Berisha denoncon me video: Banda e Bajrit, terror me makina të blinduara ditën e zgjedhjeve në Shkodër

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka denoncuar bandën e Bajrit në Shkodër se ka ushtruar terror mbi qytetarët ditën e zgjedhjeve vendore.

Në një konferencë shtypi nga selia blu, Sali Berisha publikoi një video 24 minutëshe ku tregon anëtarë të bandës së Bajrit që qarkullojnë ditën e zgjedhjeve në Shkodër dhe nëpër qendra votimi me automjete të blinduara.

Për këtë zhvillim, Berisha akuzoi Partinë Socialiste dhe SPAK-un për lidhje me bandën e Bajrit.

“Sot ne paraqesim para jush dhe shqiptarëve, terrorin që ushtruan ditën e zgjedhjeve, vrasësit serialë, njëra nga anëtarëve të bandës më të rrezikshme të Ballkanit dhe Europës, banda e Bajrëve në qytetin e Shkodrës. Se si kjo bandë e Edi Ramës, e lidhur direkt me Taulant Ballën, që merrte pjesë në shtabin elektoral të PS, të kryesuar nga Elisa Spiropali, del në qytet me autokolonën e blinduar dhe ushtron terror të paparë në Shkodër. Me terrorin e vet, banda e Bajrit me autokolonën e krimit, bëri gjithçka t’i instalojë në pushtet një kryebashkiak, mandati i të cilit qëndron mbi krimin, vrasjet, drogën e klanit Bajri. Sot jam këtu gjithashtu për të denoncuar dhe deklaruar se SKAP-i i partisë është një seksion i bandës së Bajrit, është një organizatë kriminale, e cila bashkëpunoi me këtë bandë për të përmbushur misionet e saj të zeza elektorale. Një prokuror guximtar dhe një oficer policie, guxoi të zbatonte ligjin dhe prangosi Bajrët për vrasjet e tyre. Natyrisht prangosja e Bajrëve për vrasje, kërkonte një guxim para së gjithash sepse është e njohur fuqia e tyre hakmarrëse.

Por ai nderoi ligjin. Bajrët në Tiranë, erdhën në strofullën e tyre. SKAP-i i partisë, pas disa muajsh pseudohetime, mbyll dosjen e tyre në Tiranë duke deklaruar më të paimagjinueshmen, se ata nuk përbënin organizatë kriminale. Se ata nuk përbënin grup kriminal dhe si të tillë, nuk mund të ishin objekt hetimi për SKAP-in. Organizata kriminale SPAK, transferoi dosjen në Shkodër. Dhe në Shkodër gjithçka ishte e rregulluar që të prishen provat dhe Bajri që kishte vrarë në gjumë të fejuarën e tij 15-vjeçare, të dalë i pafajshëm. Që kishte kryer krime të tjera. Të lirohen me një skemë ku rol kryesor luajti SKAP-i i partisë, prokurorë kryesorë të SKAP-it të partisë. Bajrët kanë vrasësit e tyre të fjalës së lirë edhe në media, përveç Taulant Ballës dhe Edi Ramës. Një nga një, këto do zbërthehen. Por sot ne ju paraqesim ju, terrorin që ata ushtruan më 14 maj, në qytetin e lirisë, në qytetin e Shkodrës, për të grabitur mandatin e qytetarëve të Shkodrës. Ju ftoj të ndiqni këtë dokumentar horror, 24 minuta”, tha ish-Kryeministri Sali Berisha.

Berisha akuzoi edhe policinë se po shoqëronte autokolonën e grupit Bajri në Shkodër, si dhe ministrin e Brendshëm Taulant Balla se mban lidhje direkte me anëtarë të këtij grupi.

Ish-Kryeministri shprehu vendosmërinë për të rikthyer votën e lirë, sipas të cilit, është një betejë e vështirë por që demokratët do ta fitojnë.

/tvklan.al

Scroll to Top