Kim Mehmeti bën thirrje për “bojkotimin” e Tiranës: Sot qendra e shqiptarisë është Prishtina, s’na lidh më gjë me Shqipërinë
Analisti politik, Kim Mehmeti ka thënë se Shqipëria nuk është qendra e shqiptarisë.
Ai ka deklaruar se për momentin, vetëm Prishtina është qendër e shqiptarisë, ndërsa Tirana është e kriminalizuar dhe e serbizuar.
“Dhe nuk ka dyshim se sa më jetëgjatë politikisht do jenë ata që i kriminalizuan ‘Shqipëritë’ tona, aq më jetëshkurtër do jetë e vërteta se shtizën e flamurit tonë e morën në duar ata që, për shembull, Tiranës ia rrënuan Teatrin Kombëtar dhe shumëçka që ishte ‘përdhese’, për ta lartësuar me kullat që nuk e lejojnë diellin ta sheh tokën në të cilën thellohen rrënjët shekullore të shqiptarisë, tokë që është bërë thujase e pabanueshme për rininë shqiptare.
Siç do bëhet jetëshkurtë edhe e vërteta se flamuri i krenarisë sonë keqpërdoret edhe për ta mbuluar të vërtetën se kryeqendra e shqiptarisë – Tirana, vazhdon të ngjitet lartësive qiellore duke u shkëputur kështu nga e vërteta e saj shqiptare, duke e zgjatuar hijen e kullave, hijen që e bënë të padukshme gropën e thellë të krimit ku është zhytur Shqipëria, grope ku ‘kalbet’ mëmëdheu ynë, i drejtuar nga ata që shqiptarinë e kanë vetëm dekor për të dëshmuar se janë mendjehapur dhe më ndryshe se shqiptarët tjerë.
Dhe siç duket, nga gjithë ‘Shqipëritë’ tona, vetëm Kosova mbetet atë që ishte gjatë shekujve: fole e ngrohtë e shqiponjës dykrenore dhe djep i atdhetarisë dhe patriotizmit shqiptarë. Dhe ku ta dish, ndoshta ka ardhur dita kur ajo duhet ta thotë zëshëm se s’ka asgjë të përbashkët me ata që u janë përkushtuar projekteve serbe, me ata që e bashkojnë Ballkanin duke e përçarë shqiptarinë”, thotë ai në një shkrim të publikuar në rrjetet sociale.