Media gjermane: Ilirët ndër më të lashtët e Europës, ndërtuan qytetet e para 3 mijë vjet më parë
Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në mediat ndërkombëtare, jo vetëm për bukuritë natyrore, por edhe për historinë e saj të lashtë dhe karakterin unik të popullit shqiptar.
Së fundmi, media bavareze ansbachplus.de ka publikuar një shkrim me titullin “Shqipëria – vendi dhe njerëzit”, ku vendi ynë përshkruhet me tone shumë pozitive dhe vlerësuese. Artikulli i kushton vëmendje rrugëtimit historik të Shqipërisë, sfidave të së kaluarës dhe forcës së një kombi që ka ditur të ringrihet edhe në momentet më të vështira.
Në shkrim theksohet se Shqipëria, ndonëse për shumë vite ka qenë relativisht e panjohur për publikun evropian dhe e shoqëruar me paragjykime, përfaqëson një vend me histori të pasur dhe identitet të fortë.
Media gjermane vëren se në vitet ’90 vendi kaloi në mënyrë paqësore nga diktatura drejt lirisë, në një periudhë kur ekonomia ishte në gjendje të rëndë dhe perspektiva e pasigurt. Megjithatë, pavarësisht vështirësive dhe mungesës së ndihmës së madhe nga jashtë, Shqipëria arriti të gjejë rrugën e saj drejt stabilitetit dhe zhvillimit.
Artikulli ndalet edhe te rrënjët e lashta historike të vendit, duke përmendur qytetërimin ilir dhe kontributin e hershëm të këtyre trojeve në historinë e Evropës. Sipas autorit, shqiptarët janë një popull me traditë të fortë mikpritjeje, një cilësi që vazhdon të mahnisë vizitorët e huaj dhe që e bën Shqipërinë një vend të veçantë në hartën e Ballkanit.
Ky vlerësim nga një media gjermane shihet si një tjetër dëshmi se perceptimi për Shqipërinë po ndryshon pozitivisht dhe se vendi po njihet gjithnjë e më shumë për vlerat e tij të vërteta historike, kulturore dhe njerëzore.
