KONSULLI AMERIKAN NË GREQINË E 1890: Shqiptarët e Greqisë, aborigjenë si “mohikanët” e Amerikës
Duke shfletuar veprën e një profesori të njohur amerikan, rastësisht lexova mbresat e një takimi të paharrueshëm që ai, tok me një koleg të tijin, kishte pasur me një shqiptar të Athinës.
Profesori në fjalë është James Irving Manatt (1845-1915), i specializuar për letërsi dhe histori greke. Lindi në Millersburg, të Ohaios, më 17 shkurt të vitit 1845. Sipas Martha Mitchell (Encyclopedia Brunoniana, Brown University Library, 1993), në rini shërbeu në këmbësori duke iu përgjigjur thirrjes së Linkolnit për angazhim në Luftën Civile. Më pas, kur e gjithë kjo mbaroi, punoi për gazetën “Chicago Evening Post”. Diplomohet më 1869 në “Iowa College” dhe katër vjet më pas mbron doktoraturën në “Yale University”. Studimi i sanskritishtes, greqishtes e latinishtes ishin baza e hulumtimit të doktoratës së tij. Studimet e tij kishin interes parësor grekët dhe Greqinë. Ishte profesor i greqishtes dhe i historisë në “Denison College”, në “Marietta College”, në “Brown University”, në Universitetin e Nebraskës, studiues në Laipsig etj. Njihet jo vetëm si kancelar, por si themelues i Universitetit të Nebraskës.
Në tërë gjerësinë e tij, si njeri e studiues, ishte e mbeti deri në fund të jetës, një filogrek i pandryshuar. I dashuruar me antikitetin, njohës i mirë i grekëve të rinj dhe hulumtues i palodhur, ai konsiderohej një “grek” që i kushtoi punën e jetën, idealeve të lashta e të reja helene. Studimet e tij i pasqyroi në vepra të ndryshme që botoi përgjatë viteve. Vdiq në moshën 70-vjeçare. Por, profesori James Irving Manatt, dha kontribut edhe në politikën e jashtme amerikane. Mbajti detyrën e konsullit të SHBA-së në Greqi në vitet 1889-1893, si pjesë e administratës së presidentit të SHBA-së, Benjamin Harrison. U shndërrua në një udhërrëfyes për të gjithë ata amerikanë e udhëtarë të interesuar për tokën, letërsinë e monumentet e lashta greke. Si mik me emra të tillë të njohur të arkeologjisë së kohës si, dr. Heinrich Schlieman e dr. Wilhelm Dörpfeld, të cilët ishin veprimtarë kryesorë të kërkimeve mbi antikitetin në Greqi, dhe si njohës i mirë i Greqisë, ai pati mundësinë që të bënte botime të ndryshme në periodikë të kohës. Eksperiencat kryesore i botoi në librat “Aegean days” (Ditë egjease) dhe “The Mycenaean Age” (Epoka mikenase).
SHQIPTARËT, KËTA “GREKË” MË TË VJETËR SE SA HELENËT
Për shkak të qëndrimit të tij në Greqi dhe nga njohjet që kishte për historinë greke, Manatt e dinte se kush ishte vendi e roli i popullsisë shqiptare në ato vise. Ai flet disa herë për shqiptarët në librat e tij. “Historia greke ofron më shumë se një paralele: si dorët e Eginës në kohërat e lashta, ashtu edhe shqiptarët e Hidrës dhe Specias në ditët tona, i udhëhoqën grekët në sprova mjeshtërore detare, të guximshme e nismëtare; megjithatë, dorët dhe shqiptarët, njëllojshëm, ishin malësorë dhe shumica e të afërmve të tyre mbetën gjithnjë të huaj për detin” (James I. Manatt. The Mycenaean Age: A Study of the Monuments and Culture of Pre-Homeric Greece. Houghton: Mifflin, 1897, f. 354).
Ajo që të bën përshtypje është se lidhja e shqiptarëve me dorët e lashtësisë përmendet rëndom nga shumë autorë të kohës, dhe kjo konsiderohej diçka krejt e natyrshme, brenda suazës historike e traditës popullore; jo më, sot, në kohët hollivudiane të spartanëve dorë. Jo vetëm studiues e udhëtarë, por edhe vetë shqiptarët banues në këto ishuj prej shekujsh që nuk mbaheshin mend, ishin të vetëdijshëm për lashtësinë e tyre kombëtare. Manatt e dëshmon këtë në librin Aegean days, por edhe në të tjerë: “Në radhë të parë, duhet theksuar se banorët e ishullit Andros nuk janë grekë të papërzier. Në fakt, shumica e atyre mes të cilëve kemi jetuar, thonë se një e treta e popullsisë së ishullit, në periferitë e Gavrionit dhe në Arnas, janë me origjinë shqiptare. Si të tillë, në të vërtetë ata pretendojnë prejardhje nga pellazgët, dhe në këtë mënyrë i bie të jenë grekë më të vjetër se sa helenët. Shqiptarët këtu janë të vetmit e kësaj rrënje në arkipelagun Cyclades, dhe duhet të kenë ardhur nga Eubea në periudhën mesjetare. Cilado qoftë origjina e tyre, ata janë kryesisht të helenizuar në gjuhë e zakone. Më shumë janë të dhënë pas punës se sa pas qejfit. Rrethinat jugore, Androsi dhe Korthioni, me dy të tretat e popullsisë, janë grekë me disa përzierje katolikësh [venetikësh] të vjetër” (James I. Manatt. Aegean days. London: J. Murray, 1913, f. 178).
DITË EGJEASE, HISTORI SHQIPTARE…
Me shqiptarët e Androsit ai pati edhe një episod “të pakëndshëm”, që të kujton kohët e vjetra të nderit e turpit dhe respektin e mikut. Në një ditë të bukur në Andros, profesori Manatt shijonte bukuritë e natyrës në vetmi: “Dremisja në rrënjët e një peme madhështore ulliri, kur një djalosh shqiptar, në pamje të parë i interesuar për të dëgjuar e për të treguar ndonjë të re, por në të vërtetë, thjesht i interesuar për spiunuar shkelësin, vjen e më drejtohet me pyetje homerike për vendin nga vij e për profesionin që bëj. Për fat të mirë kishte shumë pak greqishte në dialektin e tij dhe shumë pak shqipe në timin, për ta bërë bisedën të rrjedhshme. Dhe sakaqherë u lash në shoqërinë e lakmuar të vetmisë së natyrës. Por jo për shumë kohë. Duke u shtyrë më lart, nga joshja e freskët e gjelbërimit të përhershëm, me vjen një thirrje e papritur nga përposh. Dy djelmosha ishullorë, thërrisnin “Zbrit poshtë!” dhe, me maturinë e duhur, ripërshkrova pas hapat që kisha hedhur, për të parë se për se bëhej fjalë. Me mirësjellje, por me ngulm më lëshuan pyetje të tjera homerike. E, për t’i rënë shkurt, e gjeta veten në duart atyre që sjellin thirrjen për gjyq…” (Manatt, Aegean…, f. 5-6).
Çdo gjë u mbyll aty për aty. Një punonjës i administratës, a një bashkiak (“demarchos”), që shoqëronte profesorin, ndërhyn. Pas pak vijnë edhe dy-tre xhandarë. Të rinjve ua heqin brezat me armë e i marrin me vete. Pavarësisht se profesor Manatt bëri thirrje që të harrohej kjo ndodhi e papeshë, shoqëruesi i tij këmbënguli sepse ata kishin vepruar duke e anashkaluar edhe atë, gjë që ishte e rëndë. Mirëpo, ngjarja kishte vijim.
“Pothuajse në perëndim të diellit, një shfaqje mrekullie qiellore kjo, vjen bujtësi im, për të më thënë se miqtë e fajtorëve janë mbledhur te bashkiakët dhe, për të më pyetur nëse unë nuk do t’u dilja sërish në krah atyre. Me kënaqësi, drejtohemi për atje, për të takuar pleqtë poturegjerë të luginës, që rrinin të vendosur varg përgjatë murit të gurtë. Asnjë gjurmë mërie në fytyrat e tyre, vetëm një pamje e thjeshtë e rëndë, aq e atillë, sa që nuk do t’i bënte të pabesueshëm burrat e veprave të Plutarkut apo Homerit. Tani, këto lugina, ashtu si shumica e Androsit verior, janë kryesisht të populluara nga shqiptarët; por shqiptarët pohojnë se kanë dalë nga rrënja e vjetër pellazgjike. Dhe, Ridgeway, tani ka treguar se pellazgët ishin grekët autoktonë të cilët ndërtuan civilizimin mikenas, folën mirë dialektin eolik dhe shpikën vargun gjashtërrokësh [heksametrin], dhe në atë dialekt e rimë, kompozuan Iliadën për pushtuesit e tyre akeas (Manatt, Aegean…, f. 6-7).
Shqiptarët si “grekë” autoktonë, d.m.th. si pasardhës pellazgësh, por që nuk flisnin më greqisht sot? Të lexosh pa nënqeshur këto pjesë është pak e vështirë. Përgjigjen se ç’gjuhë flisnin këta pasardhës “grekë” pellazgësh, Manatt e tha vetë kur bisedoi me djaloshin shqiptar: “. . . kishte shumë pak greqishte në dialektin e tij dhe shumë pak shqipe në timin, për ta bërë bisedën të rrjedhshme”. Konsulli amerikan James I. Manatt deri në fund të jetës së tij mbeti një adhurues i helenizmit. Ndoshta kjo dashuri e zjarrtë nuk i dha mundësi që të kishte atë objektivitet që pati Johann Georg von Hahn (1811-1869). Ky i fundit mbajti detyrën e konsullit të Prusisë (1843-1847) në Athinë dhe me pas atë të zëvendëskonsullit austriak në Janinë. Më 1851, u emërua konsull austriak në ishullin Siros. Mësoi shqipen në Janinë dhe njohu mirë shqiptarët. Udhëtoi edhe në Shqipëri dhe realizoi studime voluminoze për vendasit. Ky diplomat gjerman që punoi (1834-1843) edhe për Ministrinë e Drejtësisë së Mbretërisë së re Greke, u bë babai i albanologjisë. “Ai [Hani] i shikoi shqiptarët si pasardhës të ilirëve me të cilët afroi epirotët e maqedonasit, duke i lidhur gjithë këta me pellazgët parahistorikë. Për të argumentuar tezën e tij të prejardhjes ilire të shqiptarëve e të gjuhës së tyre, Hani përdori edhe materialet gjuhësore” (Mahir Domi. “Probleme të historisë së formimit të gjuhës shqipe”, në: Konferenca Kombëtare për Formimin e Popullit Shqiptar, të Gjuhës dhe të Kulturës së Tij: Tiranë, 2-5 korrik 1982, red. Aleks Buda. Tiranë: Akademia e Shkencave, 1988, f. 165).
Duke u kthyer sërish te profesori Manatt, nëse ai do të kishte pasur mundësinë që të pasuronte studimet e tija me shqipen, nuk do ishte e jashtëzakonshme që të arrinte të njëjtat rezultate si konsulli gjerman. Asokohe në Greqi gëlonin shqiptarët e shqipja dëgjohej ngado. “Në Markopoulo, një reklamues shitjesh u tregonte makina qepëse një grupi të madh grash shqiptare. . . Ka një portret të mrekullueshëm të bujtëses sonë, me veshjen rrëzëllore shqiptare. . . Në shesh vetëm dy kostume ishin europiane; gjithë pjesa tjetër plotësisht shqiptare, me zbukurime monedhash sermi në gjoks e mbi krye: gratë kërcenin me prikën e tyre. . . I ramë përqark Athinës dhe në 7.30 u ulëm për të ndjekur koncertin e radhës së të dielës mbrëma, në hotelin Grand Bretagne, mes një shoqërie të shkëlqyer; të sillte ndër mend më shumë Parisin se sa Koropin, me orkestrën e tij rrethore, dhe bukuroshet fshatarka shqiptare në platenë qiellmbuluar.” – shkruante James I. Manatt (The Atlantic monthly. V. 73, I. 439, May 1894). Në vijim, ai rrëfen po në këtë shkrim, vizitën e këndshme te një mësues shqiptar.
KONSULLI AMERIKAN, JAMES I. MANETT, MIK TE MËSUESI SHQIPTAR
E gjetëm shtëpinë e mësuesit, nga sa dukej më e mira në fshat, të vendosur në një katërkëndësh të madh, me ato lloj muresh të larta të kudogjendura, futur përmes një lloj portali madhështor. Një shkallë e jashtme mermeri çonte në katin e sipërm, i ofruar për mikpritjen tonë: një dhomë e madhe katrore, me ballkon që shikonte nga lindja e diellit dhe deti, dhe prapa saj dy dhoma të tjera të vogla. Dhoma e madhe ishte padyshim “megaron”-i i rezervuar për raste shtetërore, e si rrjedhim, disi e ftohtë dhe e zymtë. Një divan i shkëlqyer dhe një lëkundës, me një tavolinë, disa karrige dhe fotografi të vogla politikanësh grekë, ndihmonin që aty të mos dukej zbrazëti absolute. Por, mobilja e vogël pas saj, me raftet e vjetra të librave të mësuesit dhe një vatër e madhe e hapur, premtonin gjëra më të këndshme. Mbrëmja ishte e ftohtë dhe unë hodha idenë se aroma e zjarrit nuk do të ishte gjë e pakëndshme. Në të njëjtën kohë, vajza e bukur e bujtësit tonë, Helena, bëri tok një krah shkarpash pishe në vatër dhe i shpupuriti. Zjarri i ngrohtë u ndez dhe, në moment, u bëmë të tjerë njerëz; recina [vera] kaloi përqark, me Helenën kupëbartëse, dhe takimi ishte prej atyre që mbahen gjatë ndërmend.
Dy barbarë të hirshëm, të goditur nga dashuria për Greqinë, në pelegrinazh në “deme”-n e Ksenofonit; bujtësi i tyre, mësues prej njëzet e pesë vitesh në vendlindjen e Ksenofonit, pa asnjë kopje të Ksenofonit në shtëpinë e tij! Me Maratonën gati një duzinë miljesh larg, ai kurrë nuk kishte vënë këmbë në fushën e famshme, edhe pse ajo ngjallte aq kureshtje për Botën tonë të Re.
– Pra, jeni amerikanë?
– Po.
– Nga Amerika e Veriut apo e Jugut?
Kjo është gjithnjë pyetja pasuese këtu.
– Amerika e Veriut – Shtetet e Bashkuara.
– Ah, jetoni pranë Panamasë?
Për Panamanë flitet ngado tashmë, madje edhe këtu në Hymetus. Ne i shpjeguam se është shumë më larg Providenca nga Panamaja se sa, nga këtu ku ishim në Maratonë. Mësuesi na doli i fortë.
– Keni dëgjuar për Përmbytjen?
– Po.
– Përmbytjen e Noes?
– Po.
– Kur u mbyt e gjithë bota nga uji përveç Noes dhe njerëzve të tij në Arkë?
– Po.
– E mbani mend që Noe kishte tre bij: Shem, Ham dhe Jafet?
– Po, e kujtoj.
– Pra, njëri prej tyre u vendos në Azi, njëri në Afrikë dhe tjetri në Europë.
– Kështu kam dëgjuar.
– Atëherë, ajo që dua të di, është se nga rridhni ju amerikanët?
– Thuaji, – tha Sage, duke parë se u vendosa me shpatulla për muri, – se ne kishim një varkë për hesap tonë.
Ashtu bëra, por pa shkaktuar dot asnjë buzëqeshje, dhe aktualisht u pa që mësuesi ishte në të vërtetë duke folur sinqerisht. Ai na kishte përzier me popullsinë aborigjene dhe po përpiqej të dëgjonte mendimin që kishim lidhur me origjinën tonë. I siguruar më së fundi se ishim europianë dhe të aftë të ofronim një rrëfim historik mbi veten, na pyeti më hollësisht për pakicat tona të lëkurëkuqve. Ishte temë thellësisht interesante për mendësinë greke; ndoshta sepse një version bashkëkohës grek i “The Last of the Mohicans” [“I fundit i Mohikanëve”], me gdhendje druri të hatashme, mund të gjendet në çdo qoshk librash jo vetëm të Athinës, por edhe të qyteteve provinciale. Duket se është e njëjta kureshtje e vjetër për ekzotiken, me të cilën u ushqye Eskili te “Persianët” dhe Herodoti te “Historia” e tij. Kur unë i dhashë disa shpjegime për lëkurëkuqtë tanë, ai nxori teorinë e tij të një tërmeti që do kish ndarë kontinentin më dysh, në ngushticën e Beringut, dhe kësisoj do kishte ndarë familjen e Jafetit. Kjo doktrinë sizmike mësohet padyshim në shkollën demotike [popullore] të Spatës, pa një fjalë të vetme për Atlantidën platonike.
Mësuesi nga Spata është dukshëm shembulli më i mirë i sërës së tij, që kemi takuar në Greqinë fshatarake. Një portret i shkëlqyer dhe një fytyrë e fortë, gjeniale, një mendjehapur i pacenuar nga të mësuarit (dyshoj se do lexonte ndonjëherë jashtë shkollës); ai duket si grekët e vjetër origjinalë, të jetës në natyrë, dhe akoma më shumë, sepse, ndryshe nga shumica e sërës së tij, kurrë nuk e ka hedhur tutje veshjen kombëtare. Veshja, në fakt, është shqiptare, ashtu siç është edhe ai vetë, njëlloj si shumica e këtij populli të prapatokës; por ai do t’ju tregojë se shqiptari nuk është gjë tjetër veçse greku i vjetër, pellazgu, sekreti parahistorik i të cilit është fshehur po aq mirë nga pjesa tjetër e botës sa ai i lëkurëkuqit dhe i tumandërtuesit. Nëse Karianët ishin të rrënjës pellazgjike, ashtu siç pretendojnë tani disa të ditur, bujtësi ynë mund të jetë një pasardhës, i largët vetëm nëntëdhjetë breza, nga varrgdhendësit e lashtë të Spartës.
Si shqiptar që është, ka një humor të jashtëzakonshëm helen. Karakteri shqiptar, siç e vinte re edhe Wordsworth-i, është më tepër dorik sesa jonian. . . I veshuri më mirë dhe me shtëpinë më të mirë të qytetit, ai është ndoshta qytetari më i shquar, sepse prodhuesi i pasur i rumit, jeton në Athinë. (James I. Manatt. “Behind Hymettus”, The Atlantic monthly. V. 73, I. 439, May 1894, f. 642-643).
Kjo Greqi optimiste e pavarësisë, e mbushur me shqiptarë që kuvendojnë, gëzojnë, punojnë, qeverisin e ëndërrojnë ngjan e largët dhe e pamendueshme sot. Ku shkoi vallë gjithë ai popull shqiptar i Greqisë? Tradita, kënga, vaji, historia e tyre? Zëra të shuar në kohë që duken po aq mitikë sa pellazgët. Vrik më bie ndër mend, vetëm George Bernard Show, kur flet për historinë: “Ç’do të shkruajë historia? Historia, zotëri, do të gënjejë! Si gjithnjë…”
Nga: Albert Hitoaliaj