Noli: Me grekët kemi të njëjtët stërgjyshër, problemet mes nesh janë për shkak të kufijve
Gjatë gjashtë muajve që Fan Noli u vu në krye të qeverisë demokratike, dalë nga revolucioni i qershorit të vitit 1924, i kushtoi vëmendje edhe marrëdhënieve me fqinjin jugor, Greqinë. Me gjithë pengesat dhe rrethanat e vështira të kohës, ai nuk reshti së punuari për një atmosferë mirëkuptimi, që do t’i shërbente forcimit të miqësisë mes popullit shqiptar dhe atij grek.
Pasqyrë e qartë e kësaj veprimtarie të Nolit janë një varg intervistash dhe ndonjë artikull që ai i dha shtypit grek të kohës, siç qenë gazetat e mirënjohura “Politia”, “Nea Imera”, “Demokratia”, “Eleftheron Vima”, “Skrip” etj.
Vështruar në distancë kohore, ajo që të bën përshtypje, duke lexuar këto dokumente, është fakti se të gjitha mendimet dhe idetë e shprehura prej tij kanë një emërues të përbashkët. Gazeta Shqiptare raporton se Fan Noli vë në dukje me argumente dhe transparencë të plotë lidhjet shpirtërore dhe historike shqiptaro-greke, të përbashkëtat dhe afërsitë midis tyre, aspiratat e ndërsjella për të jetuar në vëllazëri dhe paqe, bashkëjetesën e tyre si fqinjë të përjetshëm.
Dihet se Greqia dhe kultura helene zënë një vend të veçantë në një pjesë të jetës dhe formimit intelektual të Nolit. Ai mori mësimet elementare dhe kreu gjimnazin në gjuhën greke, ndoqi për një kohë me korrespondencë Universitetin e Athinës, krijoi disa nga veprat e para letrare dhe veçanërisht ato publicistike në gjuhën e këtij vendi, si drama “Zgjimi”, bashkëpunoi me disa organe të njohura të kryeqytetit grek, si revista politiko-kulturore, “Numas” (1903), përktheu dhe luajti në greqisht vepra të Shekspirit dhe Ibsenit, disa nga miqtë e tij më të ngushtë ishin grekë, si aktorët Venjeri dhe Apostoli apo gazetarja e njohur Pesiris.
Më vonë, megjithëse u angazhua në një luftë të ashpër politike për krijimin e Kishës Ortodokse Shqiptare dhe u ndesh me qarqet shoviniste greke, kjo nuk e pengoi asnjëherë të ushqejë ndjenja miqësore ndaj popullit grek dhe të shprehë vlerësimin dhe mirënjohjen e thellë ndaj kulturës së lashtë e të re helene.
Në këtë vështrim do ta shohin dhe do t’ia prezantojnë gazetarët grekë publikut të tyre kryeministrin shqiptar. Kjo ka bërë që të gjitha intervistat t’i ngjajnë një dialogu miqësor mes përfaqësuesve të kulturës së Shqipërisë dhe Greqisë, ku Noli, në këtë rast, është figura qendrore.