Historia e panjohur: Si shkoi vjehrra e Skënderbeut në Itali
Në prill të vitit 1469 një nënë dhe djali i saj u shfaqën në Romë para Papës Palit II dhe kardinalëve të tij dhe kërkuan para dhe strehim. Bëhej fjalë për refugjatë politikë nga Shqipëria e Mesme, të cilët kishin shpëtuar nga trupat e Sulltanit osman, Mehmeti II, duke ikur në Itali.
Gruaja quhej Despina Araniti dhe ishte vjehrra e Skënderbeut, i cili prej dekadash luftonte kundër osmanëve dhe sot konsiderohet hero kombëtar shqiptar, transmeton Koha Ditore.
Pak pas audiencës, ajo me krenari i shkroi mikes më të besueshme në Itali, Barbara Gonzaga, konteshës së Mantuas, që atëbotë ishte njëri prej oborreve më të rëndësishme të renesancës italiane: “Araniti, shërbëtor i Madhërisë Suaj, është shfaqur para Shenjtërisë së Tij dhe para Shenjtërisë së përmendur e në prani të zotërinjve të nderuar ka recituar në latinisht Atiynë dhe Ave Maria, dhe mbase, siç besoj, ka mbajtur edhe një fjalim të bukur po ashtu me vargje latine.
Shenjtëria e Tij pati dëshirë që ai (i biri i Despinas) të flasë shqip, greqisht, sllavisht dhe latinisht, dhe të gjithë së bashku me zotërinjtë kardinalë e nderuan shumë atë në ditën e Shën Gjonit. Prandaj, Shenjtëria e Tij është i prirë të kujdeset për të na siguruar bukën e gojës që ne të rrojmë me nder… nesër do të kuptojmë më shumë sa para ka vendosur të na japë çdo muaj. Shpresojmë të marrim para”.
Araniti dhe i biri i saj u përkisnin dhjetëra-mijëra njerëzve, të cilët në Mesjetën e vonshme u arratisën në Itali dhe Hungari për t’i shpëtuar mësymjes osmane. Pasardhësit e tyre sot jetojnë si pakica të pranuara në vendet ku kishin kërkuar strehim: arbëreshët apo italo-shqiptarët në Sicili, Kalabri dhe Apulia, kroatët e Burgenlandit në Austri.
Që nga shekulli i 19-të grupet politike të diasporës kanë ndikuar vendosmërisht në historinë e Ballkanit dhe nga larg kanë përgatitur kryengritje dhe jo rrallë në vazhdën e tyre edhe kanë ndihmuar në themelimin e shteteve: më 1821 një shoqëri sekrete e përhapur në gjysmën e Evropës planifikoi kryengritjen greke kundër Perandorisë Osmane.
170 vjet më vonë shqiptarët e Kosovës nga diaspora organizuan kryengritjen kundër represionit serb në Kosovë.
Diaspora politike nga Ballkani
Pothuajse e panjohur është që në fund të Mesjetës në Europën Jugore dhe Qendrore u krijua një diasporë politike nga Ballkani. Bëhej fjalë për njerëz që s’pajtoheshin me pushtuesit osmanë dhe nga mërgimi propagandonin kryengritjen kundër pushtetarëve të rinj.
Bëhej fjalë për pjesëtarë të elitave politike dhe fetare nga Bizanti, Serbia, Bosnja, Shqipëria dhe rajonet greke, të cilët mblidheshin në oborret mbretërore evropiane. Historia e tyre nuk eci pashkëputshëm dhe qartë – dhe kjo shihet mirë në shembullin e Aranitëve.
Ata u ngjajnë familjeve të tjera, të cilat u sollën ngjashëm. Aranitët e shohin zanafillën e tyre nga shekulli i 11-të si aristokratë ortodoksë të Shqipërisë së Mesme.