Grekët e kanë pushtuar Epirin me trastën e lypsit
Vetë grekërit, në revolucionin e tyre kundër turqëve, revolucion të cilin ata e fituan vetëm në sajë të trurit, të gjakut dhe të burrërisë së shqiptarëve, kur parashtruan kërkesat e tyre të para toksore, e vunë kufirin me ekstrem të veriut të Greqisë përtej Artës, në Agrino. Aso kohe atyre do t’u delte shkuma një pëllëmbë mbi kurriz edhe sikur ta shihnin në ëndërr Shkumbinin tonë, -shtrirjen e kufijëve të Greqisë deri në Shkumbinin e Shqipërisë,-siç filluan të kërkonin më vonë, kur u erdhi oreksi me të ngrënë./
Nga Bilal Xhaferri*/
…Grekërit, grekomëdhenjtë , grekofilët, grekomanët e të gjithë ngjyrave çirren e ngjiren për “Vorio Epirin” të cilin nga një përrallëz e kanë bërë gjallëz. Po kush vallë e ngriti ndonjëherë zërin për Çamërinë, për ngjarjet tragjike të Çamërisë, për qytetet dhe fshatrat çame të bëra gërmadha, për krimet e grekëve mbi popullsinë e Çamërisë, për të vrarët dhe të masakruarit, për ata që u therën me thika si bagëti, të mbyllur në hajatet e xhamive, për ata që vdiqën udhëve nga uria dhe nga të ftohtit e vitit 1944, për familjet çame të ndara e të shkatërruara, për çnderimet e shëmtuara, për pasuritë e humbura?
Grekëve u erdhi dora tek veshi në mbarim të luftës së madhe botërore që kaloi. Po nuk ishte trimëria e tyre ajo që na mundi ne, ne na vuri poshtë fatkeqësia jonë. Çamët luftuan dhe u mbajtën si burrat për të mbrojtur vatrat e tyre. Ata nuk do ta kishin lënë vendin në qoftëse do të kishin patur ndihmë nga brenda Shqipërisë. Jo ndonjë ndihmë aq të madhe. Mjaftonte që komunistët, të cilët po delnin fitimtarë në luftën vëllavrasëse në Atdhe, të kishin dërguar nja dy batalione në Çamëri, sa për të ndaluar hovin e bandave greke që i ishin sulur asaj krahine krahëkëputur e të izoluar. Kjo do ta kishte ndaluar rrënimin e Çamërisë dhe çamët do të ishin sot atje në vendin e tyre, siç janë kosovarët në vendin e tyre në Kosovë, pa pastaj le të bëhej si të bëhej. Mirëpo komunistët s’bëheshin merak për Çamërinë, ashtu siç nuk bëhen as sot e kësaj dite. Në atë kohë atyre u duheshin batalionet se donin t’i dërgonin në Kosovë që të kapnin kosovarët dhe t’ja dorëzonin Titos, që t’i shkonte në plumb me mijëra e mijëra…
….Grekërit e kanë pushtuar Epirin me trastën e lypsit. Ata kanë hyrë atje si argatë në tokat që u lëshoheshin nga shqiptarët, janë vendosur në ato toka si bujq dhe kanë mbetur atje. Gjatë mijëra vitesh hsitori, që nga Hesiodi e Homeri dhe deri tek Herodoti dhe Thuqididi, që nga Plutarku dhe deri tek Bajroni, historianët, studionjësit apo udhëtarët e ndryshëm, qofshin ata të huaj ose qofshin grek, e kanë njohur Epirin si një vend Jo Grek, si një vend Iliro-Pellazg në kohët antike dhe si një vend shqiptar në kohët moderne -, vend i banuar; kënd më kënd nga shqiptarët.
Vetë grekërit, në revolucionin e tyre kundër turqëve, revolucion të cilin ata e fituan vetëm në sajë të trurit, të gjakut dhe të burrërisë së shqiptarëve, kur parashtruan kërkesat e tyre të para toksore, e vunë kufirin me ekstrem të veriut të Greqisë përtej Artës, në Agrino. Aso kohe atyre do t’u delte shkuma një pëllëmbë mbi kurriz edhe sikur ta shihnin në ëndërr Shkumbinin tonë, -shtrirjen e kufijëve të Greqisë deri në Shkumbinin e Shqipërisë,-siç filluan të kërkonin më vonë, kur u erdhi oreksi me të ngrënë. Se në ato kohëra , në ato gryka e në ato pllaja, vetëvetinte palla e atyre fustanebardhëve me opinga me xhufka, palla “…e atyre burrave zeshkanë, me të bardhat fustanella dhe të zinjët Jataganë”, siç u këndonte shqiptarëve Bajroni, poeti më i madh i botës në atë shekull…Po kohët ndërruan…U ulën malet…u ngritën brigjet…
Gjatë këtyre kohëve, historia, fati, dhe rrethanat nuk kanë punuar për ne po duket se kanë qenë kundër nesh. Nuk do të vazhdojë kështu për jetë. Kohët, ashtu siç kanë ndrruar për të keqen tonë ashtu do të ndrrojnë për të mirën tonë. Malet nuk ulen vërtetë. Ata mbulohen me mjegulla e këto re mbi malet tona do t’i marrë ato tutje përsëri, atëhere bota do të verë re se malet janë atje ku ishin, të lartë e të përjetshëm.
*Fjala e mbajtur me 28 nëntor 1976 nnë Chikago, me rastin e Ditës së Flamurit, organizuar nga Lidhja Çame.
Fjala e poetit dhe shkrimtarit disident çam, Bilal Xhaferri, mbajtur me 28 Nentor 1976
“Malet nuk ulen vërtetë. Ato mbulohen me mjegulla e me re për ca kohe. Por kur era e historisë që i solli këto mjegulla e re, do i marrë ato tutje përsëri, atëherë bota do të vërë re se malet jane atje ku ishin, TË LARTË E TË PERJETSHËM” Grekët e kanë pushtuar Epirin me trastën e lypsit.