Ditari i Enver Hoxhës: Izraeli dhe Jordania, janë dy kobure të amerikanëve dhe anglezëve, në drejtim të popujve arabë, dy provokatorë, dy qen roje

Nga Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), ku ndodhet edhe arkivi personal i ish-udhëheqësit të Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, i cili në ditarin e tij politik, që i përket një periudhe të gjatë kohe, duke filluar nga maji i vitit 1967, e deri në dhjetorin e 1983-it, ai ka mbajtur shënime për ngjarjet e Lindjes së Mesme, si; konflikti i gjatë Izrael-Palestinë, luftërat e vazhdueshme ndërmjet Izraelit dhe vendeve arabe, luftën gjashtë ditore në vitin 1967, ku Izraeli mposhti Egjiptin dhe koalicionin e vendeve arabe, e pushtoi lartësitë Golan, luftën e Yom Kippurit në vitin 1973, ku sërish Izraeli, pasi mposhti koalicionin e vendeve arabe, (Egjipti, Algjeria, Siria, Iraku, Jordania, Jemeni, Libani, Maroku, etj.) pushtoi gadishullin e Sinait, të cilin e dorëzoi në vitin 1979, bllokimin e mbylljen e Kanalit të Suezit, (ku Shqipëria kishte interesa jetike, për shkak të ndihmave që i vinin nga Kina në rrugë detare), e deri luftën civile në Liban, në fillimin e viteve ’80-të, etj. Çfarë shkruante diktatori i Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, në ditarin e tij politik ku ka bërë analiza, dhe cili ishte qëndrimi i Tiranës zyrtare, për konfliktin ndërmjet Izraelit dhe vendeve arabe, si dhe shteteve të ndryshme që i mbështesin ata, si; Bashkimi Sovjetik, SHBA-ës, Britania e Madhe, Republika Popullore e Kinës, Republika Federative e Jugosllavisë, etj.?! A ishte i vërtetë informacioni që kishte Enver Hoxha në qershorin e vitit 1967, sipas të cilit, Moska zyrtare, do i ofronte ndihmë Egjiptit, duke sjellë Flotën e saj Ushtarake Detare në Mesdhe, në rast se Tirana zyrtare, do pranonte që anijet sovjetike, të ankoroheshin në portet e Durrësit, Vlorës, Shëngjinit etj., apo ajo ishte një paranojë e Hoxhës, gjë e cila bëri që Ushtria Shqiptare, të kalonte në gatishmëri luftarake nr. 1, madje duke mobilizuar edhe forcat rezerviste e ato të çetave vullnetare?! Lidhur me këtë, etj., na njeh ditari politik i ish-udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste, i cili do publikohet në disa numra nga Memorie.al

E ENJTE, 25 MAJ 1967 – KRIZA AKTUALE NË LINDJEN E MESME

Izraeli është një shtet i krijuar nga imperializmi dhe nga sionizmi reaksionar për të pasur nëpërmjet tij një kobure në Lindjen e Afërt, në gjirin e popujve dhe të shteteve arabe, në këtë pellg të rëndësishëm nga ana ekonomike dhe ushtarake. Ky rajon ka qenë qendër përleshjesh në mes imperialistëve të ndryshëm anglezë, francezë, amerikanë e të tjerë. Të gjithë këta ujq, duke shtypur popujt arabë, duke marrë nëpër këmbë lirinë, pavarësinë, të drejtat dhe sovranitetin e tyre, kanë shfrytëzuar pa mëshirë pasuritë e këtyre vendeve, që bëjnë pjesë në këtë rajon dhe për ta përjetësuar këtë shfrytëzim, ata kanë pasë ndërtuar një rrjet të gjerë spiunazhi, pjesëtarët e të cilit i vinin në krye të këtyre popujve dhe i mbronin me ushtritë e tyre koloniale e me diplomacinë e kanonierave.

Mirëpo me kalimin e kohës, me luftën që bënë vetë popujt arabë, e cila inkuadrohet në luftën e përgjithshme, dje kundër nazizmit dhe sot kundër imperializmit, këta fituan lirinë dhe pavarësinë, krijuan dhe afirmuan shtetet e tyre sovrane. Mirëpo, duke qenë akoma shtete borgjeze dhe, një pjesë e tyre, duke pasur në krye ende klika kapitalistësh dhe feudalësh mesjetarë, jo vetëm që mbajnë nën shtypje të egër popujt e tyre, por janë vegla të verbra dhe të shitura tek imperialistët anglezë dhe amerikanë.

Të tillë janë Mbreti i Jordanisë, brez pas brezi agjent i Anglisë, ish-Mbreti imam i Jemenit, ai i Arabisë Saudite, Hasani i Dytë i Marokut, e të tjerë. Izraeli dhe Jordania, janë aktualisht dy shtete gjoja të pavarura, por që në realitet janë kobure, i pari i amerikanëve dhe i dyti i anglezëve, në drejtim të popujve arabë. Këto janë dy çerdhe të rrezikshme, dy provokatorë, dy qen roje të imperializmit, që rrezikojnë popujt arabë të zhvillohen dhe të forcojnë pavarësinë e tyre.

Vazhdimisht Izraeli, ka provokuar vendet arabe, vazhdimisht krijon incidente kufitare me armë, ai ka sulmuar RAB-in dhe Sirinë, ai ka tendenca zgjerimi dhe dominimi. Tani së fundi provokoi Sirinë dhe përgatitet për luftë. Gjendja bie erë naftë dhe barut. Provokatori Izrael, ngjallet si krimb i ndyrë, kurdoherë kur cenohen interesat e monopoleve imperialiste në këtë zonë. Kjo ngjau, kur u shtetëzua kanali i Suezit nga RAB-i, kjo ngjet tani, kur kërcënohen interesat dhe rrugët e koncesioneve të naftës të monopoleve anglo-amerikane. Këtu qëndron thelbi i konfliktit midis imperialistëve dhe popujve arabë. Thelbi i konfliktit është i drejtë: heqja qafe sa më shpejt e zgjedhës së egër politiko- -ekonomike të imperializmit. RAB-i, Siria, Iraku dhe Algjeria janë ngritur në këmbë kundër Izraelit, por dhe kundër aleatëve të tij. A do të goditen? Kjo s’dihet për arsyet e njohura, por sidoqoftë RAB-i i qëroi nga Sinai trupat e OKB-së, këta xhandarë ndërkombëtarë që mbronin interesat e amerikanëve në Izrael. RAB-i kërcënon me bllokimin e ngushticës së Tiranit, kështu që i lë Izraelit, vetëm një portë të hapur, atë të Mesdheut.

Imperialistët amerikanë, anglezë dhe tradhtarët revizionistë, janë në lëvizje diplomatike. Të tërë tundin degën e ullirit, të tërë qajnë për “mbrojtjen e lirive dhe të pavarësisë së popujve”, të gjithë i shkruajnë herë njërit, herë tjetrit telegrame e mesazhe, por të gjithë fshehin të vërtetën, atë që imperializmi amerikan, ai anglez, francez, revizionistët sovjetikë dhe titistë e të tjerë, në të gjithë këtë zhurmë shurdhuese, nuk mbrojnë veçse interesat e ndyrë të tyre, në kurriz të popujve arabë. Të gjithë këta, hapur, apo në prapaskena, po u bëjnë dhe do t’u bëjnë një mijë presione vendeve arabe që të tërhiqen nga mbrojtja e të drejtave të tyre, të kapitullojnë! Si do të përfundojë ky shantazh, do ta shohim. OKB-ja dhe tani, Tito dhe Brezhnjevi, vazhdojnë të luajnë rolin e tyre djallëzor, e me dy faqe, pse kanë frikë se po demaskohen.

Titoja, siç po duket, është bërë qepaze para Naserit, pse nuk po bën shumë zhurmë në bazë të «miqësisë» së dikurshme. Naseri e ka kuptuar ç’është Titoja. Revizionistët sovjetikë, aleatë të amerikanëve, do të përpiqen të luajnë rolin e ndërmjetësit me dy faqe, të luajnë rolin e arbitrit në mes arabëve dhe amerikano-anglezëve, të luajnë rolin e dorëzuesit në mes interesave amerikanë dhe atyre anglezë. Kuptohet ç’rol të poshtër luajnë ata. Qëllimi kryesor dhe i vetëm i tyre është të mbajnë nën zgjedhë vendet arabe, të ndajnë sferat e influencës, të pengojnë luftërat e drejta nacionalçlirimtare dhe antiimperialiste. Ne kemi mbrojtur dhe do të mbrojmë kauzën e drejtë e antiimperialiste të popujve arabë. Popujt arabë kanë parë, shohin dhe do të shohin, se Shqipëria e vogël socialiste nuk u trembet imperialistëve dhe revizionistëve dhe se tek ajo vendet arabe kanë dhe do të kenë një mik të përhershëm dhe të sinqertë e besnike në ditë të rnira dhe të këqija për ta.

E MARTE, 30 MAJ 1967 – SUGJERIME PËR SHTYPIN

I rekomandova Ramizit që në shtypin tonë të ri trajtohen këto dy çështje:

1-Të mbështetim popujt arabë, në luftën kundër imperializmit amerikan dhe veglës së tij Izraelit. Një çështje e tillë ka rëndësi për politikën e shtetit tonë pse, pavarësisht nga regjimet aktuale, mbështetim popujt arabë, mbrojmë pavarësinë dhe të drejtat e tyre sovrane që kërcënohen nga imperialistët amerikanë. Ne duhet t’i mbështetim popujt arabë, pse ata janë revolucionarë dhe ecin duke konsoliduar shtetet e tyre. Ata sot, rrojnë nën regjime borgjeze demokratike, disa edhe feudale, por që ndjenjat përparimtare të tyre, po çajnë përpara, dhe sidomos në rezistencën që ata janë duke organizuar, kundër intrigave dhe skllavërimit politik dhe ekonomik të të huajve. Ekzistojnë aktualisht kontradikta në mes RAB-it (Republika Arabe e Bashkuar) dhe amerikanëve, dhe është e qartë se veprimi i drejtë i Naserit, lidhur me dëbimin e trupave të OKB-së dhe marrja në kontroll e ngushticës së Tiranit, i ka zemëruar amerikano-anglezët, të cilët bëjnë presione, por s’kanë ç’bëjnë.

Naseri në këtë çështje fitoi, fitoi, gjithashtu, nga kjo fitore materiale, për të realizuar, qoftë dhe për një kohë dhe për një çështje, unitetin e shumë shteteve arabe. Kjo natyrisht mund të konsiderohet, si një disfatë politike për amerikano-anglezët, të cilët u izoluan provizorisht për këtë problem dhe kanë ngelur në këtë pellg vetëm me Izraelin. Lufta e këtyre do të kufizohet, siç duket në një luftë intrigash, presionesh, për të përçarë unitetin e krijuar arab dhe për të çarë rrethimin e Izraelit. Më vonë ata, në qoftë se fitojnë në këto drejtime, mund të ngrenë zërin ose të bien në ndonjë aventurë, por aventura do t’u kushtojë shtrenjtë, prandaj nuk e nxitin. Ata do të kënaqen hëpërhë, pa prekur Izraelin. Për këtë luftojnë edhe sovjetikët nga ana e tyre. Në këtë drejtim, ata bashkëpunojnë me aleatët e tyre amerikanë. Revizionistët sovjetikë, natyrisht hiqen nga jashtë si miq të arabëve, por arabët e kuptojnë lodrën e tyre dhe bëjnë sikur i besojnë “sinqeritetit” të ndihmës sovjetike me qëllim që të konsolidojnë fitoren e tyre të pare, të cilën revizionistët sovjetikë nuk mundën dot ta sabotonin (po ta kishin arritur këtë, do të demaskoheshin plotësisht përpara arabëve), se veprimi i Naserit ishte i zgjuar dhe i shpejtë.

Por RAB-i dhe arabët e tjerë, e dinë se sovjetikët u vunë gurë në rrota, për më tej u këshillojnë moderacion. Besoj se këtë moderacion për më tej, e kanë merak edhe vetë arabët, pse këto “këshillime” të sovjetikëve do t’u kushtojnë shtrenjtë. Politika jonë ndaj arabëve, është që ata të shohin, se ne na kanë miq besnikë, që i mbështetim me të gjitha forcat në momentet e këqija të tyre. Këtë, ata e shohin dhe na e shprehu Naseri, në mesazhin që i dërgoi shokut Haxhi Lleshi me këtë rast. Qëndrimi ynë i drejtë demaskoi njëkohësisht sovjetikët dhe titistët. Këta të fundit s’po flasin. Titoja, “miku i sinqertë” i dikurshëm i RAB-it, u tregua me të vërtetë siç ishte: miku i vërtetë i amerikanëve. Kudo ku janë në lojë interesat e amerikanëve, Titoja hesht, ose mban vetëm anën e tyre. Këtë qëndrim të drejtë tonin RAB-i dhe vendet arabe, nuk do ta harrojnë kurrë dhe kjo ka rëndësi në arenën ndërkombëtare për ne.

E HENE, 5 QERSHOR 1967 – IZRAELI SULMON EGJIPTIN

Sot në orën 60° të mëngjesit, forcat agresore izraelite, sulmuan Egjiptin. Filloi lufta midis tyre. Të shkatërrohet sionizmi, kjo agjenturë e imperialistëve amerikanë në Lindjen e Mesme! Ne do të mbrojmë popujt arabë.

E MARTE, 6 QERSHOR 1967 – MBI LUFTËN NË MES ARABËVE DHE IZRAELIT

Dje në mëngjes filloi lufta midis arabëve dhe Izraelit. Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për çështjen se kush e filloi atë e para. Por me siguri, i pari luftën, e filloi Izraeli. Ai e ka bërë zakon provokacionin, ai provokoi edhe në çështjen e kanalit të Suezit dhe i pari sulmoi edhe para padronëve të tij anglo-francezë. Arabët natyrisht, e kishin shtetëzuar kanalin dhe ishin në gatishmëri. Qëllimet e RAB-it dhe të shteteve të tjera arabe, njihen, pse janë deklaruar hapur. Në fakt Izraeli, është një shtet i krijuar nga imperializmi dhe sionizmi botëror, duke përdorur diasporën izraelite. Asnjë qëllim altruist, ose i bazuar në ndjenjat nacionale, nuk i ka shtyrë as imperialistët anglezë, as ata amerikanë, për të krijuar shtetin e Izraelit. Qëllimet e tyre, kanë qenë të lidhura, me interesat e tyre grabitqarë, ekonomikë dhe strategjikë në Lindjen e Mesme, për të ruajtur bazat e tyre, për të pasur një qendër diversioni, në gjirin e shteteve arabe.

Në këto kondita Izraeli u krijua, sidomos me emigrantë polakë, ukrainas, rumunë e të tjerë, që iu bashkuan kontingjentit çifut vendës dhe të ardhur edhe nga vendet e tjera. Shteti i Izraelit, është nën sundimin e reaksionit sionist dhe amerikan. Taktika agresive e Izraelit, është tipike si ajo e amerikanëve. Ata sulmuan të parët për të çarë “rrethimin”, për të zgjeruar kufijtë dhe për të avancuar në kanalin e Suezit, ëndrra dhe lakmia e përjetshme e imperialistëve. Kush ka kanalin e Suezit, ka Egjiptin, ka nën zgjedhë kyçin e një vije jetike kalimi, për tri kontinente. Veçanërisht ne, me mbylljen e kanalit, izolohemi nga Kina, dhe në fakt gjatë këtyre kohëve, do të na vështirësohen furnizimet. Duhet të bëjmë kujdes në kalim. Prandaj lufta çlirimtare e RAB-it dhe e arabëve, është të gjithë neve. Tani duhet të ndjekim me kujdes dhe me vigjilencë zhvillimin e luftimeve. Izraeli në kohët e para, do të ketë ndihmën masive por të maskuar, të aviacionit amerikan dhe anglez, që do të godasin pa mëshirë qendrat jetike të RAB-it dhe të vendeve të tjera arabe. Nga ana tjetër demagogjia në OKB, në Moskë e në Vatikan do t’i bjerë me të madhe daulles së shpuar.

E MARTË, 6 QERSHOR 1967 – NË FRONTIN IZRAELITO – EGJIPTIAN

Forcat ushtarake agresore të Izraelit, po përparojnë me shpejtësi në Sinai. Ua shkatërruan egjiptianëve aviacionin e tyre ushtarak.

E MËRKURË, 7 QERSHOR 1967 – IZRAELITËT I AFROHEN KANALIT TË SUEZIT

Forcat agresore ushtarake të Izraelit, po i afrohen `kanalit të Suezit dhe po e rrezikojnë atë. Forcat ushtarake egjiptiane, nuk qenkan gjë. Janë si italianët dhe rumunët.

E MËRKURË, 7 QERSHOR 1967 – REVIZIONISTËT SOVJETIKË, I LANË NË BALTË ARABËT

Pa dyshim arabët, do ta aprovonin tradhtinë e revizionistëve sovjetikë. Ata u kanë dhënë arabëve material të vjetër luftarak dhe amerikanët, janë plotësisht në dijeni të potencialit ushtarak egjiptian. Izraelitët goditën, siç duket për vdekje, aviacionin egjiptian, kështu që këta, sipas komunikatave, po tërhiqen drejt Kanalit, të ndjekur nga forcat izraelite. Aviacioni amerikan, i ka ndihmuar fuqimisht izraelitët, pse edhe këta patën humbje të mira në aviacion. Sidoqoftë, ata ka kush i furnizon, rroftë Daj Sami për ta. Kurse sovjetikët, siç e kemi parashikuar, i lanë dhe po i lënë në llucë arabët, ata nuk u japin avionë, ose u japin disa “Mig-17” të vjetër, që do të thotë “shko e bën harakiri në qiell”. Një ambasador egjiptian, bëri sondazhe te një ambasador yni, duke i thënë se; “qeveria egjiptiane i kërkoi flotës sovjetike, të dilte në Mesdhe dhe ajo e pranoi, por u tha se nuk kam ku ankorohem, veçse në bregdetin shqiptar”.

Ambasadori ynë i dha përgjigjen e duhur. Qeveria egjiptiane, ka mundësi që ta bëjë këtë kërkesë, por ne do ta hedhim poshtë dhe do të demaskojmë qëllimet e sovjetikëve. Dje i dhashë urdhër Shtatmadhorisë, të jetë në gatishmëri të plotë në bregdet, për çdo eventualitet të papritur, nga banditët revizionistë sovjetikë. Asgjë nuk duhet të na gjejë në befasi. Do të valojë topi dhe torpila, po të tentojnë ndonjë aventurë; brigjet e Shqipërisë, nuk do të lejojmë që të preken. Kush tenton, do të gjejë vdekjen dhe disfatën. Por, pavarësisht nga këto masa, i dhashë detyra shtypit, të bëjë dy-tre artikuj demaskues për sovjetikët, si përgjigje indirekte Naserit, të cilit t’i pritet oreksi, po të ketë ndër mend të na bëjë ndonjë kërkesë. Rezoluta e Këshillit të Sigurimit, e aprovuar dje mbrëma me unanimitet, nën ujdinë e plotë amerikano-sovjetike, për të pushuar lufta, është një Tashkent i dytë, është një tradhti e revizionistëve sovjetikë, që nuk bëjnë asnjë dallim për agresorin izraelit dhe për të drejtat sovrane të Egjiptit në gjirin e Akabasë.

Sovjetikët janë në ujdi të plotë me amerikanët, por ata po demaskohen keqas. Një gjë po fitohet në këtë mes, pavarësisht nga rrjedhimet dhe fatet që do të marrë kjo luftë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe revizionistët sovjetikë, po demaskohen, po urrehen dhe po goditen nga popujt. Një gjë të habit. Mbrojtja e dobët e RAB-it. Ajo u trondit brenda një dite. Me sa duket udhëheqësit e RAB-it, kanë më shumë dëngla se organizim të vërtetë, pse popullit trimëria nuk i mungon. Tash po përsëritet pikë për pike, sulmi mbi kanalin më 1956. Edhe atëherë egjiptianët, ishin të paorganizuar dhe vetëm. Po tash? Ç’kanë bërë ata gjatë kësaj kohe?! Dreqi t’i marrë borgjezët! Ne mbrojmë kauzën e drejtë të popujve arabë dhe jo të tyren! Mbyllja e Kanalit të Suezit nga ana e Egjiptit, natyrisht ne na dëmton shumë dhe nuk e dimë për sa kohë.

Për këtë thirra shokët e Planit dhe të Tregtisë dhe i porosita që të studiojnë tok, çfarë presim të na vijnë nga Kina, të paktën për një periudhë 4-5-mujore dhe të ma paraqiten masa e propozime konkrete, se çfarë do të bëjmë. Do ta provojmë dhe këtë bllokadë dhe me siguri do ta kapërcejmë. Do të mobilizojmë totalisht popullin, që asgjë të mos na humbasë nga prodhimet bujqësore, të grumbullohen dhe të futen shpejt në depo. T’u bëhen totalisht shërbimet bimëve dhe tokës; të bëjmë kursime dhe po të jetë nevoja; edhe të shtrëngohemi. Popullin e kemi trim, sypatrembur, heroik dhe sakrifikon çdo gjë për pavarësinë e atdheut. Atje ku i thotë Partia, ai hidhet në zjarr.

E MËRKURE, 7 QERSHOR 1967 – REVIZIONISTËT SOVJETIKË – TRADHTARË TE ÇËSHTJES SË POPUJVE ARABË

Iu dërgua gazetës “Zëri i popullit”, artikulli me titull: “Revizionistët sovjetikë — tradhtarë të çështjes së popujve arabë” Në artikull është marrë shkas, nga ‘aprovimi në Këshillin e Sigurimit i një rezolute anti-arabe, që bën thirrje për pushim zjarri, pikërisht kur vendet arabe i janë nënshtruar agresionit ushtarak të Izraelit. Këtë rezolutë, e aprovuan edhe sovjetikët. Artikulli, me të cilin ne mbështetim luftën e drejtë të popujve arabë, do të botohet nesër.

E ENJTE, 8 QERSHOR 1967 – NASERI PRANON PUSHIMIN E ZJARRIT

Agjencitë e lajmeve njoftojnë se Naseri, pranoi pushimin e zjarrit nga agresorët izraelitë. Ç’turp i madh! Nuk rezistoi dot as tri ditë borgjezi, llafazani, frikamani dhe tradhtari i popullit egjiptian.

E ENJTE, 8 QERSHOR 1967 – TITOJA, AGJENT I AMERIKANËVE DHE MIK I RREMË I POPUJVE ARABË, KA LIDHUR DUART!

Bëra skemën dhe shkrova disa teza në formën e shënimeve të zgjeruara, për një artikull që mendoj ta botojmë këto ditë, kundër veprimtarisë pro-imperialiste e sabotuese anti-arabe, të renegatit Tito 1. – Zhurma e madhe e Titos e “miqësisë” ndaj popujve arabë, ishte një blof fund e krye, po një blof me qëllime të caktuara. 2. – Titos, agjentit të vjetër të anglo-amerikanëve, i ishte ngarkuar nga Uashingtoni, misioni të krijonte forcën e tretë dhe këtë ta vinte në shërbim të imperialistëve amerikanë. – Qëllimi i Titos dhe i amerikanëve, ishte që shtetet e lira, të pavarura e sovrane, që luftonin për konsolidimin e lirive të tyre të fituara me sakrifica e me gjak, t’i nënshtronte politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht, te kolonialistët e rinj amerikanë. – Titoja bëri bujë, dredhi, mbledhje e kongrese, u krekos si gjel, u hoq mik i Nehrusë, i Sukarnos, i Nkrumës e i presidentit Naser. – Titoja, gjatë gjithë kësaj kohe, e nën këtë maskë, spiunonte në favor të amerikanëve, tatonte pulset, kurdiste sabotazhe, nxiste fraksione.

Për t’i futur këto shtete në suazën e amerikanëve, ai përdorte dy rrugë: o me tradhti e me iluzione, ose me puçe me kundërrevolucione. Me të parën, amerikanët s’ia arritën dot, prandaj vunë në zbatim të dytën: me vdekjen e Nehruit, bënë e po bëjnë çmos që India, të mos bjerë nën ndikimin sovjetik; në Indonezi, gjeneralët e reaksionit të bardhë, e rrëzuan Sukarnon; puçi i komplotistëve në Ganë, nën drejtimin e amerikanëve, e rrëzoi Nkrumën. Roli i Titos në të gjitha këto ngjarje, ishte ai i spiunit, i provokatorit, i organizatorit të puçeve në favor të amerikanëve. – Mbeteshin presidenti Naser dhe RAB-i. Këtu Titos dhe amerikanëve, u hasi sharra në gozhdë. Planet e tyre nuk realizoheshin. Naserin, ata nuk mundën dot as ta gënjenin, as ta futnin në kurth dhe as ta rrëzonin. – Titoja filloi të ftohet me Naserin dhe ky e kuptoi ç’gënjeshtar, ç’tradhtar, ishte Titoja dhe ç’plane thurte në kurriz të RAB-it dhe të popujve të tjerë. Titos, iu demaskua lodra djallëzore në RAB.

Amerikanët këtu, nuk patën sukses si në Indonezi dhe në Ganë. Atëherë, këta e lanë përkohësisht kartën Tito dhe vunë në lëvizje kartën Moshe Dajan, kartën e Izraelit. RAB-i dhe popujt arabë, po bëheshin një rrezik për imperializmin amerikan dhe atë anglez, prandaj këta përdorën këtë here, jo diversionin titist, po sulmin e armatosur izraelit. — Faktet dhe historia vërtetuan atë, që ka thënë Partia jonë, dhjetëra vjet me radhë, se; titizmi nuk është veçse një agjenturë e ndyrë, e amerikanëve.

– Gjithë popujt, dhe veçanërisht popujt arabë, e panë vetë ç’ishte Titoja për ta dhe ç’është titizmi, prandaj shkelmojnë pa mëshirë miq të tillë. — Shtetet e Bashkuara të Amerikës dështuan në demagogjinë e parullës së “forcës së tretë”. Ato donin t’i kishin plotësisht nën thundrën e vet, popujt dhe shtetet e pavarura.

– Çfarë u duhet Shteteve të Bashkuara të Amerikës “forca e tretë”, kurse forcën e dytë, revizionistët modern, me ata sovjetikë në krye, e kanë futur në shërbim të vet dhe me të kanë marrë përsipër të robërojnë popujt, t’i gënjejnë ata dhe të bëjnë ligjin, e dy fuqive në botë. – Mirëpo popujt, janë ngritur në këmbë dhe luftojnë. Popujt arabë, janë ngritur në këmbë kundër imperializmit amerikan dhe reaksionit, kundër padronit të Titos. Ky, si ai miu i ndyrë, është strukur në vrimën e Brionit dhe atje pret të kalojë furtuna e parë.

E ENJTE, 8 QERSHOR 1967 – PËRSE SOVJETIKËT, NUK PO E NDIHMOJNË RAB-IN?!

Shënime

Amerikanët u japin avionë izraelitëve dhe vetë, me avionët e tyre, bombardojnë forcat arabe. Sovjetikët, këta miq fals dhe të pabesë, nuk i japin asnjë avion RAB-it. Pse? Janë në ujdi të plotë me amerikanët. Duan që RAB-i, të kapitullojë përpara amerikano-izraelitëve. Duan që RAB-i dhe gjithë popujt arabë, të ulin kokën nën zgjedhën politike dhe ekonomiko-ushtarake amerikano-sovjetike. Sovjetikët duan që RAB-in, ta poshtërojnë dhe ta futin në zonën e influencës së tyre, duke u lënë dorë të lirë anglo-amerikanëve në Siri, në Liban, në Jordani, në Irak, në Jemen e gjetkë. Duan të shuajnë revolucionet dhe luftërat çlirimtare të popujve të Afrikës, për të cilët popujt arabë, janë një ndihmë e konsiderueshme. Revizionistët sovjetikë, vërtetuan se janë kapitullues, agjenturë e kapitalit kolonialist, aleatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sabotatorë dhe zjarrfikës të luftërave të drejta çlirimtare. Revizionistët hrushovianë, tradhtuan Kubën dhe u bëjnë sot asaj dhe popujve të tjerë të Amerikës Latine, një mijë e një poshtërsi.

Revizionistët hrushovjanë, tradhtojnë Vietnamin, bëjnë gjithë atë zhurmë, se gjoja i ndalon Kina t’u dërgojnë armë. Po që t’u dërgojnë aeroplanë më të mirë dhe me shumicë popujve arabë, Kina i ndalon? Jo, popuj arabë, mos u zini asnjë besë tradhtarëve revizionistë, që kanë tradhtuar vendin e tyre dhe jo të mos ju tradhtojnë ju. Mos e lejoni veten të futeni në kombinimet e tyre, tradhtare diplomatike, se këto janë të kurdisura kundër jush. Mos pranoni pushimin e zjarrit. Ju do të fitoni, trimëria e popujve tuaj, është legjendare. Mos keni frikë nga kurrkush.

Historia do t’i dënojë armiqtë tuaj dhe tanët dhe këtë dënim të tmerrshëm, do t’ua shkaktojmë ne me luftë të pareshtur, e pa kompromis. Ju fituat më 1956 dhe kërcënimi i Hrushovit, se gjoja do të godiste armiqtë e Egjiptit me raketa, ishte një blof. Luftën për Kanalin, e fituat vetë, me zotësinë dhe me vendosmërinë tuaj. Gjesti i Hrushovit, ishte fals.

Këtë e vërtetoi Kuba, këtë e vërteton tradhtia e këlyshëve të tij, që la pas, të cilët jo vetëm nuk u japin aeroplanë popujve arabë, por kërkojnë t’i futin në kurth, ashtu si kërkojnë të futin në kurth, Vietnamin. Revizionistëve sovjetikë dhe imperialistëve amerikanë, nuk u leverdisin luftërat e drejta çlirimtare, pse ata shohin në to, demaskimin dhe vdekjen e tyre. Prandaj ne, popujt, duhet t’ua prishim planet djallëzore. Revolucioni, nuk mund të shuhet dhe ju popuj arabë, që tash po luftoni për kauzën e drejtë të lirisë, të pavarësisë dhe të të drejtave tuaja, jini në revolucion. Revolucioni, do t’i përlajë armiqtë tanë të përbashkët.

Scroll to Top