Sondazhi/ Nëse zgjedhjet mbahen sot, PS fiton mandatin e 4! Rama mbetet politikani më i preferuar! Bie pëlqimi për Berishën, ngrihet Basha!
Nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin sot, socialistët do të rrëmbenin një mandat të katërt, ku pavarësisht 12 viteve në pushtet, qytetarët do ta zgjidhnin sërish përballë një opozite të përçarë. Në sondazhin e dytë të realizuar nga Report Tv në bashkëpunim me sondazhistin Eduart Zaloshnja, 36.8% e qytetarëve janë shprehur se do të zgjidhnin PS, 19.9% PD e Sali Berishës dhe 5.1% e tyre PD zyrtare të drejtuar nga Lulzim Basha. Partia e Lirisë renditet e 4-ta, me e lartë është edhe shifra e refuzimit për të votuar, 30.4%.
Të pyetur se për cilin nga politikanët kanë mendim pozitiv, 41.7% e qytetarëve preferojnë Edi Ramën, që në përqindje renditet më lart se partia që drejton, 18,9% Sali Berishës që pëson rënie në mbështjetje, 4.9% Lulzim Bashën dhe 3.7% Ilir Metën që rezulton politikani më pak i pëlqyer. Interesante është alternativa e pestë, 30.9% kanë thënë se nuk duan asnjërin prej tyre duke kërkuar të lindë në skenën politike një lider të ri.
Puna e qeverisë, vlerësohet nga rreth 41% e qytetarëve si pozitive, ndërsa shumica e qytetarëve vlerësojnë negativisht opozitën, që prej dy vitesh vuan përçarjen brenda vetes. Rreth 75% e qytetarëve thonë se e vlerësojnë negatisht opozitën, ndërsa më pak se 25% e vlerësojnë pozitivisht atë.
Qytetarët janë pyetur edhe për qëndrimet e qeverisë për Kosovën, të cilët shprehen të ndarë se kush ka mbajtur qëndrimin më të drejtë për ‘pataten e nxehtë’ të rajonit: 50% e shqiptarëve mendojnë se Rama ka mbajtur qëndrim të drejtë, dhe 50% të tjerë mendojnë se qëndrimi më i drejtë është ai i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.
Të pyetur në lidhje me shërbimin shëndetësore privat, qytetarët janë shprehur të pakënaqur dhe kanë shumë rezerva. Më shumë se gjysma, 51.5% vlerësojnë se shërbimi nuk është cilësor, 18.4 % thonë se shërbimi është cilësor, por është i shtrenjtë, 15.2% thonë se shërbimi është jocilësor, por me kosto të arsyeshme, ndërsa 15 % se është cilësor dhe me kosto të arsyeshme.
Ndërkohë, fenomeni i shpërndarjes së drogave dhe lëndëve psikotrope nëpër shkolla, aty ku fëmijët shkojnë për të marrë dijen dhe kalojnë një pjesë të mirë të kohës është fenomeni që po shqetëson së tepërmi shqiptarët sot. 61.8% e të pyeturve i janë përgjigjur se është “shpërndarja e drogës nëpër shkolla’. Një pakicë, 24.8% kanë thënë se shqetësimi më i madh i tyre është ‘krimi i organizuar’, 7.1 % ka thënë se janë vjedhjet dhe grabitjet dhe 6.4 % kultivimi i kanabisit.
Kampioni i sondazhit është 2000 banorë të rritur nga e gjithë Shqipëria të cilët janë pyetur me mesazh, si edhe marzhi i gabimit +/- 3.5%.
Në studion e emisionin ‘Repolitix’ për të komentuar rezultatet e sondazhit ishin Eduard Zaloshnja, Endri Shabani, nga Nisma Thurje, gazetari Poli Hoxha si dhe gazetari Flogert Muça.
/shqiptarja.com