A është Shqipëria në momentin e shpresës dhe përmbysjes së madhe?
A do të mundet SPAK të ruajë të njëjtin standard për dosje shumë më të freskëta? Apo do të presim edhe 15 vite të tjera?!
Nuk është nevoja të vihet bast, për të besuar se çdo shqiptar e dëshiron drejtësinë. Të lodhur, të ngopur me rrena, me barkun bosh dhe pa shpresë, secili e dëshiron alternativën e njeriut të duhur për ta udhëhequr.
Por a është Shqipëria në momentin e shpresës dhe përmbysjes së madhe?
Padiskutim që lajmi i prangosjes së Jamarbër Malltezit, sekuestrimi i disa pronave të tij, dhe vendimi për detyrim paraqitje për Berishën, është një lajm i mirë. Dhe sikur asnjë nga akuzat të mos rezultojë e vërtetë; edhe sikur përfituesit e ish-Klubit Partizani të jenë ish pronarë të vjetër që kanë marrë pronat e gjyshërve të tyre; duke përfituar edhe vetëm nga prania e Jamarbër Malltezit në grupin e tyre, operacioni që nisi të shtunën është lajm i mirë. Sepse i jep shpresë gjithkujt se në Shqipëri nuk ka më njerëz të paprekshëm.
Por pikërisht këtu nis ai kufiri i hollë që ndan lojën e politikës së madhe, me kërcënime e burgosje kot, nga dita e vendosjes së drejtësisë.
Burg ka bërë edhe Fatos Nano dikur, por drejtësia nuk u duk gjëkundi. Në burg kemi aktualisht edhe ish-ministra e funksionarë të lartë, ama i madh e i vogël e di se me ta, jo vetëm që nuk është vendosur drejtësia, por ata që janë brenda kanë qenë vetëm një copë e vogël e pazëllit politik dhe të gjoja drejtësisë.
Prandaj sot Shqipëria është në një pikë kyçe për të ardhmen e vet.
Dosja e ish-klubit Partizani është një skandal i madh i tjetërsimit të pronave shtetërore dhe duket se prokurorët e SPAK e kanë studiuar rresht për rresht atë. Mirë kanë bërë! U vendostë drejtësia për Jamarbërin, Berishën e të vetët, një orë e më parë. Edhe pse kanë kaluar 15 vjet nga dita kur ky tjetërsim filloi, është e udhës që drejtësia të flasë e fundit.
Por a do të mundet SPAK të ruajë të njëjtin standard për dosje shumë më të freskëta?
A do të kenë të njëjtin guxim prokurorët e SPAK për të çuar pas hekurave, fjala vjen, Olta Xhaçkën që ka bërë fiks të njëjtën gjë: tjetërsim të pronave të ushtrisë. Qindra hektarë që i janë marrë shtetit e i janë dhënë “investitorëve strategjikë”, përfshirë edhe burrin e vet?
Do flasë drejtësia apo do të presë edhe 15 vite të tjera?
Po kjo drejtësi që ka studiuar me lupë – dhe mirë ka bërë – çdo hollësi të tjetërsimit të tokës së ish Klubit Partizani dhe ndërtimit në të, të 17 kullave ku sot jetojnë njerëz, a do të vendosë dot me të njëjtin guxim e urdhër arreste për dosje të nxehta të korrupsionit qeveritar të Edi Ramës?
Në thelb akuza që i bëhet Jamarbër Malltezit është korrupsioni pasiv, pra si dhëndri i Sali Berishës, ai ka ndikuar te vendimmarrja për tokën e lakmuar. Le të vendosë drejtësia për këtë.
Po në të njëjtën kohë, a duhet të përgjigjet Edi Rama për koncesionin e check- up, p.sh, që iu dha një kompanie pa pikë përvoje, pa garë dhe për një shërbim të pa kërkuar prej saj?
A duhet të përgjigjet kjo qeveri se si e firmosi kontratën për inceneratorin e Elbasanit, si iu dha ky shërbim një kompanie pa përvojë dhe si u gënjye publikisht mbi pronësinë e të njëjtës kompani në të tre impiantet e djegësve?
A duhet të përgjigjet Edi Rama se pse ai dhe kabineti i tij miratuan në kohë rekord aktet dhe kontratën e inceneratorit të Elbasanit?
Ose për kontratat e koncesioneve që janë hartuar, firmosur shpejt dhe ne sekret të plotë dhe ashiqare në dëm të arkës së shtetit?
Iu shkon dot deri në themele, edhe këtyre skandaleve SPAK, apo do të presë të kalojnë edhe ca dekada të tjera?
Se dihet refreni. Rama del e thotë “ku e di unë çfarë bëjnë të mitë pas krahëve “, ndërsa Berisha nga ana tjetër mbrohet duke thënë “unë nuk ka firmosur gjë, lejet i dha Edi Rama”.
E me këto cic-mic-e, jo drejtësi që nuk vendoset kurrë, po as klasë politike nuk do të mund të ndërrohet asnjëherë.
Momenti ka ardhur e nëse nuk ndodh tani, ndoshta nuk do të kemi fatin ta shohim e kuptojmë se çfarë do të thotë “drejtësi”./Pamfleti