Gërmimet në Himarë/ Arkeologu zbulon gjetjet në varrezat mbi 3500-vjeçare në jug të vendit
Rreth një muaj më parë, arkeologët shqiptarë zbuluan në shtratin e përroit të Koramit në Himarë tumën e tretë ilire, që konsiderohet nga studiuesit si një nga monumentet më befasuese të periudhës së bronzit dhe hekurit në bregdetin jonian. Tuma e tretë u zbulua pranë varrezës tumulare të Himarës, të cilat quhen të tilla pasi janë varre të ndërtuara në kodër.
I ftuar në “ABC e Mëngjesit”, arkeologu Mariglen Meshini tregoi se viti 2023 ka qene shumë i mbarë për zbulimet, pasi me këto gërmime kanë fituar materiale tepër interesante për tumat dhe jetesën në Himarë të mijëra viteve më parë.
Sakaq, ai tha se tashmë po studiohet materiali skeletor, ku do të zbardhen dhe më shumë të dhëna.
“Viti 2023 ishte viti që na dha zbulimet më të mëdha në zonën e Himarës. Tani po vazhdojmë gërmimet në një zonë të fshehur. Në fakt erozioni që hap dhe kanale, ku u zbuluan dhe indiciet e para të këtyre tumave që ne kemi sot. Bashkë me punën dhe këmbënguljen që ka pasur dhe kolegu Çipa ia kemi dalë.
Ky vit na ka dhënë material shumë interesant se na zbulon kohëzgjatjen dhe mbi të gjitha lidhjen midis këtyre tumave. Kemi disa indicie që mund ta lidhim me një vendbanim të mundshëm aty pranë.
Nga materiali kemi zbuluar inventarin e varreve. Ky vit ka qene shumë i pasur se kemi zbuluar dhe elemente zbukurimesh të grave apo dhe elemente të ceremonive.
Ne për fat të mirë në këtë ekspeditë kemi pasur dhe një antropolog, që është duke studiuar materialin skeletor, i cili këtë vit është më i parë. Kemi mundësi që të bëjmë dhe disa analiza më të detajuara në Austri në bazë të një marrëveshje që kemi bërë”, u shpreh Meshini./abcnews.al