DOSJA e aferës së ish kompleksit Partizani/ 17 ditë para arrestimit, Malltezi kishte nisur likuidimin e shoqërisë ‘Homeplan’ nga e cila përfitoi 5.4 mln euro
Report TV ka siguruar dosjen e hetimit të aferës së privatizimit të ish kompeksit Partizani.
Zbulohet se Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi kishin nisur punën për likuidimin e shoqërisë Homeplan sh.p.k., e cila ka shërbyer ndër vite, si shoqëri për shpërndarjen e përfitimeve. Sipas SPAK përfitimet që Malltezi kishte marrë nga kjo shoqëri ishin në vlerën e 5.4 milionë eurove.
Mësohet se pikërisht më 4 tetor 2023, pikërisht 16 ditë nga data kur GJKKO ka marrë vendimin për arrestimin e Malltezit është depozituar pranë QKB-së vendimi i datës 03.10.2023 për kalimin e shoqërisë në status “likuidim e sipër” dhe caktim likuidatori. Vetë Malltezi u arrestua më 21 tetor në aeroportin e Rinasit teksa kishte dalë të priste bashkëshorten, vajzën e Sali Berishës, Argita që po kthehej nga Gjermania.
“Gjykata vlerëson se për shkak të rrethanave të faktit ka rrezik që të hetuarit më sipër të kryejnë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin po procedohen. Gjykata arrin në këtë konkluzion, duke marrë parasysh faktin se gjatë fazës së hetimeve, të dy të hetuarit kanë ndërmarrë veprime konkrete që kanë për qëllim likuidimin e shoqërisë Homeplan sh.p.k., e cila ka shërbyer ndër vite, si shoqëri për shpërndarjen e përfitimeve. Kështu, më datë 04.10.2023 është depozituar pranë QKB-së vendimi i datës 03.10.2023 për kalimin e shoqërisë në status “likuidim e sipër” dhe caktim likuidatori. Pas depozitimit të këtij vendimi statusi i shoqërisë Homeplan sh.p.k ka kaluar nga “Aktiv” në “Shoqëri në likuidim e sipër”. Duke u bazuar në veprimet e mësipërme të realizuara nga të hetuarit, gjykata çmon se ka rrezik që të hetuarit me sipër të kryejnë krime të rënda ose të njëjta të të njëjtit lloj me atë për të cilin po procedohen.” argumentohet në vendimin e GJKKO që e quan të drejtë kërkesën e SPAK për arrestinin e Malltezit.
Në vendimin e pranimit të masës së sigurisë ‘arrest me burg’ merret parasysh edhe rrezikshmëria e veprave penale të korrupsionit aktiv/pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore dhe pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, e cila vlerësohet e lartë jo vetëm për shkak të marrëdhënieve juridike që cënon dhe sanksionit të parashikuar në dispozitat përkatëse por, edhe për shkak të përhapjes që kanë marrë kohët e fundit këto vepër penale, formën e kryerjes së tyre në formën e bashkëpunimit (të thjeshtë), pasojat e ardhura, moshën dhe gjendjen familjare të të hetuarve, gjendjen e tyre gjyqësore, në kushtet e mungesës së rrethanave lehtësuese deri në këtë fazë të hetimit ”
Sipas akuzes se SPAK
Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë shtetasi J. M. në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro.
Gjithashtu vlerësohet se për të tre të hetuarit Jamarbër Malltezi, Sali Berisha dhe Fatmir Bektashi, plotësohet kushti i dytë i veçantë i parashikuar nga shkronja “b”, pika 3, të nenit 228 të K.Pr.Penale, pasi gjykata vlerëson se për shkak të rrethanave të faktit ka rrezik që të hetuarit të largohen.
“Gjykata arrin në këtë konkluzion, duke marrë parasysh marzhin e lartë të dënimit që sanksionojnë veprat penale për të cilat ata dyshohen, ku není 245 i Kodit Penal, parashikon dënim me burgim nga 1 deri në 5 vjet, neni 260 i Kodit Penal parashikon dënim me burgim nga 4 deri në 12 vjet, ndërsa neni 287, paragrafi i dytë i Kodit Penal parashikon dënim me burgim nga 7 deri në 15 vjet. Për sa më sipër, gjykata çmon dhe ekzistencën e rrezikut të ikjes së personave nën hetim.” shkruhet në dosjen e siguruar nga gazetarja e Report TV, Keti Banushi./Shqiptarja.com