend të rëndësishëm zinte vera e mjaltit, e cila nuk dallohej nga vera e rrushit dhe që ilirët i njihnin dhe i përgatitnin. Ndër pijet e tjera ilire vlen të përmendet një lloj birre që përgatitej nga frutat dhe quhej “sabaja”. Festat ilire shoqëroheshin me muzikë dhe vallëzim.
Një nga studiuesit që i kushtoi studime të veçanta botës ilire ishte francezi Pierre Cabanez. Nga dëshmitë epigrafike të Dodonës së Butrintit, që i përket shekujve VI-I para erës sonë në Iliri, gratë kishin të drejta të barabarta me burrat dhe në disa raste gëzonin të drejta edhe më të mëdha se vet burrat. Prandaj ato kishin një status të lartë, duke u bërë shpesh udhëheqëse të grupeve fisnore.
Studiuesi francez Pierre Cabanez shkruan në studimet e tij: “Është veçanërisht interesante të vërehet vendi që zënë gratë në renditjen e grupit të familjes! Roli i saj i vërtetë kuptohet qartë nga vendimmarrja që ushtronte, për shembull në çlirimin e skllevërve, si dhe në menaxhimin e tyre. Në shumë raste gruaja ishte kryetare e grupit të familjes.”
Përsa i përket besimeve fetare, është e qartë se ilirët ishin paganë dhe besonin në një jetë të përtejme. Kështu, nga gjetjet arkeologjike që janë bërë në varreza të ndryshme, del se gratë ilire varroseshin së bashku me armët dhe sendet personale më të dobishme në të njëjtin nivel me burrat. Në Butrint mbishkrimet e zbuluara raportojnë 18 raste të dhënies së lirisë ndaj skllevërve, të ushtruar nga gratë fisnike ilire. Arkeologu italian Ugolini jep dy të dhëna të plota të çlirimeve të kryera: “Në Dodonë një grua liroi dy skllevër. Kjo zonjë i mbajti në shërbim të familjes së saj deri në fund të jetës”. Në një rast tjetër, një grua ilire liroi katër skllevër, nga të cilët tre ishin gra dhe një burrë. Nga mbishkrimet e zbuluara që i përkasin shekujve II dhe I p.e.s., gjejmë akte emancipimi dhe me shumicë të kryera nga gratë fisnike.
Shumat e mëdha të parave të përmendura në tabelat e gjetura tregojnë se ato ishin përgjegjëse për financat, duke treguar se sa të rëndësishme ishin gratë në shoqërinë ilire.
Pesë pllaka fildishi 1800-vjeçare të gjetura në qytetin shqiptar të Durrësit hedhin dritë të re mbi rolin e luajtur nga gratë në kulturën tonë të lashtë ilire. Mbishkrimet në pllakat e dyllit tregojnë se gratë merreshin me transaksione të rëndësishme financiare të nivelit të lartë. Ndër të tjera, ato gëzonin të drejtën e trashëgimisë, duke filluar nga familja e deri te organet më të larta drejtuese të shtetit. Shembuj të tillë janë Teuta, Berea, Birkena etj. Sipas Ciceronit, gratë ilire ishin “po aq të fuqishme dhe punëtore sa burrat e tyre…”.
Në historinë ilire kujtojmë këtu edhe dy shembuj shumë të rëndësishëm: Olimpian, mbretëreshën e Maqedonisë dhe Teutën, mbretëreshën e Ilirisë. Të dyja u edukuan sipas traditës ilire dhe kanë të përbashkët faktin e mbretërimit të vetëme në fron: Olimpia në emër të djalit të saj, Aleksandrit të Madh, dhe Teuta në emër të djalit të Agronit. Roli i gruas nuk mund të shpjegohet vetëm nga këto dy figura të rëndësishme, por edhe nga një tjetër më pak e njohur, Kinane e bija e Filipit II të Maqedonisë. Nga martesa e dytë e Filipit me princeshën ilire Audata lindi Kinane (ose Synane) e cila sipas burimeve letrare u edukua nga Audata sipas traditës ilire në kalërim, gjueti dhe mbi të gjitha në artin e luftës. Ajo ishte aq kompetente sa të fitonte komandën e një trupe ushtarake në ushtrinë e gjysmëvëllait të saj Aleksandrit.
Rëndësia e edukimit të femrës në kulturën ilire na është dëshmuar edhe nga gjetje arkeologjike nëpër nekropole ose në site të ndyshme, si psh: Figurina e “Atletes nga Prizreni” e cila daton rreth viteve 500 p.e.s. që na flet për kujdesin që tregonin ilirët ndaj edukimit fizik dhe sportit e ku ishin të përfshira edhe vajzat dhe gratë ilire. Po ashtu Statuja e Menadës nga Tetova që daton rreth shekullit VI p.e.s., një tjetër dëshmi për kujdesin që tregonin ilirët ndaj edukimit artistik, muzikor dhe vallëzimit. Po kështu kemi “Hyjneshën në fron”, një statujë e vogël terrakote e kulturës neolitike e 5700-4500 p.e.s. e njohur edhe si kultura e Vinçës (ose kultura Turda-Vinça) një hyjni femër që reflekton kultin e idhullit të madh të nënës e të gruas në veçanti.
Gratë ilire të shtresave të mesme dhe të larta të shoqërisë ilire mund të vendosnin edhe të mos martoheshin, mund të merreshin me politikë, të komandonin ushtri, të ndiqnin shkolla të rëndësishme, të njëjtat që ndoqën Jul Cezari, perandori August e të tjerë. Kërkimet arkeologjike dëshmojnë ekzistencën e gjimnazit në qytetin e Apolonisë që nga fundi i shekullit VI para Krishtit. Më vonë u hapën gjimnaze dhe institucione të tjera arsimore në qytete si Amantia, Byllis, Durrës, Epidaurum, Nikaia etj. Dëshmitë historike flasin për Shkollën e Apolonisë, në të cilën në vitin 44 ishte student edhe nipi i Jul Cezarit, Oktavian Augusti, ndoshta sepse në këtë institucion arsimor mësonin studiues të shquar të kohës.
Shkolla e famshme e qytetit të Apollonisë ishte një shkollë filozofiko-retorike në të cilën nxënësit mësonin njohuri nga fusha si filozofia, oratoria (retorika), letërsia, gjuha, etj. Gjeografi dhe historiani antik Straboni në veprën e tij Geographica e përshkruan atë si “një qytet me ligje të mira” (polis eunomotate). Edhe oratori romak Ciceroni, i cili i kishte vizituar këto zona në vitin 58 në veprën e tij Philipicae, e përshkruan Apolloninë si një “qytet të madh dhe madhështor” (latinisht: magna urbs et gravis) me një shkollë filozofie dhe oratorie. Ekzistenca e bibliotekave dhe stadiumeve është vërtetuar në disa qytete ilire. Në periudha të ndryshme historike në Iliri funksionuan institucione arsimore në të cilat ndiqnin mësimin fëmijët e shtresave të pasura ilire, përfshih edhe vajzat.
Të gjitha sa më sipër dëshmojnë se edukimi i ilirëve, veçanërisht i gruas ilire, ishte një veprimtari shoqërore e ndërgjegjshme, e vazhdueshme dhe e mirëorganizuar, duke përforcuar idenë se niveli i përparimit të një shoqërie varet nga niveli i përparimit të vetë gruas. Pra, ato ishin qytetare të denja me autoritet, me të drejta, me fuqi vendimmarrëse dhe shumë më tepër sesa fqinjët e tyre kufitarë greko-romakë. Prandaj më të avancuar dhe më të emancipuar për epokën në të cilën jetonin, me liri e barazi duke pasur parasysh nivelin kulturor, ekonomik, tregtar, politik të Ilirisë.
Me vendosjen e pushtetit romak në rajonin ilir, struktura shoqërore nuk pësoi asnjë ndryshim. Romakët, të prirur ndaj pragmatizmit politik, ruajtën gjendjen e mëparshme të strukturave shoqërore, duke u dhënë atyre vetëm interpretimin juridik romak.
[Itali, 2023]
[Falenderoj gazetën “Rrënjët” dhe kryeredaktorin e saj zotin Hasan Aliaj për publikimin e artikullit tim mbi gratë ilire në nr.7 të dhjetorit 2023.]