Shaip Kamberi fiton mandatin e deputetit në Serbi, kandidati i Shqiprim Arifit pëson humbje të thellë
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, janë zhvilluar ditën e sotme të përcjellura edhe me zgjedhje të pjesshme lokale, krahinore dhe ato për Beogradin.
Ajo që ishte më me interes për shqiptarët, janë rezultatet e dy listave që garuan në këto zgjedhje; Koalicioni “Beteja politike vazhdon – Shaip Kamberi” dhe koalicioni “Alternativa Demokratike Shqiptare” e përbërë nga APN Shqiprim Arifit dhe LR e Sami Salihut.
Sipas rezultateve të numëruara deri më tani, lista e Shaip Kamberit ka marrë 11.454 vota dhe lista e Shqiprim Arifit ka marrë 1.156 vota.
Bazuar në këto rezultate, Shaip Kamberi ka fituar mandatin e deputetit në Parlamentin republikan në Beograd.
Lajm ky të cilin e ka konfirmuar edhe Kamberi.
Derisa bartësi i listës Alternativa Demokratike Shqiptare, Visar Memeti ka humbur të gjitha gjasat për mandatin e deputetit.
Kujtojmë që numërimi i votave nuk ka përfunduar në tërë territorin e Luginës së Preshevës.