Serbia Mesjetare/ Ultrasi SERB për “The Guardian”: T’i vrasim të gjithë shqiptarët, pa vonesë
Në tribunën që kërciste të stadiumit “Çika Daça”, një tifoz futbolli me kapuç dhe maskuar thirri turmën të ngrihej në këmbë dhe të ngrinte duart. “Tre, dy, një…” burri bëri një numërim mbrapsht përmes altoparlantit të tij.
“Kosova është Serbi”, bërtitën njëzëri disa qindra tifozë, pak çaste para fillimit të ndeshjes, raporton “The Guardian”, transmeton Klankosova.tv.
Mbështetësit mysafirë ishin anëtarë të “Delije”, emri i grupit ultras famëkeq të “Cërvena Zvezdës” të Beogradit, të cilët kanë pasur prej kohësh një reputacion për dhunë të jashtëzakonshme dhe janë të njohur për pikëpamjet e tyre nacionaliste të vijës së ashpër. Për të parë lojën e ekipit të tyre, tifozët udhëtuan të shtunën e kaluar në qytetin industrial të Kragujevcit, rreth 90 minuta me makinë në jug të Beogradit.
Thirrjet e tyre pro Serbisë u duartrokitën dhe u përsëritën nga tifozët e ekipit vendas, Radniçki 1923, të ulur në ndenjëset me tulla në anën tjetër të stadiumit.
Para pjesës së parë, “Delije” shpalosi një pankartë ku shkruhej: “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.
Pak vende në Ballkan zbulojnë politikën e paqëndrueshme etnike të rajonit aq sa stadiumet e futbollit, ku mbështetësit këndojnë rregullisht sharje që kujtojnë ato të përdorura gjatë aksioneve të spastrimit etnik të viteve 1990.
“Duhet t’i shkatërrojmë, të mos vonojmë”, tha një tifoz llafazan dhe i dobët i Yllit të Kuq gjatë pjesës së parë, duke refuzuar të japë emrin e tij. (ai përdor shprehjen “finish them off” që në shqip e ka edhe kuptimin e vrasjes – shën.red.)
Ai nuk i referohej kundërshtarit të ekipit të tij, por popullatës etnike shqiptare që shpalli pavarësinë e saj nga Serbia 15 vjet më parë, pothuajse një dekadë pas një kryengritjeje guerile kundër sundimit serb.
Me pjesën më të madhe të lojës që kaloi duke hedhur fishekzjarrë, ndeshja e futbollit në të vërtetë doli në rend të dytë.
Ultrasi i Yllit të Kuq, si shumë të tjerë atë ditë, kishte veshur bluzë me fytyrën e Stefan Nedelkoviqit, një prej tre serbëve etnikë të vrarë gjatë pritës së muajit të kaluar nga paraushtarakët serbë ndaj policisë kosovare që shkaktoi një nga krizat më të rënda rajonale në vite mes Serbisë dhe Kosovës.
Beteja mes policisë së Kosovës dhe 30 serbëve të armatosur të strehuar në një manastir përkohësisht e ktheu një fshat të qetë në veri të Kosovës në një zonë lufte.
Rreth 50,000 serbë që jetojnë në veri të Kosovës nuk i njohin institucionet e Kosovës dhe e shohin Beogradin si kryeqytetin e tyre. Ata janë përplasur shpesh me policinë kosovare dhe paqeruajtësit ndërkombëtarë, por dhuna e muajit të kaluar ishte më e keqja në vite.
“Stefani është një hero dhe vdekja e tij duhet të hakmerret”, tha mbështetësi i Yllit të Kuq, duke treguar këmishën e tij, raporton “The Guardian”, transmeton Klankosova.tv.
Ultranacionalizmi është një terren i njohur për tifozët e Yllit të Kuq. Themeluesi i ekipit dikur e përshkroi ekipin si rojtarin e identitetit serb dhe besimit ortodoks.
Por kritikët e liderit serb, Aleksandar Vuçiq, thonë se përzierja e fuqishme e presidentit të shovinizmit etnik dhe demagogjisë, e cila i ngjan asaj të Vladimir Putinit të Rusisë, ka lejuar që ndjenjat ultranacionaliste të rriten jashtë stadiumeve të futbollit të Serbisë.
“Një pjesë e urrejtjes së nxitur nga huliganët është normalizuar plotësisht në shoqëri. Ata nuk përfaqësojnë vetëm ekstremet, mesazhet e tyre anti-perëndimore rezonojnë në të gjithë vendin”, tha Vladimir Arsenijeviq, një shkrimtar i shquar serb që drejton OJQ-në “Krokodil”, një grup që promovon dialogun dhe pajtimin në Ballkanin Perëndimor.
Një sondazh i vitit të kaluar tregoi se për herë të parë në dy dekada, numri i serbëve që janë kundër anëtarësimit në BE është më i lartë se i atyre që duan të bëhen anëtarë, një dëshmi e retorikës autoritare dhe antiperëndimore të qeverisë në politikën e brendshme.
Në teori, kandidat për anëtarësim në BE, vendi duket i ndarë midis perëndimit dhe Rusisë, një aleat tradicional i krishterë sllav dhe ortodoks.
Teksa konsolidonte pushtetin, Vuçiqi, një ish-ultras i vetëshpallur i Yllit të Kuq, në mënyrë të qëndrueshme e transformoi Serbinë në një autokraci.
Kundërshtarët e Vuçiqit si Arsenijeviq e kanë akuzuar atë se ka marrë kontrollin e medias përmes kompanisë shtetërore të telekomunikacionit që bleu stacione televizive lokale, të cilat Arsenijeviq thotë se janë jetike në promovimin e kulturës së dhunës.
Udhëheqësi serb ka kërkuar gjithashtu të mbledhë dhe të bashkojë huliganët e futbollit, tha James Montague, një studiues që ka studiuar gjerësisht botën e dhunshme dhe komplekse të ultrasve në Serbi.
“Vuçiqi e kuptoi se kjo është një zonë e fuqishme dhe e rrezikshme që mund të bëjë ose të prishë një president”, tha Montague.
“Ultrasit mund të mobilizohen shpejt për qëllime politike nëse është e nevojshme. Në të njëjtën kohë, autoritetet dëgjojnë me kujdes se çfarë thirret në tribuna”.
Ndërsa ultrasit e Yllit të Kuq nuk marrin pjesë më në dhunën e drejtpërdrejtë ndëretnike, siç ishte rasti në vitet 1990 kur kryekomandanti Arkan komandonte një grup huliganësh, ata ende shfaqen në skena që përfshijnë rrahjen e grave dhe ndërprerjen e marshimeve LGBTQ+ në Beograd, raporton “The Guardian”, transmeton Klankosova.tv.
Vuçiqi, rrënjët politike të të cilit janë në nacionalizmin e ekstremit të djathtë, ka dhënë intervista rreth asaj se si ishte në tribuna gjatë një lufte mitike futbolli të vitit 1990 mes ekipeve të Yllit të Kuq dhe Dinamo Zagrebit, që ndonjëherë është parë si fillimi i vërtetë i luftërave ballkanike.
Duke ecur nëpër Beograd, një tjetër gjurmë më e dukshme e nacionalizmit serb është e vështirë të injorohet.
Mes butikëve të lartë dhe kafeneve hipster në qytet, mund të dallohen lehtësisht murale pro-ruse dhe ultranacionaliste, shpesh të përziera me fytyrat e tifozëve të futbollit të vrarë në përleshje dhe kriminelëve famëkeq të luftës, duke përfshirë ish-komandantin serb të Bosnjës të burgosur, Ratko Mladiq.
“Të jetosh mes këtyre muraleve e ndot mendjen”, tha Arsenijeviq.
Një pjesë e punës thelbësore të “Krokodil” është lufta kundër muraleve në të gjithë vendin për të cilat grupi thotë se “miraton urrejtjen, racizmin dhe seksizmin”.
“Duke parë vazhdimisht muralet, njerëzit që përndryshe do të ishin njerëz të denjë, i pranojnë pak nga pak të gjitha këto mesazhe urrejtjeje”, tha Arsenijeviq, duke e krahasuar procesin me fenomenin hipotetik të “bretkosës së zier”.
“Në fund, kjo ka një ndikim të drejtpërdrejtë në situatën politike me Kosovën”, tha ai.
Në terren në Kosovën veriore, Jovana Radosavleviq tha se mund të ndjente se marrëdhëniet ndëretnike midis shqiptarëve dhe serbëve po përkeqësoheshin, pas luftimeve të fundit.
“Ju mund të shihni ndryshimin në sjelljen e njerëzve. Kjo është diçka që më shqetëson mua”, tha Radosavleviq, e cila kryeson “Iniciativën e Re Sociale”, një OJQ që punon për pajtimin ndërmjet komuniteteve etnike.
Por pavarësisht tensioneve në rritje, analistët besojnë se nuk ka gjasa që Vuçiqi, duke përmendur një kërcënim për pakicën serbe në veri të Kosovës, të dërgojë trupa përtej kufirit dhe të aneksojë rajonin, një skenar që i mban zgjuar politikëbërësit perëndimorë natën.
“Nuk po i afrohemi një përshkallëzimi të ri; nuk do të ketë një luftë siç kemi parë në vitet 1999”, tha Ivan Vejvoda, një anëtar i lartë në Institutin e Shkencave Njerëzore në Vjenë.
“Politikanët serbë e kuptojnë shumë mirë që nuk preket NATO-ja”, tha Vejvoda, duke iu referuar rreth 4,000 ushtarëve të NATO-s aktualisht në Kosovë.
Pas paralajmërimeve të ShBA-së se mund të përballet me masa ndëshkuese për atë që Shtëpia e Bardhë e quajti një grumbullim “të paprecedentë” të trupave dhe mjeteve të armatosura serbe, Vuçiqi njoftoi se kishte tërhequr disa prej trupave të saj nga kufiri me Kosovën.
Por, pavarësisht shenjave se kriza aktuale mbi Kosovën është zbutur, Arsenijeviq ka parashikim të zymtë për të ardhmen e afërt të Serbisë. “Shoqëria jonë është në një spirale në rënie”, tha ai.
Ndërsa Arsenijeviq përshëndeti protestat e fundit kundër dhunës, në të cilat dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në Beograd pas dy të shtënave të njëpasnjëshme masive që vranë 18 njerëz, ai ka frikë se shoqëria do të vazhdojë të jetojë në një gjendje “tensionesh të vazhdueshme”.
“Autoritetet po mbajnë një klimë dhune”, tha ai.