Shqiptari Hasan Tahsin ua dhuroi grekëve Selanikun: Gjenerali që u varros katër herë!
Me Selanikun lidhet një ngjarje shumë e rëndësishme për shqiptarët dhe Greqinë: ajo e 26 tetorit 1912, kur komandanti turk me kombësi shqiptare, gjenerali Hasan Tahsin Pasha Mesarea (1845-1918) ia dhuroi grekëve dhe jo bullgarëve qytetin e Selanikut. Hasan Tahsin Pasha, pasi ua dhurojë grekëve Selanikun, u largua në fillim për në Francë e më pas në Zvicër. Vdiq në vitin 1918, në Lozanë. Aty edhe u varros për herë të parë.
Arben Llalla
Në vitin 1937, Hasan Tahsin Pasha zhvarroset dhe eshtrat e tij u varrosën për herë të dytë në varrezat e shqiptarëve në Selanik, në varrin familjar Mesarea. Pasi u prishën varrezat shqiptare më 1983, përsëri zhvarroset dhe rivarroset në varrezat e Malakopit, ku eshtrat qëndruan 23 vite. Në tokat ku gjendeshin varrezat e shqiptarëve në Selanik u ndërtuan pallate, rrugë e një pjesë mbeti lulishte dhe njihet me emrin Parku Triandhria.
Më 2006, eshtrat e Hasan Tahsin Pashës do të zhvarrosen për të tretën herë për t’u rivarrosur me nderime të larta ushtarake bashkë me eshtrat e djalit të tij, Qenanit, në Muzeun e Luftërave Ballkanike që ndodhet 25 kilometra larg Selanikut në drejtim të qytetit të Edesës. Ndërtes që është kthyer në Muze, ka shërbyer për bisedime midis gjeneral Mesaresë dhe komandantit të Ushtrisë greke, Kostandinit, nga 25-26 Tetori 1912.
Hasan Tahsin Pashë Mesarea kishte shtatë fëmijë, prej të cilëve vetëm tre jetuan: dy djem dhe një vajzë. Njëri nga djemtë e tij, Qemal Mesarea, ka qenë ambasador i Shqipërisë në Athinë më 1933-1934. Ai u martua me një greke dhe vdiq në vitin 1968. Vajza e vetme u martua në Turqi. Kurse, djali tjetër i Hasan Tahsin Pashës quhej Qenan Mesarea (1889-1965). Gjenerali Hasan Mesarea ka shërbyer si komandant i përgjithshëm i trupave osmane në Jemen, Siri, Irak, Qipro, Kretë dhe në Selanik. Gjatë kohës që ka shërbyer në Kretë ai lidhi miqësi me Venizelon, i cili pas dhurimit pa luftë të qytetit të Selanikut e ndihmoi më vonë familjen Mesarea që të largohej për në Francë dhe të fitonte shtetësinë greke. H asan Tahsi Mesarea i përket ajkës së shqiptarëve që kanë studiuar në shkollën e mesme Zosimea të Janinës. Siç dihet, në këtë gjimnaz kanë ndjekur mësimet Konstadin Kristoforidhi, Ismail Qemali, Hoxhë Hasan Tahsimi, Ali Asllani, Abedin Pash Dino, Naim dhe Sami Frashëri, Sali Nivica, Aleksandër Xhuvani, etj.
Historia e Hasan Tahsin Mesarea është një nga historitë e shumta të ushtarakëve shqiptarë që i kanë shërbyer ushtrive të huaja. Rrugëtimi i Hasan Tahsin Mesaresë nisi në vitin 1845, në fshatin Mesarea, në Jugun e Shqipërisë (Mesare ndodhet në rrethin e Kolonjës) dhe përfundoi më 2006, në Veriun e Greqisë, në qytetin e Selanikut. Historianët grekë çlirim e Selanikut ia dedikojnë komandanti të ushtrisë greke, Konstandin apo Venizelosit, por këto merita janë të pavlera përpara aktit human të gjeneralit Mesaresë i cili preferoi më mirë dorëzimin me nder se sa të derdhej gjaku lum. Në çastin e dhurimit të Selanikut, gjeneral Mesarea kishte 26 mijë ushtarë nën komandë dhe preferoi më mirë tu shpëtonte jetën se sa të vriteshin.
Pas luftimeve të gjata midis forcave turke dhe forcave të ushtrisë greke në Greqinë e Veriut, u arrit armëpushimi. Gjenerali turk me kombësi shqiptare, Hasan Tahsin Pasha, në 26 tetor 1912 kishte firmosur dhurimin e qytetit grekëve dhe po përgatitej të largohej bashkë me Ushtrinë për në Turqi. Më 27 tetor, të dërguarit e kryegjeneralit të Ushtrisë bullgare Teodorov, duke mbajtur flamurin e bardhë u takuan me gjeneral Hasan Tahsin. Bullgarët përfaqësoheshin nga një kolonel, dy oficerë dhe kapiteni Standov që më pas u bë ambasador i Bullgarisë në Paris. Gjatë bisedës, kapiten Standovi shprehu befasinë dhe pakënaqësinë për dorëzimin e Selanikut grekëve, pasi siç tha ai, Ushtria bullgare kishte hyrë duke luftuar disa herë në Selanik. Prandaj, gëzonte të drejtën që të marrë në dorëzim në emër të naltmadhnisë së tij, Carit të Bullgarisë. Por, gjeneral Hasan Tahsini u kujtoi bullgarëve që Ushtria turke kishte pasur kundërshtar lufte për Selanikun vetëm Ushtrinë greke.
Koloneli kryetar i përfaqësueses bullgare, mbas këtyre fjalëve u përgjigj me tërbim se para pak orëve Ushtria bullgare kishte luftuar kundra Ushtrisë turke në rrethinat e Selanikut. Prandaj, duhej të përgatitej menjëherë një shkresë e posaçme, sipas të cilës qyteti i Selanikut i dorëzohej Ushtrisë bullgare. Ndonëse tashmë i mundur, gjenerali Hasan Tahsin Pasha me kryelartësi tha se jo. Atëherë, me diplomaci ndërhyri kapiten Standovi për të qetësuar përshtypjen e keqe që kishte lënë koloneli bullgar, duke thënë që mbas një përgjigje pozitive për bullgarët, Hasan Tahsin Pasha do të vlerësohej nga kryegjenerali Todorov dhe Ushtria e tij.
Pas dy orë bisedime, pa bindur gjeneral Tahsinin, Standovi shprehu dëshirë të bisedonte vetëm për vetëm me djalin e gjeneralit, adjutantin Qenan Mesarea. Pasi kaluan në një sallë veçmas, Standovi nxori nga çanta e tij një çek të një banke londineze me një shumë marramendëse, që ia dha adjutant Mesarea duke pëshpëritur se çeku ishte shpërblimi për një firmë të thjeshtë të babait të tij. Në atë çast Qenan Mesarea mbeti i hutuar dhe u kthye në zyrë duke refuzuar shpërblimin. Pasi dështuan kërcënimet dhe shpërblimet e ndryshme, përfaqësuesit bullgarë kërkuan që gjeneral Hasan Tahsin Pasha t’u jepte një kopje të protokollit të dorëzimit të Selanikut forcave të Ushtrisë greke. Pasi morën kopjen e protokollit të dorëzimit të qytetit të Selanikut forcave greke, përfaqësuesit e Ushtrisë bullgare u larguan për të mos u kthyer më kurrë.