Mesazh për SPAK-un/ Mali i Zi hap “Kutinë e Pandorës” për Gjukanoviçin, Meta e Berisha bredhin të lirë

Mali i Zi ka “groposur” ish-presidentin Gjukanoviç sa i takon skandalit të “Pandora Papers”, ndërsa Meta e Berisha që i kanë pasuritë sheshit bredhin të lirë…

Nis numërimi mbrapsht për ish-presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç. Prokuroria Speciale ka nisur hetimet ndaj tij për skandalin e famshëm “Pandora Papers”, ku dyshohet se Gjunakoviç dhe djali i tij Blazh kanë fshehur para në parajsat fiskale.

Institucioni i drejtuar nga Vladimir Novović mori dëshmi dhe të dhëna nga partnerët ndërkombëtarë për transaksionet e dy Gjukanoviçëve.

Prokuroria ka marrë prova dhe informacione nga autoritetet gjyqësore të Britanisë së Madhe dhe Zvicrës, si dhe të dhëna nga bankat e huaja tregtare.

“Në çështjen penale që ju e etiketoni si “Pandora Papers”, hetimi është duke u zhvilluar dhe prokurori special ka mbledhur informacione nga M. Đ., B. Đ. dhe V. Ć. M., por edhe disa dëshmi dhe të dhëna nga organet kompetente gjyqësore të Britanisë së Madhe dhe Zvicrës, në procedurën e ndihmës juridike ndërkombëtare në çështjet penale, si dhe të dhëna të caktuara nga bankat komerciale, përmes Interpolit. Materiali i mbledhur është duke u shqyrtuar me qëllim planifikimin e punës së mëtejshme për rastin dhe marrjen e vendimit”, është përgjigjur për “Vijesta” zëdhënësi i prokurorit Vukas Radonjiç.

Në fillim të tetorit 2021, Prokuroria Speciale e Shtetit hapi një hetim në lidhje me faktin se ish-presidenti Gjukanoviç dhe djali i tij Blazho kishin lidhur kontrata sekrete jashtë vendit për menaxhimin e pasurisë së tyre dhe më pas njoftuan se do të ndërmarrin “të gjitha masat dhe veprimet brenda kompetencës së tyre për të vërtetuar faktet dhe rrethanat”.

Djali i kreut të shtetit, sipas dokumentacioneve dhe pretendimeve të MANS (Rrjeti për Afirmimin e Sektorit Joqeveritar), ka krijuar edhe dy kompani të fshehura me filiale në Londër dhe Mal të Zi.

Në dokumentacionin e zyrës lidere të avokatisë në Panama “Alcogal”, MANS gjeti kopje të vërtetuara të kontratës për themelimin e trusteve që babë e bir kanë lidhur më 21 qershor 2012 me kompaninë e regjistruar “CM Sky 2 (PTC) Limited” në ishujt Virgin. Trustet janë themeluar për një periudhë 80-vjeçare dhe kompania që i menaxhon është e autorizuar të blejë dhe shesë pasuri të paluajtshme dhe kompani në emër të Gjukanoviçit, të hapë kompani të reja dhe llogari xhiro, të japë e të marrë kredi dhe të kryejë detyra të tjera të ndryshme.

Por hapja e Kutisë së Pandorës nga Mali i Zi duhet të jetë një mesazh për prokurorinë shqiptare. Kemi dy ish-presidentë që janë akuzuar ndër vite se kanë vjedhur shqiptarët dhe ata ende sot “bëjnë ligjin”. E kemi fjalën për Metën e Berishën, që i kanë pasuritë sheshit. Njëri ka pasuruar fëmijët në nivele alarmante. Tjetri ka vetë pasuri sheikësh, por prokuroria nuk po i arrin dot. Kanë mbi 2 vite që thuhet se po hetohen, por askush nuk po përfundon në bankën e të akuzuarve. Mjafton që SPAK të ndjekë shembullin e kolegëve malazezë./Pamfleti

Scroll to Top