Neritan Ceka: Si u zbulua qyteti 2600-vjeçar Arnisa, 70 vite më parë
Arnisa një qytet i lashtë ilir, i zhdukur, dhe që figuronte vetëm në hartat e Ptolemeut, ishte lënë gati në harresë, plot 70 vjet pas zbulimit të gjurmëve të para të saj nga babai i arkeologjisë, Hasan Ceka.
Në një intervistë për Report TV, arkeologu i njohur Neritan Ceka, djali i Hasan Cekës, rrëfen se çfarë ka ndodhur gjatë gërmimeve arkeologjike të pjesshme të bëra gjatë viteve ‘80, pranë fshatit Babunjë të Lushnjes.
Zbulimet e bëra në këtë qytet datojnë disa shtresime historike me zanafillë 2600-vjeçare. Janë bërë gjetje arkeologjike që datojnë në shekullin e 6-të para Krishtit, ku janë gjetur pjesë qeramike të shekullit të shtatë e të pestë para Krishtit.
Muri mbrojtës është ndërtuar gjatë shekullit të IV-të para Krishtit, kohë e lulëzimit të kulturave ilire dhe helene.
Intervista me Neritan Cekën, për Report TV, Zhvillohet menjëherë pas zbulimeve më të fundit të ekspeditës së ekipit gjerman dhe shqiptar në Babunjë të Lushnjës.
Ekipi i arkeologëve këto ditë ka nxjerr në dritë rrënojat e qytetit antik të Arnisës.
Kjo është një ekspeditë kërkimi dhe shpëtimi, por vet qyteti u zbulua 70 vjet më parë nga babai i arkeologjisë Hasan Ceka. Ndërkohë, arkeologu, Neritan Ceka flet për kujtimet e zbulimeve të para, rezultatet e zbulimeve të fundit dhe për vlerën e jashtëzakonshme të tyre në fushën e studimeve ilirike.
Intervista e plotë:
Profesor Ceka, këto ditë janë bërë disa gërmime arkeologjike në qytetin antik të Arnisës, por dimë që ky qytet është zbuluar rreth 70 vjet më parë. Çfarë mund të na thoni për historinë e gjetjes, të zbulimit në fakt të këtij qyteti antik?
-Ekspedita në Baninjë të Lushnjës është organizuar nga instituti i arkeologjisë si një bashkëpunim me një ekip gjerman dhe është në vazhdim i një tradite të krijuar prej kohësh, në kërkimet që lidhen sidomos me qytetin e Apolonisë dhe të Durrësit. Duhet të themi që Arnisa është një emër kodi, nuk është vërtetuar akoma. Pagëzuesi kam qenë unë, duke u përpjekur për ta identifikuar me një qytet të transmetuar nga gjeografi aleksandrin, Ptolemeu. Por, koordinatat që jep ai nuk janë asnjëherë të sigurta. Megjithatë, është një qendër e rëndësishme.
Hasan Ceka në fillim bëri gërmime shpëtimi, duke identifikuar murin rrethues të qytetit dhe duke dhënë provat e para të ekzistencës së kësaj qendre të rëndësishme në rrugës midis Apolonisë dhe Durrahut dhe më vonë shkroi edhe një artikull të veçantë në lidhje me këtë rrugë, e cila u përtëri në fakt në periudhën romake, duke u pajisur edhe me gurë miliardë, pra duke iu referuar zbulimit pikërisht të këtyre gurëve.
Në fund të viteve ‘70, kur unë kam punuar në bërthamën arkeologjike të Fierit, bashkë më kolegët e mi Myzafer Korkuti dhe Skënder Muçaj, kemi bërë një ekspeditë përnjohëse në atë zonë, veçanërisht duke ndjekur rrugën që shkonte nga Apolonia në Durrah, duke pasur parasysh si qendër kryesore Divjakën, ku vinte një burim i madh objekte arkeologjike të kohës, të mbledhura nga një mësues i pasionuar në Divjakë dhe nga kërkimet sipërfaqësore përcaktuam se kjo qendër kishte një histori më të gjatë se ajo që qe vërtetuar më parë, që ishte thënë se ishte një qendër e shekullit IV para erës sonë dhe ne gjetëm materiale nga gërmimet që ishin bërë për ushtrime ushtarake, por që ishin futur me këto punime në shtresa kulture arkeologjike dhe kishin nxjerrë në dritë materiale që datoheshin që nga shekulli VI para erës sonë.
Pra, dukej qartë që ishte një qendër e krijuar menjëherë pas krijimit të Apolonisë, që ishte e fundit shekullit VII dhe Durrësit që ishte i së njëjtës kohë. Pra, midis rrugës tokësore që ishte më e sigurta krahas asaj detare, qoftë apolonianët, qoftë durrahasit kishin vendosur për krijimin e një qendre të fortifikuar.
Më pas, një mësues i pasionuar, në vitet 1988-1989, nga Lushnja, që ishte mësues i historisë së gjimnazit që përfshihej me ata që punonin në atë kohë me Institutin Arkeologjik, Perikli Çuko, bëri gërmime arkeologjike që u përqendruan në murin rrethues, duke hapur traktet të gjata të murit rrethues dhe duke parë që ky mur ishte njësoj si ai i Apolonisë në dy drejtime; qoftë nga teknikat e ndërtimit; pra përbëhej nga një krepis, një cokël prej gurësh dhe sipër pastaj ishin ndërtuar me tulla, në mënyrë identike më atë të Apolonisë. Por më të rëndësishme ishin shkronjat, që ishin vendosur nga gurgdhendësit mbi gurët, dhe një monogram që përmbante germat Δ-delta Α-alfa dhe që shpjegohet me damosios ose damosia që do të thotë që është e komunitetit e bashkësisë dhe kjo është tipike për muret e Apolonisë.
Një fakt i tretë, që doli edhe nga kërkimet tona të mëparshme ishte që, qeramika e gjetur atje dhe veçanërisht vulat në tjegulla, Hairenos, që ishte një prodhues apolonian, tregonte që ekonomikisht ky qyqet ishte lidhur me Apoloninë. Me rëndësi ishte dhe që, Perikli Çuko vërtetoi nga gërmimet se kishte një shtresë të mirëfilltë dhe një mur rrethues para atij me gurë të punuar dhe ai e datonte në periudhën e hekurit, dhe materialet tregojnë se në murin rrethues materialet do të tregojnë se do jenë të lidhura me shtresa më të hershme që është shtresa e shekullit të gjashtë para erës së re, që është edhe shtresa e krijimit të qytetit.
Sa shtresa historike, periudha apo epoka të mëdha shtresohen në këtë zbulim arkeologjik?
-Deri më sot janë vërtetuar dy shtresa dhe dy rrethime. Pra, rrethimi i parë i bërë menjëherë pas krijimit të qytetit me gurë të punuar pak trashë, dhe sidoqoftë ishte një teknikë që thotë arkeologu Perikli Çuko që bëri gërmimin; që ishte e një teknike të zbatuar njësoj i në Apoloni, e që datohet në shekullin VI para erës sonë. Pra kjo është periudhë e instalimit të kolonistëve në Apoloni dhe në Dyrrah dhe roli i Babunjës, që i thonë sot, e që po vazhdojmë ta pagëzojmë si Anisa ishte një stacion rrugor që kontrollonte dhe siguronte kalimin e qetë midis dy qyteteve antike.
Pastaj formën e një qyteti. Arnisa e mori në shekullin IV para erës sonë, kur, me të njëjtën teknikë si të Apolonisë u krijua muri rrethues. Është një qytet relativisht i vogël, nuk i kalon 5-6 hektarët. Pra është një qytet mesatar i kohës antike, por që gërmimet e fundit pastaj kanë vërtetuar se kishte një kualitet të lartë jetese, që e tejkalon pamjen e parë të një qyteti.
Si ka qenë në të vërtetë qyteti, nëse duam të krijojmë një përfytyrim për të sot?
-Gërmimet e fundit, të bëra nga ekspedita shqiptaro-gjermane, kanë vërtetuar se i gjithë qyteti përbëhej nga sistemi hipodamik si në Apoloni. Pra i gjithë qyteti ishte i ndërtuar me një plan urbanistik, i ndarë nga rrugë me kënde të drejta. Natyrisht jemi akoma herët, jemi në fazën e zbulimit të rrugëve dhe të banesave, dhe natyrisht qyteti duhet të ketë një agora, duhet të ketë një tempull dhe pjesën publike të tij, që pritet të zbulohet në gërmimet e ardhshme. Natyrisht është një punë e gjatë, një punë që kërkon vite, që kërkon fonde, dhe ajo që duhet vlerësuar në këtë rast është këmbëngulja. Duhet të themi se suksesi është i dukshëm, por ritmet janë të ngadalta. Në qoftë se do të vazhdojmë me këto ritme ne do të kemi një përfytyrim për Babunjën vetëm pas 100-vjetësh.
Duhet t’ju them se kur gërmonin me Perikli Çukon që ishte një mësues, kishte të paktën 20 a 30 punëtorë, ne sot gërmojmë me 5-6 punëtorë. Ashtu si në Bylis, ne kemi zbuluar një Bylis, që është sot në qendër e madhe ilire, ku kemi teatrin, stoat, shëtitoren, stadiumin, banesat, murin rrethues dhe kemi punuar atje gati 20 vjet, duke pasur nga 100 punëtorë, staf studentësh, staf arkitektësh dhe duke pasur prezentë restauratorët e Institutit Monumenteve. Sot gërmimet që bëjmë në Bylis janë me 6 punëtorë, me dy arkeologë, pa studentë, pa fonde, pa dieta. Natyrisht, po të kishim punuar me këtë lloj sistemi, me këtë mentalitet që kanë qeveritë tona sot, pavarësisht nga ngjyra, për këto që kemi zbuluar në Bylis, do na duheshin të paktën 300 vjet.
Nëse iu kthehesh kujtimeve, a janë diskutuar ndonjëherë në familjen tuaj përpjekjet që ka bërë babai juaj për të pasur gërmime edhe në atë kohë, për të sistemuar apo dokumentuar artefaktet që janë gjetur në Arnisa?
-Natyrisht që babai im ka qenë i lumtur, për sa i përket aktivitetit arkeologjik. Unë kujtoj momentin kur ai mori në atë kohë udhëzimin për të rifilluar gërmimet arkeologjike në Apoloni që kishte bërë Leon Rey në vitet 20-30, por që ishin ndërprerë nga lufta. Në vitin 1948, Hasan Ceka ka filluar gërmimet arkeologjike me 30 punëtorë në një Shqipëri që nuk kishte rrugë, që s’kishte xhama, që s’kishte ujë, që s’kishte bukë. Megjithatë kishte një përkushtim. E, me këtë nuk dua t’i bëjë një homazh diktaturës, se duhet ta ndajmë diktaturën nga fryma që ekzistonte tek ata që krijuan menjëherë Institutin e Shkencave, si Eqrem Çabej, Aleks Buda, Mahir Domi, Selim Islami, Skënder Anamali, Hasan Ceka, e kështu me radhë, të cilët me entuziazëm bënë kërkime në fushën e arkeologjisë ilire, duke plotësuar Historinë e popullit tonë, prejardhjen e ilirëve, prejardhjen e shqiptarëve, e duke treguar që ilirët, shqiptarët, janë trashëgimtarë jo vetëm të një kulture, jo vetëm të një historie, por edhe të një prejardhjeje gjaku, por edhe e të një linje kulture që kanë qenë për atë kohë gjithmonë e një niveli mesdhetar.
Në këtë drejtim, le të kujtojmë edhe gërmimet për Babunjën. Do t’ju them se gërmimet në Babunjë janë bërë në vitin 1947-1948, menjëherë pas Apolonisë, në të njëjtën kohë që janë bërë gërmime edhe në Amantia, bashkë me Skënder Anamalin, me çadra, me mungesën e plotë të çdo gjëje, por me një mbështetje financiare që vinte nga një qeveri që kishte shumë probleme. Ta lëmë pjesën e diktaturës, por në atë kohë, në vazhdim të një tradite që vinte nga Rilindja, kishte një kujdes për kulturën dhe për arkeologjinë.
Unë po ju them që sot ne harxhojmë më shumë se në kohën e komunizmit, por të gjitha shkojnë për paga, shkojnë për festa, dhe rezultati është që ne jemi në një rënie, në një kthim prapa, që unë do ta krahasoja vetëm me kohën e Turqisë.
Nëse flasim për një zbulim të hershëm, ne duhet të flasim edhe për ato gjetjet e para, që janë pikërisht objekte që tregojnë kujt qytetërimi i përkasin. Ku janë ruajtur këto objekte, cilat janë konkretisht?
-Natyrisht që gjetjet e para janë në Muzeun Arkeologjik në Tiranë, janë në fondet e Muzeut, duke përfshirë edhe ato që ka zbuluar Hasan Ceka, duke iu referuar edhe atyre që kemi marrë në muzeun e fierit, dhe atyre që u mbajtën atëherë në depot e Apolonisë. Janë në depot e Muzeut Arkeologjik në Tiranë. Duhet të themi në këtë rast se i vetmi institucion në drejtim, që po vazhdon punën, me sakrifica- në kundërshtim me atë që bëhet në Ministrinë e Kulturës, atje ku Instituti i Monumenteve ka bërë një braktisje totale të monumenteve arkeologjike – është vetëm Instituti i Instituti i Arkeologjisë në punë, që çdo verë bënë mbi dhjetë ekspeditat me sakrifica të jashtëzakonshme.
Nga një bisedë e mëparshme, më thatë se nga zbulimet që ka bërë babai juaj bashkë me kolegun Perikli Çuka, nuk keni në shtëpi ndonjë dorëshkrim, ndonjë një skicë apo dokument. Ku po ruhen arkivat e një arkeologu, e një studiuesi, sepse normalisht janë edhe punë të lëna përgjysmë?
– Po natyrisht që janë të gjitha në Institutin e Arkeologjisë, është një arkiv që është tashmë e dixhitalizuar. Nëse do të klikoni atje, do të gjeni edhe raportet e gërmimeve të Babunjës në atë kohë, të skicave, ashtu siç do të gjeni edhe dokumentet e Perikli Çukos, raportet e gërmimeve. Arkeologu nuk merr asgjë në shtëpi. Ne në shtëpi tonë japim 100 vjet kontribut në arkeologji. Jemi tri breza arkeologësh; ishte babai im, jam unë, është edhe vajza ime arkeologe, por nuk kemi asgjë në shtëpi. Në shtëpinë tonë s’ka objekte arkeologjike dhe të gjitha ato që ka pasur babai janë të dorëzuar në Arkivin e Institutit të Arkeologjisë. Atje do gjeni planimetritë, dizenjot, fotot. Dhe aty duhet të jenë, se këto gjëra humbasin.
Unë do t’ju them dhe rastin e profesor Pierre Cabane, i cili ka punuar për Shqipërinë. Ka 50 vjet që punon për Shqipërinë, e tani që ka dalë në pension, ka propozuar që e gjithë Biblioteka e tij të vijë në Shqipëri.
Ky qenka lajm!!!
-Edhe është, edhe nuk është lajm, sepse autoritetet e dinë këtë punë prej një viti, dhe nuk e kanë çarë kokën fare për këtë propozim që është një propozim bujar. E mund të mendosh që bëhet fjalë për një bibliotekë të jashtëzakonshme.
Nëse bëhet fjalë për Bibliotekën e profesor Pierre Cabane, a bëhet fjalë për pjesën veprave që lidhen me zbulimet që janë bërë këtu në Shqipëri?
-Është një pjesë e rëndësishme, është një bibliotekë e përqendruar tek Shqipëria. Nuk bëhet fjalë për libra shqip, por për libra që kanë lidhje me zbulimet për Shqipërinë, por edhe me të gjitha botimet që i referohen Shqipërisë, revista, artikuj që nuk gjenden më e që nuk kam parë asnjë interes nga autoritete shtetërore.
Nëse duam të dimë se çfarë ka në raportet e babait tuaj, ose studimet për zbulimet që ka bërë, ku duhet t’i gjejmë ato?
-Ka revista për arkeologjinë, si “Iliria” që u botua në vitet ’70. Por në Institutin e Arkeologjisë keni vëllime të tëra raportesh të lidhura dhe aty keni edhe raportin për Babunjën.
Pak ditë më parë në një intervistë për Report TV, një arkeolog i ri, Jani Koçillari, që jeton në Itali, ngriti problemin se historia ilire po studiohet pak, dhe një tjetër problem; që arkeologët e huaj nuk vijnë të studiojnë kulturën ilire, por zbulojnë elementë të kulturës së tyre, në sitet tona arkeologjike. A mendoni dhe ju se kërkimi dhe studimet ilirike janë një proces i ndërprerë?
-Kemi rënie. Kemi largim të njerëzve nga arkeologjia, sepse nuk e gjejnë veten më, diplomohen në vit 40 studentë dhe dalin të papunë. Pra, nuk thithen në sistemin e arkeologjisë, ndaj shkojnë e punojnë kamerierë. Dhe ata që punojnë në sistemin e Ministrisë së Kulturës, 90 për qind të tyre nuk kanë të bëjnë me arkeologjinë. Janë vetëm nëpunës dhe nuk bëjnë asgjë. 100 vetë ka sistemi i Ministrisë së Kulturës në fushën e monumente të kulturës, vetëm për arkeologjinë, ajo që quhet Drejtori Rajonale dhe Instituti i Monumenteve, në krahasim me 30 që ka pasur në kohën e komunizmit.
Dhe këtu del edhe problemi i të huajve që gërmojnë në këto site. Natyrisht që, ne kemi qenë gjithmonë në një kontrast me arkeologët e huaj. Duhet të pranojmë se arkeologjia e huaj është e obseduar nga modelet romake dhe helene. Pra për ta: çdo gjë që ka formën e imazhin grek, është greke, kur e dimë fare mirë që në këtë imazh kanë punuar edhe popujt e tjerë. Ilirët vetë kanë marrë imazhe greke dhe i kanë transformuar në kulturën e tyre, latinët, trakët, po ashtu. Edhe romakët kanë marrë modelet dhe i kanë përshtatur në kulturën e tyre. Dhe ka qenë shumë e vështirë për të krijuar idenë e një kulture ilire të veçantë, qoftë për periudhën prehistorike, ku është edhe më lehtë të dallohen, por sidomos për periudhën qytetare që ata e quajnë periudhën e tyre helenistike, dhe ne e quajmë periudha e qytetarisë ilire, që përcaktohet me veprimtarinë e tyre. Këto qytete me kulturë helene, janë qyte ilire dhe drejtoheshin nga ilirët si Bylisi, Amantia, Zgërdheshi, Alanopolisi, Shkodra, Lezha, etj, dhe kishin shtetin ilir. Janë qytet të tëra me dinastitë e tyre dhe me monedhën e tyre, dhe me historinë e tyre, ku kishin Bardhylin, Klitin, Plauratin, Skerdilajdin, Glaukian. Të huajve e ke vështirë tua japësh këtë imazh, se kështu janë edukuar në shkollat e tyre.
E dyta, ka një lloj filiacioni me rrymat antishqiptare që veprojnë edhe në historinë e lashtë; që mundohen t’iu mohojnë shqiptarëve prejardhjen prej ilirëve, se kështu e kanë më lehtë që të vertetojnë e të thonë se “sllavët kanë ardhur para shqiptarëve e janë futur shqiptarët në tokat e tyre”, dhe “u takon atyre Kosova” apo “Epiri ka qenë gjithmonë grek dhe çamët janë futur më vonë në tokat e tyre”. Pra, këto paraskena historike luhen edhe në arkeologji.
Dhe ne duhet të jemi seriozë. E para e punës, të vërtetojmë se ky popull nuk ka rënë nga qielli, e as ka rënë nga balta e nga shpella. Është një histori kulture shumë e vjetër dhe këtu nuk është çështje nacionalizmi dhe ne kemi thënë atë që përkthehet nga gjuha e objekteve, por është çështje interpretimi. Ja ç’ndodh sot. Bylis s’po bëhet ende një qendër e vizitueshme. Ne nuk kemi arkeologë në Bylis. Në Butrint nuk kemi drejtor-arkeolog, por kemi një drejtor që shkon nga Tirana në punë. Pse shkon ai nga Tirana në Butrint. Ia kam thënë këtë edhe ministres që shkoi e ministres që erdhi. Butrinti nxjerr një milionë euro në vit dhe nuk u japin hakun arkeologëve. Arkeologët i kanë nxjerrë këto një milionë euro. Ndaj jemi në një katastrofë të plotë që është antikombëtare. Në fund të fundi, kjo është një indiferencë antikombëtare…!
Duke iu referuar qytetërimit, që ka ekzistuar në Arnisa (Babunjë), grekët kanë ardhur si kolonë, apo kanë ngritur qytetërimin atje?
-Patjetër që kanë ardhur si kolonë, por janë të izoluar. Duhet të kuptojmë që ka një brez të kolonive greke që është Orikumi- është qytet helen në të gjitha drejtimet, është Apolonia- që është qytet helen, Durrësi- është qytet helen dhe Arnisa është komunikimi midis tyre. Por, duhet të themi që në këto qytete banojnë ilirë që nga fillimi. Ka një popullsi të konsiderueshme ilire, që del nga emrat e mbishkrimeve, emrat të cilat shfaqen edhe në postet më të larta, tek Plutani. Imagjinoni, kryetari i bashkisë së Apolonisë, apo të Durrësit në atë kohë ishin disa herë ilirë. Pra është një popullsi që ruan traditën e vet, por që ka emrat, ruan kostumet.
Në Durrës dhe ne Apoloni kemi disa gra me veshje ilire. Dihet që gruaja është elementi kryesor që ruan traditat. Dhe natyrisht që në prapatokën, në pjesën tjetër, kemi qytete ilire që zhvillohen sipas modeleve që morën nga Apolonia, por jo vetëm modelet që kanë marrë duke imituar. Pra kemi një popullsi që bashkëjeton me grekët, por që zhvillon shtetin, zhvillon kulturën në mënyrë krijuese, jo nga hiç gjë. Kemi një kulturë të ngjashme, por që nuk është identike.
Për sa u përket zbulimeve të fundit në Arnisa, jeni bërë kurioz, kemi marrë të dhëna apo keni shkuar ndonjëherë për t’i parë?
-Unë nuk kam shkuar këtë vit, por kam shkuar vitin e kaluar dhe kam marrë informacione, sepse çdo vit bëhen konferencat ku paraqiten rezultatet e kërkimeve arkeologjike.
Cilat kanë qenë informacionet më të rëndësishme që ju kanë bërë përshtypje si arkeolog?
-Unë mendoj se e reja më ë rëndësishme është organizmi kuadatrik, ortogonal, hipodamik- që e quajmë sipas arkitektit të parë grek, që shpiku këtë mënyrë organizmi të hapësirës së brendshme të qytetit. Dhe kjo dëshmon siç kemi vërtetuar edhe në qendra të tjera, zbatimin e një sistemi hipodamik që lidhet me higjienën, me bashkëjetesën. Qyteti ishte qytet dhe nuk ishte fshat, dhe me kualitetin e jetesës dhe këtë sistem e kemi edhe në Margëlliç që është një qytet pak më madh se Arnisa, ku kemi zbatimin e sistemit hipodamik dhe shtrimin me pllaka guri. Pra, kërkimet arkeologjike kanë vërtetuar se jeta ilire në kontakt me botën greke kishte të njëjtën kualitet jete si dhe ajo greke. Në Babunjë, por edhe në Bylis, por natyrisht edhe në Apoloni, qyteti ishte ndarë me rrugë që priteshin me kënde të drejta dhe kishte çdo 60 metra një rrugë që ishte rreth 6 deri në shtatë metra të gjerë dhe ne çdo 30 metra ndahej kjo që quhej ishulli ndahej në mes nga një rrugicë që mblidhte dhe ujërat e shirave, dhe kishte gjithashtu edhe qendrën shoqërore. Në qoftë se do vini në Bylis, është qendra shoqërore, është katër hektarë, pothuaj sa sheshi i Tiranës, dhe pastaj shtihet më një galeri dykatëshe që janë 200 metra e gjatë dhe zyrat ku nëpunësit zgjidhësin çdo vit e nuk paguesin nga shteti, ishin nëpunës part time që jetonin me rrogat e tyre, jo të komunës, dhe natyrisht që kujdesi ishte ndaj korrupsionit dhe veçanërisht ndaj arrogancës dhe arbitraritetit. Prandaj dhe nëpunësit zgjidheshin çdo vit. Kryetari zgjidhje çdo vit. Madje në Apoloni kishte një sistem që zgjedhjet bëheshin çdo muaj, pra në vit kishte 12 kryetarë, ku secili prej tyre qeveriste çdo muaj. Pra ishte ky kujdes që i largonte nga tmerri që kemi ne sot, nga arroganca dhe arbitrariteti…!