Politikani serb: S’është guxim të shkosh në Kosovë, por ta tregosh të vërtetën për të – serbët e shqiptarët duan paqe
Vladimir Kovaçeviq, bartësi i listës “Serbia në Perëndim”, tha se si qeveria ashtu edhe një pjesë e opozitës në Serbi po përpiqen të marrin pikë bazuar në çështjen e Kosovës dhe siç tha ai, “të fitojnë në garë për patriotin më të madh fallco në këto zgjedhje”.
“Lista ‘Serbia në Perëndim’ u thotë të gjithëve së bashku se nuk është guxim të shkosh në Kosovë, as nëpër pyll e as përtej kufirit, por është guxim të përballesh me të vërtetën për Kosovën, e cila duhet të jetë efektive për secilin prej nesh. Mjaft me shumë gënjeshtra dhe shtirje, shtrirja e tre gishtave dhe varja e fotografive para manastirit, pasi serbët dhe shqiptarët më në fund duan të jetojnë normalisht dhe të kenë paqe për veten dhe fëmijët e tyre”, tha Kovaçeviq.
“Ne nuk i gënjejmë njerëzit në këtë vend, nuk u ofrojmë tema të rreme për të mbuluar të vërtetat, nuk i mashtrojmë me histori për Kosovën heroike, ndërsa pjesa tjetër e Serbisë po shpërbëhet”, tha Kovaçeviq.
Kovaçeviq u tha serbëve që ta dëgjojnë me vëmendje se çfarë po thuhet në këtë fushatë dhe t’i krahasojnë ato fjalë me veprime menjëherë në mëngjesin e 18 dhjetorit.
“Atëherë do të jetë më mirë të shihet kush është opozita e vërtetë dhe kush është opozita e rrejshme, dhe kush është heroi nga Kosova për shkak të fotos nga Instagrami dhe kush kujdeset për të gjithë njerëzit pa dallim kombësie, sepse të gjithë vuajmë njëlloj”, tha Kovaçeviq.