Kush e fundosi Ilir Metën? Nga dëshmitë te faktet, fijet që e lidhin me aferën CEZ-DIA
Falë ndikimit të Metës, ERE uli çmimin e energjisë për CEZ. Kjo e fundit ja u shiste qytetarëve më shtrenjtë dhe fitonte miliona. Nga ky favor u kërkuan 10 milionë euro…
Më në fund drejtësia ka trokitur në derën e Ilir Metës. Në 30 vite ai është zhytur në shumë afera, por gjithmonë i ka shpëtuar ndëshkimit. Por sot ka pasur një zhvillim të bujshëm nga SPAK, pasi Meta u mor mbi 3 orë në pyetje për aferën CEZ-DIA.
Mund të themi se bëhet fjalë për një prej aferave më të rënda të qeverisë “Meta-Berisha”. Ish-presidenti dyshohet se ka favorizuar CEZ me uljen e çmimit të energjisë në këmbim të marrëveshjes me DIA për mbledhjen e borxheve.
Hetimet kanë nisur në kuadër të një padie që ka bërë në SPAK, juristi Romeo Kara. Ky i fundit ka dhënë aty detaje se si janë grabitur miliona, ndërkohë që mësohet se SPAK ka bindur dhe disa ish-bashkëpunëtorë të Metës të flasin. Një ndër ata dyshohet se është Elvis Mata, një ish drejtor në DIA dhe ish drejtues i LRI-së në vitin 2005. Ndërkohë SPAK tentoi të bindë të flasë dhe vetë kreun e DIA, Kastriot Ismailaj. Ai është marrë disa herë në pyetje.
Provat që fundosin Metën
Juristi Kara në padinë që ka bërë në Prokurori, ka dorëzuar 300 faqe me informacion, ndërsa ka bërë një renditje të argumenteve të tij se përse kemi vepër penale. Janë rreth 30 argumente, ku implikojnë Metën, Berishën dhe qeverinë e asaj kohe, sipas juristit. Fillimisht Kara ka renditur dëshmitë që ka dhënë ish-kreu i CEZ, Jozef Hejsek. Sipas tij, ky i fundit ka thënë: “Qazim Tepshi, në atë kohë Ambasadori i Shqipërisë në Pragë, pas diskutimeve me eprorin e tij, ministrin e Punëve të Jashtme Ilir Meta, rekomandoi Kastriot Ismailajn, si mbledhës të jashtëm të borxheve të CEZ-it, duke e prezantuar atë si një aleat të ngushtë të ministrit të Punëve të Jashtme Ilir Meta dhe të kryeministrit Berisha. Kjo, sipas Hejsekut, mund të ketë ndodhur në vjeshtën e vitit 2009. Vjeshta e vitit 2009 rezulton të jetë pikërisht koha kur pala çeke filloi administrimin e OSSH-së, të sapo privatizuar në atë kohe prej tyre”.
Kara ka treguar dhe bisedat me ish-zyrtarin e DIA, Elvis Mata. Sipas tij, ai i ka rrëfyer lidhjet e Metës me Kastriot Ismailin. “Sipas asaj që ka pohuar disa herë, në ambiente të ndryshme vetë Ismailaj, apo ish-drejtori ekzekutiv i DIA-s Elvis Mataj, dyshja Meta-Ismailaj janë takuar në Pragë me dyshen Martin Roman & Tomas Pleskash, të cilët kanë qenë përkatësisht numrat 1 dhe 2 drejtues të CEZ-group. Ismailaj me mburrje në më shumë se një rast, ka pohuar se: ish-ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Pragë, Qazim Tepshi, u aks1dentua qëllimisht nga pala çeke, që ai të mos ishte i pranishëm në takimin e sipërpërmendur”, thuhet në dosje.
Kara përmend dhe paratë që kanë qarkulluar në këtë mes. Në atë kohë ERE uli çmimin e energjisë për CEZ. Kjo e fundit ja u shiste qytetarëve më shtrenjtë dhe fitonte miliona. Sipas Karajt, nga ky favor u kërkuan 10 milionë euro. Ai ka përmendur dhe një valixhe me para. “Elvis Mataj më ka pohuar në mënyrë të përsëritur, mua personalisht se: Kastriot Ismailaj i ka çuar në shtëpi Ilir Metës, në një çantë ngjyrë kafe, që i përkiste Elvis Matës, rreth 200 milionë lekë të vjetra. Kjo gjë ka ndodhur, sipas Elvisit në fund të vitit 2010 ose në fillim të vitit 2011. Më shumë ka mundësi në fillim të vitit 2011”, thuhet aty. / pamfleti.net