Ngjela: Greqia ka frikë nga gjuha shqipe. Himara kryeqendër e Labërisë (VIDEO)
Avokati Spartak Ngjela ka folur në News24 për çështjen Beleri dhe protestën në Himarë. Ngjela e shpjegon gjithë qëndrimin e Greqisë si një frikë nga gjuha shqipe. Ai tha se sa më shumë zhvillohet gjuha shqipe aq më tmer e kanë. Duke arsyetuar më tej, avokati tha se veprat e njohura si Iliada janë në gegnisht dhe se greqishtja e re nuk ka lidhje me greqishten e vjetër.
“Grekët ende nuk kanë bërë një shtet, por duhet të bëjmë ne një shtet. Grekët janë të ndarë, arvanitasit dhe grekët e ardhur nga Anadolli. E kanë pasur dhe e kanë shumë frikë Shqipërinë. Në fakt nuk kanë frikë Shqipërinë, kanë gjuhën shqipe. Ata nuk i kanë lejuar arvanitasit të flisnin shqip, i fusnin në burg. Homeri ka 2-3 mijë fjalë shqip. Më tha Gjon Shllaku, përkthyesi i Iliadës, Spartak kam përkthyer Iliadën nga shqipja në shqip. Është gegnisht Iliada. Ai më tha që kuptohet nga Alpet. Nuk ka qenë e shkruar as Iliada, as Odiseja, kanë qenë vargje të mësuara përmendësh. Kuptohet që është poezi veriore e maleve tona veriore. Këtu fillon problemi i frikës dhe nuk janë shumë të thellë në marrëdhëniet me shqiptarët. Akoma atje ka një territor të madh shqiptar. Çamërinë e kanë masakruar. Çamët ortodoksë janë atje. Shqip flasin, kam qenë unë. Të tëra këto konvergojnë në një pikë që ata i tremb. Sa më shumë zhvillohet gjuha shqipe aq më tmerr e kanë. Na quanin turq. I them unë njërit, po ç’turk ore, po mirë i thashë ortodoksët që janë grekë dhe myslimanët janë turq, po popullsia më e madhe janë katolikë. E humbi fare logjikën dhe tha ata janë më të poshtër, la bisedën dhe iku.
Ne tani po na ngre shumë gjuha shqipe. Dhe greqishtja e vjetër shpjegohen vetëm me fjalën shqipe duke marrë etimologjinë”, tha Ngjela.
Ai deklaroi më tej se Himara është kryeqendër e Labërisë dhe nuk ka çështje Himare si dhe ata që dalin janë të shitur.
“Ku ka çështje Himare, s’ka qenë ndonjëherë çështje. E dinë këta që këngët më të bukura labe janë himariote. Janë shqiptarë. Himara është kryeqendër e Labërisë. Ka të blerë atje. I japin nga 200 euro dhe dalin atje. As Zogu dhe as komunizmi nuk e konsideruan atë zonë greke. Nuk ka pasur shkolla greke atje. Këta kanë hapur shkolla greke, janë budallenj. U shitën. Do t’i thuash më jepni këngët”, u shpreh Ngjela.
Sa i përket çështjes së burgosjes së Fredi Belerit dhe kërkesave të vazhdueshme nga Athina, si dhe protestën sot për lirimin e tij, Ngjela deklaroi se është çështje e gjyqësorit dhe se SPAK-u varet nga SHBA. Ai iu sugjeroi grekëve t’i drejtohen Uashingtonit.
“S’ka gjë shteti shqiptar në dorë. Është në proces gjyqësor, ku ka lidhje politika. Ai është arrestuar për blerje votash, në suazën e SPAK-ut dhe sekretari amerikan i shtetit tha se SPAK-un e drejtojmë ne. Le të venë te sekretari amerikan i shtetit. T’i drejtohen Uashingtonit.
Ata i ka trembur shumë marrëdhënia e ngushtë Shqipëri-Amerikë sa nuk e kanë njohur Kosovën. Kanë frikë se e ka radhën Çamëria. Nga kush kanë frikë, nga Zeusi. Doli njëherë Rama foli për Çamërinë, u ngrit ushtria etj.
Krijimi i Greqisë është një investim në falsitet sepse nuk ka lidhje fare greqishtja e re me greqishten e vjetër. Atje shqipja e mban. E kishim dëgjuar ndonjëherë ne emrin e Belerit? Po ç’figurë është ai? Nuk ka qenë ndonjëherë figurë shoqërore. Janë budallallëqe. Është gjuha shqipe që ka krijuar reperkursion, por duhet ta durojnë. Ne jemi refleks amerikan në Ballkanin Perëndimor”, tha Ngjela.
Lidhur me vizitën e kryeministres italiane Giorgia Meloni në Shqipëri, ai tha se patjetër që ka mesazh, por do të shihen në vijim.
“Vizitat nuk bëhen sot për nesër. Do 2-3 muaj përpara, të shikojmë se çfarë mesazhesh do japë. Që ka mesazh nuk diskutohet”, u shpreh Ngjela.
Pyetjes së nëse do të ketë zhvillime nga SPAK në vjeshtë dhe goditje të korrupsioni, avokat Ngjela iu përgjigj:
“Mendoj se ka ardhur koha që SPAK-u të godasë lart. Mendoj se ka ardhur koha të godasë në sferat e larta. Deri tani ka goditur majtas. Do vejë nga korrupsioni B ose jo, se deri tani është në korrupsion A, unë mendoj se po. Do të shikojmë se çfarë operacionesh juridike do të kemi në shtator. Nga shenjat e shtatorit do të nxjerrim të ardhmen e afërt. Korrupsioni do goditet me spektër të gjerë”./BW