Për herë të parë në histori, nga Janari edhe Maqedonia e Veriut me një kryeministër shqiptar

Nga Dini Fetahu

“Jo që besoj, por [kryeministri shqiptar] edhe do bëhet”, thoshte në qershor të vitit 2020, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti.

Këto komente, Ahmeti i kishte bërë në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020, në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu, duke iu përgjigjur pyetjes së këtij të fundit nëse në të vërtetë besonte se mund të ketë kryeministër shqiptar në Maqedoni të Veriut.

BDI-ja – subjekti më i madh politik i shqiptarëve në Maqedoni të Veriut – në zgjedhjet parlamentare të qershorit të 2020, kishte garuar me idenë e kryeministrit shqiptar, derisa Naser Ziberin e kishte caktuar kandidat të saj.

Duke qenë se shqiptarët në Maqedoni të Veriut nuk janë shumicë, jetësimi i një qëllim të tillë dukej i pamundur, mirëpo pothuajse katër vite më pas, kjo nuk po duket fare e parealizueshme, përkundrazi.

Në marrëveshjen qeverisëse në mes të LSDM-së – partisë më të madhe maqedonase e dalur në ato zgjedhje – dhe BDI-së, parashihej që në 100 ditët e fundit të qeverisjes, kryeministri të jetë shqiptar – për herë të parë në histori.

Se do të zbatohet kjo marrëveshje e tha edhe vetë bartësi i koalicionit qeverisës, njëherit Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Ai deklaroi se marrëveshja e 2020 me BDI-në është e qartë dhe rrjedhimisht të njëjtës do t’i përmbahet.

“Ne me BDI-në kemi marrëveshje të qartë të koalicionit që është publikuar në opinion në vitin 2020, gjithsesi se flitet me ta për modalitetet, megjithatë mendoj se qëllimi për realizimin e koalicionit evropian që do të udhëheqë një front të gjerë në lidhje me promovimin e kësaj ideje, është ideja kyçe që do të bind partitë në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Kovaçevski më 21 nëntor.

Të njëjtën gjë, vetëm një ditë më pas, saktësisht më 22 nëntor, do ta konfirmonte edhe një nga zyrtarët më të lartë të BDI-së, Artan Grubi.

Ndërsa po prezantohej si përfaqësuesi më i lartë shqiptar në ekzekutivin e Maqedonisë së Veriut, para fjalimit të tij në Akademinë Solemne me rastin e 115 vjetorit të Kongresit të Manastirit, zëvendëskryeministri shqiptar në Maqedoninë e Veriut Grubi, thënë se nga janari do të ketë përfaqësues edhe më të lartë, pra kryeministër shqiptar në Maqedoni të Veriut – për herë të parë në histori.

“Jam përfaqësuesi më i lartë edhe disa ditë, sepse do të bëjmë një përfaqësues edhe më të lartë, me kryeministrin e parë shqiptar të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, që në muajin janar”, ka thënë Grubi.

Por, çka do të thotë që Maqedonia e Veriut të ketë një kryeministër shqiptar?

“Kjo është më shumë punë simbolike”, vlerëson në një prononcim për Albanian Post, Profesori i Historisë në Fakultetin Filozofik në kuadër të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Nuri Bexheti.

“Realisht kryeministri që del në Maqedoni të Veriut, është rezultat i forcave politike”, thotë ai për AP, derisa shton se fuqia politike e asnjë subjekti politik shqiptar – duke qenë se nuk janë shumicë, pasi që përbëjnë 20 për qind të popullsisë në Maqedoni të Veriut – nuk është që të ketë postin e kryeministrit.

“Kjo është një marrëveshje e para 4 viteve. Maqedonia me ndryshimet kushtetuese që ka bërë, ka paraparë që tre muaj para se vendi të shkojë në zgjedhje duhet që të ketë një qeveri teknike, kjo erdhi si rezultat i abuzimeve që kishin ndodhur në qeverisjen e [Nikola] Gruevskit, pra që të mos ketë abuzime u bë një marrëveshje e tillë për qeveri teknike”, potencoi Bexheti.

Pra, në këtë drejtim, kryeministri shqiptar në Maqedoni të Veriut do të jetë në krye të qeverisë teknike, në prag të zgjedhjeve parlamentare të këtij vendi që pritet të mbahen në maj të vitit të ardhshëm.

Prapëseprapë, njohësi i rrethanave politike në Maqedoni të Veriut, insiston se zgjedhja e një kryeministri shqiptar “nuk do të sillte ndonjë ndryshim rrënjësor”, por megjithatë thekson se “simbolika është e madhe”.

Deri më tani, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, pozitën më të lartë shtetërore në këtë vend e kanë pasur atë të Kryetarit të Kuvendit, më në krye Talat Xhaferin, i cili mban këtë pozitë për 2 mandate radhazi.

“Njëri nga tre funksionet kryesore të Maqedonisë, ka qenë njëra nga kërkesat e kamotshme e shqiptarëve, pra kjo ndodhi, kryetari i kuvendit është shqiptar, dhe kjo traditë sipas të gjitha gjasave do ruhet. Për të treguar shtetin multietnik, duhet që çdo pushtet në Maqedoni, njërën nga pozitat kryesore ta udhëheqë një shqiptar”, shtoi Bexheti.

“Ka çështje më të rëndësishme se ideja e kryeministrit shqiptar”

Edhe pse, sipas Bexhetit, i cili është vetë shqiptar i Maqedonisë së Veriut, çështja e orientimit të këtij shtetit, aktualisht është më e rëndësishme sesa kjo e kryeministrit shqiptar.

“Më e rëndësishme se kjo është orientimi dhe këmbëngulësia e faktorit politik në Maqedoni, jo vetëm shqiptar, por edhe maqedonas, që të plotësohet kërkesa e Bullgarisë, në të kundërtën nuk ka asnjë vlerë as kryeministri teknik shqiptar, e as qeveria që mund të konfirmohet pas zgjedhjeve”, beson ai.

Kjo sepse, thekson profesori universitar, “Maqedonia do të rrëshqasë në izolim, në vitet e vet-numërimit, vendi nuk ka asnjë profit, përveç se do kishte izolim, tension të brendshëm dhe vet-numërim – kjo është më e keqja”.

“Shumë më e rëndësishme se çështja e kryeministrit shqiptar tek partitë politike shqiptare është të ketë një marrëdhënie shumë korrekte mes Ahmetit dhe Arben Taravarit [kryetar i Aleancës për Shqiptarët], bilës ASH është një çelës shumë i madh tani, që mund të vendosi fatin se ka mund të lëvizë Maqedonia”.

Aktualisht, ASH është pjesë e qeverisë maqedonase, bashkë me BDI-në dhe Partinë Demokratike Shqiptare të Menduh Thaçit, prandaj Bexheti beson se nëse Taravari do të mbajë një koalicion me Ahmetin dhe “të jetë në koordinim me ndërkombëtarët, me Bashkimin Evropian, me NATO-n, do i bëjë një favor të madh Maqedonisë, dhe do ta orientojë në rrugë të pakthyeshme drejt BE-së”.

“Në të kundërtën, do të krijohen koalicione jo të natyrshme të cilat do duken se janë brenda kornizës demokratike, por vendi do të rrëshqas në izolim të thellë”.

“Pra, një faktor shumë i rëndësishëm është Taravari në javët e ardhshme. Uroj që ai të jetë racional, bile në një koalicion me BDI-në, atij do të duhej t’i takonte më shumë pushtet ekzekutiv, për shkak të sakrificës që bënë për ta orientuar vendin drejt perëndimit, s’ka rrugë tjetër”, mendon.

Thënë këtë, Bexheti ka parasysh procesin e ndryshimeve kushtetuese, si futja e bullgarëve në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut – kërkesë eksplicite e Sofjes zyrtare – e cila është kundërshtuar nga opozita maqedonase, posaçërisht nga ajo më e madhja “VMRO-DPMNE”.

Miratimi i këtyre ndryshimeve kushtetuese është i domosdoshëm për integrimin e këtij vendi në Bashkimin Evropian.

Sa i përket kryeministrit shqiptar, nëse do të zgjidhej, atëherë në Ballkan do të kishte tre kryeministra shqiptar, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut.

Nëse kjo gjë do të ndodhte pak më herët, atëherë do të ishin katër kryeministra shqiptar, me Dritan Abazoviç-in në Mal të Zi, i cili ishte në krye të qeverisë malazeze deri muajin e kaluar.

Scroll to Top