145-vjetori i Shoqërisë së të Shtypurit “Shkronja Shqip” në Stamboll, në krye të saj u zgjodh Sami Frashëri
Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip në Stamboll është një shoqëri patriotike, kulturore, arsimore e themeluar më 12 Tetor 1879 me nismën e “Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare”.
Në krye të saj u zgjodh Sami Frashëri. Këshilli qendror përbëhej nga nga Abdyl Frashëri, Pasho Vasa, Jani Vreto, Koto Hoxhi, Zija Prishtina, Hoxha Tahsini etj.
Kjo shoqëri njihet edhe me emrat “Shoqëri e Stambollit” dhe “Shoqëri e Shkronjëzave”. Platforma e kësaj Shoqërie u përcatua në statutin themeltar (Kanonizmën), të cilin e nënshkruan 28 përfaqësues të shtresave e besimeve të ndryshme nga gjithë Shqipëria.
Qëllimi kryesor ishte: “Të mësuarit e të ndriturit të kombit tonë”, “të ngjallurit e gjuhës shqip e të bashkuarit e dialekteve të saj” (Sami Frashëri).
Ajo shtronte para vetes detyra me karakter kombëtar, si: lëvrimin e gjuhës shqipe dhe krijimin e gjuhës letrare, zhvillimin e letërsisë kombëtare, çeljen e shkollave shqipe, ngritjen e një shtypshkronje, botimin e librave (kryesisht teksteve shkollore) dhe të një organi periodik, veprimtarinë kundër prapambetjes ekonomike e sociale etj.
Për realizimin e platformës së saj, Shoqëria themeloi degë, sidomos në kolonitë shqiptare, miratoi alfabetin e përbashkët të gjuhës shqipe të paraqitur nga Sami Frashëri, i cili quhet edhe “Alfabeti i Stambollit”, botoi “Alfabetaren e gjuhës shqip”.